RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Zagreb, Kroaci Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Merkure, 22 February 2012

Në kuadrin e veprimtarive të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, në datë 18 shkurt 2012, në Zagreb u zhvillua ceremonia përkujtimore në nderim të figurës së historianit, gjuhëtarit dhe albanologut kroat Milan Šufflay.

Milan Šufflay, në janar 1931 ndodhej në Shqipëri, ku qeveria shqiptare kishte nënshkruar projektin për të mbështetur veprimtarinë e tij në fushën shkencore për njohjen e Shqipërisë. Më datë 16 janar 1931 Milan Šufflay mbajti fjalim në Parlamentin e Shqipërisë, ku në mënyrë të hollësishme foli për punën rreth botimit të vëllimeve për Shqipërinë.

Menjëherë pas kthimit të tij në Zagreb, më datë 18 shkurt 1931, ai u ekzekutua në një atentat, i kryer nga organizata terroriste e ashtuquajtur “Mlada Jugoslavija“ e mbështetur nga mbreti Aleksandër.

Për këtë ngjarje apeluan personalitete të fushës së gazetarisë si dhe Liga Gjermane për të Drejtat e Njeriut më datë 31 prill 1931, nënshkruar dhe nga Albert Einstein dhe Heinrich Mann.

Në ceremoninë e rastit, në pllakatin që përkujton këtë ngjarje, u vendosën kurora nga Ambasada e Shqipërisë, Ambasada e Kosovës, Unioni i Bashkësive Shqiptare në Kroaci, Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare në Zagreb si dhe disa shoqata kroate që nderojnë dhe promovojnë figurën e Milan Šufflay.

Në këtë veprimtari Ambasadori i Shqipërisë nënvizoi vlerat e mëdha të albanologut Milan Shufflay dhe kontributin e tij të madh për Shqipërinë.

 
Posta Elektronike