RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Ambasada shqiptare në Romë, feston: Vendi përballë, shqiptarët e Italisë në 100 vjetorin e Pavarësisë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Marte, 06 Mars 2012

Në datën 3 mars, u zhvillua në Romë, në një nga sallat e Muzeut të Qytetërimit Romak, takimi i fundit i muajit të kulturës shqiptare titulluar “Vendi përballë, shqiptarët e Italisë festojnë 100-vjetorin e Pavarësisë”.

“Shqipëria turistike ju mirëpret” ishte tema e takimit që u shoqërua me shumë veprimtari dhe pjesëmarrës.

Ambasadori i RSH-së në Romë, z. Llesh Kola, në fjalën e tij të hapjes, përshëndeti të pranishmit duke falenderuar për pjesëmarrjen, e njëkohësisht duke falenderuar Bashkinë e Romës, Muzeun e Qytetërimit Romak, si edhe të gjithë organizatorët dhe mbështetësit për këtë muaj të mrekullueshëm, të larmishëm me ekspozita, konferenca e simpoziume dhe aktivitete të  tjera. Ai theksoi se ky cikël veprimtarish me rastin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë në Romë është vetëm fillimi i shumë veprimtarive të tjera që do të vijojnë në të gjithë Italinë, në bashkëpunim me të gjitha shoqatat shqiptare në Itali, arbëreshët, por edhe me institucione italiane lokale e qendrore.

Në vijim, e mori fjalën Drejtorja e Arkivit Qendror të Shtetit, zonja Nevila Nika, e cila, në kumtesën e saj, u përqendrua në dokumentet që bënë historinë. Me ndihmën e Arkivit Qendror të Shtetit, në datën 17 shkurt, ishte përuruar një stendë me dokumente të arkivit të periudhës së Pavarësisë, e cila qëndroi deri më 3 mars. Zonja Nika u ndoq nga Av. Enrico Silverio, anëtar i Komisionit Sport Kulturë i Këshillit të Dhomës së Avokatëve të Romës, i cili foli mbi temën “Territori i Shqipërisë së sotme në organizimin e perandorisë midis Lindjes dhe Perëndimit”. Ai bëri një përshkrim të historisë së Shqipërisë që nga antikiteti, duke nënvizuar kulturën e vendit tonë dhe pozicionin e tij ndërmjet lindjes dhe perëndimit, si edhe foli për figurën e Ugolinit dhe zbulimet e tij arkeologjike në Shqipëri.

“Shqipëria turistike ju mirëpret” – ishte tema për të cilën folën operatorët turistikë Francesca Toscano dhe Eni Cici. Kjo pjesë e aktivitetit ishte organizuar nën kujdesin e Shoqatës “Ejona” të Milanos”.

Operatorët Toscano e Cici, në një video-projektim të shoqëruar me fotografi nga viset më të bukura shqiptare, shpjeguan për të pranishmit përse duhet të zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik, cilat janë format e turizmit që aktualisht ofron vendi ynë. Nga ana tjetër, Eni Cici shpjegoi se përse shqiptarët zgjedhin Italinë jo vetëm si vend ku kanë emigruar për të punuar por edhe për të kaluar pushimet e tyre.

Për të pranishmit ishin shpërndarë edhe kalendarë me pamje të Beratit të botuar nga shoqata e miqësisë italo-shqiptare “Albania e Futuro”, me President Astrit Çelën.

Në vijim, mbrëmja vazhdoi me një koncert poetik të Artistit të Merituar Mirush Kabashi, i cili me talentin dhe pasionin e tij emocionoi të gjithë të pranishmit gjatë recitimit të poezive kushtuar pavarësisë, poezi të poetëve tanë të rilindjes. Një surprizë shumë e këndshme për miqtë e ftuar italianë ishte dhe një letër e hapur që artisti Kabashi kishte shkruar në fillim të viteve ’90, menjëherë pas eksodit shqiptar drejt brigjeve të Italisë, botuar në të përditshmen italiane, “La Repubblica”, të cilën ai e interpretoi në gjuhën italiane.

Poezitë e artistit Kabashi u alternuan me numrat muzikorë të luajtur nga instrumentistë shqiptarë, të cilët i kishte mbledhur së bashku Mjeshtri i Merituar Aleksandër Gashi për një koncert dedikuar Pavarësisë.

Sallat e Muzeut të Qytetërimit Romak në të cilat ishin alternuar ekspozita piktorësh shqiptarë, ekspozita fotografike për Shqipërinë, një ekspozitë me punime në metal të artistit Vladimir Nikaj, kishin marrë pamjen e një mjedisi shqiptar i cili po festonte së bashku me miq e dashamirës italianë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Romë 100-vjetorin e Pavarësisë. Koncerti u mbyll me himnin e Shqipërisë.

 
Posta Elektronike