RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Hungari, ekspozitë për 90 vjetorin e marrdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Merkure, 21 Mars 2012

Në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 90- vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Hungarisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest,  në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë hapën ekspozitën: “90 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri – Hungari”. Ekspozita u hap në hollin kryesor të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë.

 

Të pranishëm në këtë ekspozitë  ishin ambasadorë, anëtarë të Trupit Diplomatik të  akredituar në Hungari, si dhe personalitete të fushave të ndryshme.

 

Gjithashtu, në këtë ekspozitë ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Janos Martonyi.

Në ekspozitë ishin paraqitur dokumenta arkivorë të shkëmbimeve diplomatike në periudha të ndryshme mes dy vendeve, artikuj, botime letrare, revista, foto, objekte, etj.

Ministri i Jashtëm hungarez Martonyi, pasi përshëndeti Kryeministrin Shqiptar z. Sali Berisha dhe të pranishmit, u ndal në disa etapa kyçe që përshkruajnë marrëdhëniet shumë të mira, miqësinë dhe mbështetjen reciproke mes dy vendeve.

Kryeministri Berisha, në fjalën përshëndetëse me këtë rast, theksoi disa nga momentet më të rëndësishme që kanë konsoliduar marrëdhëniet midis dy kombeve e vendeve tona. Ai vlerësoi figurën e Mbretëreshës Geraldinë, si Mbretëresha e parë e shqiptarëve në kohët moderne dhe dashurinë që ajo kishte për Shqipërinë.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në datën 10 prill 2012.

Për hapjen e saj ndihmuan Arkivat  e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë dhe Shqipërisë, Arkivi i Shtetit Shqiptar, Biblioteka Kombëtare, Arkivi i Familjes Mbretërore, Shoqata Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, ish ambasadorë dhe diplomatë të Republikës së Shqipërisë në Budapest etj.

Në kuadrin e vizitës së Kryeministrit Berisha në Budapest, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Universitetit “ELTE” për hapjen e departamentit të Albanologjisë pranë këtij universiteti. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj dhe rektorit të Universitetit ELTE Prof. Barna Mezey.
Dr. Kristian Csaplar-Degovics, albanolog, mbajti një leksion mbi albanologjinë dhe rolin e albanologëve hungarezë.
Me këtë rast u promovua libri i këtij historiani “Historia e shtetformimit shqiptar” dhe u ekspozua për të pranishmit një nga kopjet më të rralla dhe më të vjetrat  e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut” e cila daton në vitin 1493.

90-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe vizitës së Kryeministrit shqiptar z. Sali Berisha në Budapest, mediat vendase i kanë kushtuar një vend të veçantë. Disa radio hungareze kanë transmetuar për disa ditë muzikën e filmit “Skënderbeu” të kompozitorit Aleksandër Peçi.


 
Posta Elektronike