RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Rumani, “100 Vjetori i Pavarësisë”, bashkon diasporën shqiptare në aktivitet Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Hene, 14 Maj 2012

Në kuadrin e aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada jonë në Bukuresht organizoi, më datë 11 maj 2012, një aktivitet me pjesmarrjen e anëtarëve të Komunitetit të Shqiptarëve në Rumani, pasardhës të anëtarëve të delegacionit të këtij Komuniteti në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, pasardhës të firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, Dhimitër Emanuel dhe Dhimitër Zografi, si dhe me studentë që studiojnë në Rumani.

Qëllimi i aktivitetit me shqiptarë të diasporës në Rumani, si dhe me studentë ishte evokimi i rolit dhe kontributit të përbashkët të tyre për përgatitjen dhe shpalljen e pavarësisë para 100 vitesh, si një mesazh domethënës për aktivitetin aktual të tyre.

Aktiviteti u shoqërua njëkohësisht dhe me një ekspozitë me materiale dhe dëshmi të pasardhësve të anëtarëve të delegacionit të Komunitetit Shqiptar të Rumanisë në Vlorë, me fotografi lidhur me aktivitetin e Naum Veqilharxhit në Braila, një nga ideologët e parë të Rilindjes Kombëtare, (i cili përpunoi alfabetin e gjuhës shqipe dhe përgatiti të parën abetare për mësimin e gjuhës shqipe në vitin 1844, të titulluar Evëtar), fotografi të familjeve të vjetra shqiptare në Bukuresht, Braila, Sllatinë, Ploesht, si dhe shfaqjen e dokumentarit “Unë jam Ismail Qemali”.

Në fjalën e tij, Ambasadori Sami Shiba, ndër të tjera, vlerësoi dhe shprehu mirënjohjen për figurat e shquara të Komunitetit të Shqiptarëve të Rumanisë që kontribuan për formimin e Kombit tonë dhe për krijimin e shtetit tonë të pavarur, duke evidentuar anëtarët e delegacionit Dhimitër Emanuel, Dhimitër Zografi, Dhimitër Berati, Spiridon Ilom, Pandeli Cala, Dr. Ibrahim Temo etj, si dhe hartuesin e tekstit të Himnit të Flamurit, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni).

Për rolin dhe kontributin e Komunitetit të Shqiptarëve të Rumanisë në përgatitjen dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, folën Zoti Xhelku Maksuteviç, Kryetar Nderi e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve, Znj. Lule Simion, Sekretare e Përgjithshme e kësaj Shoqate, Znj. Adriana Tabaku, një nga pasardhësit e familjes së Dhimitër Emanuel, Znj. Lirije Tema, pasardhëse e familjes së Dr. Ibrahim Tema, si dhe Zoti Hashim Memishi, përfaqësues i një familje shqiptare më se 400-vjeçare në Rumani.

Aktiviteti vazhdoi me ndjekjen e dokumentarit “Unë jam Ismail Qemali”, si dhe me një koktej.

Pjesëmarrësit vlerësuan aktivitetin, falenderuan për mundësinë që u krijua për t’u takuar, njohur dhe biseduar me njëri-tjetrin anëtarë të familjeve të disaporës së vjetër, shqiptarë të ardhur pas viteve ‘90”-të dhe studentë, duke transmetuar kështu një mesazh shumë kuptimplotë për aktivitetin në vazhdim për promovimin e vlerave kulturore e historike të Shqipërisë.

 
Posta Elektronike