RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Kroaci, ceremoni per hapjen e dy shkollave të mësimit plotësues të shqipes Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Merkure, 16 Maj 2012

Në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavrësisë, më datë 5 maj 2012, në Osijek të Kroacisë, u zhvilluan ceremonitë e hapjes së dy shkollave të mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Tekstet mësimore janë siguruar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërsa organizimi dhe hapja e dy shkollave është fryt i bashkëpunimit midis Ambasadës së Shqipërisë, Konsullit të Nderit të Shqipërisë Z. Basri Haliti, njëkohësisht edhe Kryetar i Këshillit të pakicës kombëtare shqiptare për Prefekturën e Osijekut, si dhe Bashkisë dhe Prefekturës së Osijekut.

Në ceremonitë përkatëse morën pjesë fëmijë dhe prindër shqiptarë, autoritete të pushtetit vendor në Osijek, përfshi Kryetarin e Bashkisë Osijek, drejtorët e shkollave, drejtuesit shqiptarë në prefekturë, Ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës dhe i gjithë personeli i Ambasadës së Shqipërisë. Veprimtaritë promovuese gjetën pasqyrim në mediat lokale. Në këtë mënyrë, numri i shkollave të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Kroaci shënon numrin nëntë.

Gjithashtu, Ambasada shqiptare bëri homazhe dhe vendosi tufë me lule në bustin e Mikel Summa, Ipeshkv shqiptar nga Shkodra i cili ka shërbyer në kishën e qytetit të Osijekut për besimtarët shqiptarë kelmendas vendosur në këtë pjesë të Kroacisë rreth viteve 1730.

 
Posta Elektronike