RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Promovohet libri dhe dokumentari televiziv, “ Shpëtimi në Shqipëri” në Sarajevë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Enjte, 24 Maj 2012

 

Në kuadër të aktiviteteve lidhur me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë,  Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Sarajevë-BeH, në bashkëpunim me Bashkësinë Hebreje të Bosnje dhe Hercegovinës, në ambientet e Komunës Hebreje të Sarajevës, organizoi promovimin në gjuhën boshnjake të librit  „Shpëtimi në Shqipëri“ të autorit Harver Sarner. Me këtë rast, u promovua edhe dokumentari „Shpëtimi në Shqipëri“ të  autorëve nga Prishtina, Alush GASHI dhe Dardan ISLAMI.

Aktivitetin e hapi Ambasador Jakob FINCI, kryetar i Bashkësisë Hebreje i Bosnje- Hercegovinë, njëkohësisht kryetar i organizatës „La Benevolencia“, i cili ndër të tjera shprehu nderimin e thellë dhe falënderimin për popullin shqiptar për gjithë cfarë ka bërë për shpëtimin e Hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë gjatë luftës së dytë botërore.

Ambasadori i Shqipërisë në BeH, z.Flamur GASHI, duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje në aktivitetet që po organizon ambasada në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë që ka Ambasada me Bashkësinë Hebreje të Bosnje dhe Hercegovinës, ndër të tjera theksoi se : Për gjithë ç’farë kanë bërë shqiptarët për hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore në fakte dhe shifra, dëshmohet në librin ,“Shpëtimi në Shqipëri”  të z. Harvey Sarner dhe në dokumentarin po me të njëjtin titull të autorëve Gashi e Islami. Por unë, me këtë rast dua te falënderoj të gjithë miqtë e popullit shqiptar që ndihmuan në këto njëqind vjet pavarësi, në konsolidimin dhe forcimin e shtetit shqiptar, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe ndihmën që po japin në rrugëtimin e të gjithë shqiptarëve drejt bashkimit Europian.“ Në përfundim të fjalës së tij Ambasadori GASHI theksoi se, mirënjohja dhe respekti i ndërsjellë na ka bërë që si popull shqiptar të ndjehemi shumë afër me popullin hebre, ta vlerësojmë dhe përkrahim në kohë të vështira njëri tjetrin.

Në këtë aktivitet morën pjesë elita intelektuale e Bosnje - Hercegovinës, përfaqësues trupit diplomatik, të institucioneve shtetërore të BeH, të mediave si dhe disa pjesëtarë të bashkësisë shqiptare dhe të bashkësisë hebreje në Bosnje- Hercegovinë.

Promovimi i librit dhe dokumentarit, zgjoi një interesim të jashtëzakonshëm te pjesëmarrësit dhe ngjalli komente shumë pozitive për popullin shqiptar.

Në përfundim të aktivitetit, të pranishmëve ju dhuruan 120 kopje në gjuhën kroato-boshnjake të librit  “Shpëtimi në Shqipëri” si dhe disa kopje të dokumentarit po me të njëjtin titull.

 

 
Posta Elektronike