RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Kroaci, veprimtari sportive mes ekipeve të shahut për 100 vjetorin e Pavarësisë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Merkure, 30 Maj 2012

Nga data 25-26 maj 2012, në Zagreb u zhvillua veprimtaria sportive në shah midis ekipeve të shahut të Tiranës dhe Zagrebit. Veprimtaria e parashikuar që para një viti në programin e bashkëpunimit midis Prefekturës së Zagrebit, Qarkut të Tiranës dhe Ambasadës së Shqipërisë i kushtohej 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 100 vjetorit të krijimit të sportit të shahut në Zagreb.

Kjo veprimtari u çel me një pritje në Prefekturën e Zagrebit ku ekipi nga Shqipëria i kryesuar nga përfaqësuesi i Qarkut të Tiranës Z. Myslym Ndroqi, u prit nga Kryetari i Asamblesë së Prefekturës Zagreb, Z. Damir Mikuljan, nismëtar i veprimtarisë, i cili ndërkohë është shpallur qytetar Nderi i Qarkut Tiranë në janarin e vitit 2012. Në takim merrnin pjesë Prefekti dhe autoritete të Prefekturës Zagreb, si dhe autoritete të Bashkisë së Zagrebit.

Takimet e shahut u zhvilluan duke patur në sfond flamujt e dy vendeve, emblemat e federatave të shahut, si dhe logon e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Pas ditës së dytë të takimeve, Presidenti i klubit të Shahut të Zagrebit Nenad Škare, ndau medaljet për shahistët si dhe vlerësimet për Ambasadën e Shqipërisë në Kroaci, Kryetarin e Asamblesë së Prefekturës Zagreb, Damir Mikuljan, dhe Kryetarin e Pakicës Kombëtare Shqiptare për Prefekturën e Zagrebit, Z. Memetali Zenuni.

 
Posta Elektronike