RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Romë, aktivitet për festimet e 280-vjetorit të Kolegjit arbëresh të Shën Mitrit Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Merkure, 30 Maj 2012

Në datën 26 maj 2012, në qytezën arbëreshe të San Demetrio Corone (Shën Mitër), në Kalabri, u festua 280-vjetori i Kolegjit të gjuhës shqipe “Shën Adriani”. Duke  përshëndetur me këtë rast, Ambasadori i RSH-së në Romë, z. Llesh Kola uroi për festën, e cila përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit Shqiptar. Kjo festë e përbashkët e arbëreshëve, shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës e kudo ku janë, por edhe e italianëve, ka një rëndësi të madhe.

Rëndësia e këtij kolegji qëndron jo vetëm se ishte qendër formimi dhe shkollimi elitash arbëreshe, shqiptare dhe italiane, por edhe sepse ky kolegj ka qenë një qendër ndikimi edhe për pavarësinë e Shqipërisë, ku sivjet festojmë 100-vjetorin e saj, dhe për Bashkimin e Italisë, ku vitin e kaluar u festua 150-vjetori i tij.

Së bashku me përfaqësuesin e Ambasadës së Kosovës, Këshilltarin Avni Hasani, Ambasadori Kola vendosi një buqetë me lule në baso-relievin e Nënë Terezës në të hyrë të qytezës së Shën Mitrit, vepër e skulptorit shqiptar nga Presheva Hevzi Nuhiu.

Më pas  Ambasadori Kola dhe përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës morën pjesë në edicionin e 19-të të shfaqjeve kulturore e folklorike të 10 bashkive dhe shkollave arbëreshe nga Kalabria, Siçilia, Bazilikata dhe Pulia. Edicioni i këtij viti i ishte kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me titull “Pavarësia e Shqipërisë: Shqipëria dhe Arbëria”.

Ky aktivitet u zhvillua në komunën e Shën Sofisë së Epirit ku morën pjesë bashkë me Kryetarin e Komunës së këtij qyteti edhe Kryetarët e Komunave dhe drejtuesit e 10 shkollave arbëreshe pjesëmarrëse. Çdo shkollë konkuroi me një program prej 20 minutash në të cilin ishin përfshirë këngë, valle e melodi shqiptare dhe arbëreshe. Pjesëmarrësit ekzekutuan me emocion pjesët artistike në një dekor festiv, kombëtar, me kostume tradicionale arbëreshe, flamuj, instrumentë e banderola. Në përfundim të edicionit u dhanë edhe kupa dhe diploma për përformancat më të mira artistike.

 
Posta Elektronike