RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Shqipëria mbledh në Tiranë vendet e Evropës Juglindore në një Konferencë Rajonale mbi të Drejtat e Fëmijëve Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Enjte, 14 Qer 2012

Në kuadër të Presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës dhe vitit të Janusz Korczak, polakut hebre parimet e të cilit mbi dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve janë në themelet e Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës - miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 1989, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në bashkëpunim me KiE, Ambasadën Polake në Tiranë, UNICEF dhe Fondacionin Fëmijët Shqiptarë, organizuan në Tiranë Konferencën Rajonale mbi të Drejtat e Fëmijëve.

 

Gjatë Konferencës përfaqesues dhe eksperte nga vendet e Rajonit të Europës Juglindore do diskutojnë dhe ndajnë eksperiencat e vendeve të tyre në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve gjatë procesit të ndryshimeve demokratike të ndodhura në këto vende në dy dekadat e fundit.

 

Konferenca u përshëndet nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Jozefina Topalli e cila u ndal në jetën dhe veprën e Janusz Korczak, i cili në mbrojtje të jetës së 200 fëmijëve hebrenj, gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfundoi së bashku me ta në kampin e shfarosjes Treblinka. Znj.Topalli vuri në dukje se jeta dhe vepra e pedagogut, pediatrit dhe shkrimtarit Korczak, i cili braktisi gjithshka për të  mbrojtur 200 fëmijët e jetimores që drejtonte duhet të shërbejë si shembull frymëzimi për të gjithë, instituicionet, shoqërinë dhe individin. Kryeparlamentarja u bëri thirrje të gjithë të pranishmëve që të drejtat e fëmijëve t’i vendosin mbi gjithshka dhe të bëjnë më të mirën për të garantuar të drejtat e fëmijëve në të gjitha vendet.

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Spiro Ksera, vuri në dukje se në grupin e të drejtave të njeriut, të drejtat për fëmijët zenë vendin e parë, “ndaj detyrimet e Qeverive dhe institucioneve për t’i njohur dhe garantuar ato janë të panegociueshme”.

Duke iu referuar ekzekutimit nga nazistët në 1942 të 200 jetimeve te institutit te profesor Korczak, Ministrit Ksera theksoi se “edhe pse jetojmë në tjetër epokë, sërisht një numër fëmijësh edhe në Evropën e shekullit të XXI kanë nevojë për përkrahje dhe mbështetje të veçantë për të shpëtuar nga kthetrat e dhunës, përdorimit për punë të papërshtatshme, për lypje, për pornografi, etj”, duke u ndalur në mënyrë specifike në përgjegjësinë e institucioneve, shoqërisë dhe individit.

Ministri i Punës u ndal në zhvillimet më të fundit të Shqipërisë në fushën e të drejtave të fëmijëve, të cilat i përcaktoi të rëndësishme pasi kanë sjellë zhvillime pozitive në fushën e përmirësimit të legjislacionit dhe ngritjes së institucioneve që monitorojnë dhe zbatojnë këto politika.

Presidentja e Fondacionit "Fëmijët Shqiptare", znj.Liri Berisha, u shpreh se, "Shqipëria ka ecur shumë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke hartuar edhe Planin Strategjik të Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve 2012-2015".

"Fondacioni që unë drejtoj është i angazhuar totalisht që të luajë një rol thelbësor për të drejtat e fëmijëve", deklaroi znj.Berisha.

Në Konferencë përshëndetën edhe Ambasadorja polake Znj. Irena Tatarzynska, Zv/Drejtorja Rajonale e UNICEF znj Kirsi Madi dhe Përfaqësuesi i KiE z. Marco Leidekker, etj.

Gjatë Konferencës në tre panele të fokusuara tek ‘Sistemi institucional dhe ligjor për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe drejtësia për të mitur’, ‘Mbrojtja sociale për fëmijët kryesisht të minoritetit dhe me aftësi të kufizuara’ dhe ‘Edukimi dhe respektimi i opinionit të fëmijëve’, përfaqësues dhe ekspertë nga të gjitha vendet pjesëmarrëse ndanë eksperiencat pozitive dhe sfidat në fushën e garantimit të të drejtave të njeriut.

Në fund, Konferenca do të miratoj një Komunikatë në të cilën vendet e Rajonit do të angazhohen në marrjen e masave konkrete për përmirësimin e legjislacionit dhe institucioneve që garantojnë mbrojtje më të lartë për fëmijët.

 
Posta Elektronike