RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Sarajevë, koncert i madh i orkestrës simfonike të RTVSH-së Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Enjte, 05 Korrik 2012

Në kuadër të organizimit të aktiviteteve të ndryshme për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Sarajevë, në bashkëpunim me Radio Televizionin Shqiptar  dhe Sarajevo Art si dhe Komunën Qytet i Vjetër Sarajevë, organizuan një koncert të madh të  Orkestrës  Simfonike  të RTSH-së.

Koncerti u hap nga Ambasadori i Shqipërisë në Sarajevë – BeH, z.Flamur GASHI, i cili ndër të tjera, para mbi 1200 pjesëmarrësve, theksoi se: ”Sonte, në kuadër të aktiviteteve për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, po ju ofrojmë një fotografi tjetër të Shqipërisë, fotografinë e Shqipërisë  Europiane. 

Para një viti e gjysmë, konkretisht me 02 shkurt 2011 në Sarajevë dhe me 06 shkurt 2011 në Tiranë, organizuam si Ambasadë koncertet madhështore të dy orkestrave të bashkuara në një trup të përbashkët orkestral, Orkestrës së Teatrit dhe të Baletit të Shqipërisë dhe Filarmonisë së Sarajevës  për të festuar së bashku heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në Europë të qytetarëve të të dyja vendeve tona. Sonte, ky koncert është organizuar në kuadër të aktiviteteve që po zhvillon Ambasada e Shqipërisë në Sarajevë,  për  festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por besoj që së shpejti do të organizojmë një shfaqje  tjetër të bukur artistike me rastin e ftesës që do të marri  Shqipëria për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe uroj  që festa të jetë e shpejtë edhe për anëtarësimin e Bosnje dhe Hercegovinës në NATO dhe pastaj edhe në BE”.

Koncerti u mbajt në ambient të hapur, para bibliotekës kombëtare “Vjećnica”, ku morën pjesë personalitetet më të larta shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës, përfaqësues eminent të jetës kulturore të BeH, ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik si dhe shumë miq të ambasadës që ishin të ftuar.

Koncerti u transmetua drejtpërdrejtë nga TV Sarajevo dhe Televizioni shtetëror  BHT1.

 
Posta Elektronike