RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Koncert i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në Zagreb me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Hene, 15 Tetor 2012

Më datë 12 tetor në sallën e madhe të koncerteve të Pallatit “Lisinski” të Zagrebit nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore u realizua koncerti i madh festiv “100 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë”. Koncerti u realizua si projekt i përbashkët i Ambasadës së Shqipërisë, Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit Zagreb dhe Bashkisë së Zagrebit. Merrnin pjesë autoritete qëndrore e lokale kroate, shqiptarë me banim në Kroaci, miq kroatë, artistë dhe trupi diplomatik i akredituar në Republikën e Kroacisë. Të pranishmit dhe trupën e Ansamblit të drejtuar nga Z. Suleman Baltëza, i përshëndetën Kryetari i Parlamentit të Kroacisë Josip Leko, Kryetari i Bashikisë Zagreb Z. Milan Bandić, Kryetari i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare për qytetin e Zagrebit Z. Gëzim Rexhepi dhe ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi.

Kjo ka qenë veprimtaria kryesore gjatë vitit në kuadrin e festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, zhvilluar në Kroaci. Me këngët, vallet, kostumet e larmishme, trupa e Ansamblit tërhoqi vëmendjen dhe u pëlqye nga publiku i pranishëm për interpretimin e lartë dhe larminë e folklorit kombëtar shqiptar, në Shqipëri dhe të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët. Në fund të koncertit Kryetari i Parlamentit kroat, shoqëruar nga ambasadori dhe kryetari i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të Zagrebit doli në skenë ku përgëzoi artistët dhe i uroi për 100 vjetorin dhe për performancën e shkëlqyer gjatë koncertit. Koncerti u shoqërua më një pritje në kuadrin e 100 vjetorit.

I njëjti koncert, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë,  u organizua për publikun e Istrias, në Poreć, më datë 10 tetor. Ndërsa më datë 9 tetor në Poreć u zhvillua simpozimi shkencor në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ku të pranishëm dhe kontribuan ishin ish Presidenti i kroacisë Stjepan Mesić, ish Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi, profesori Aleksandër Stipčević (Ilirolog i njohur-arbëresh i Zarës) profesorë nga Shqipëria dhe autoritete nga trojet jashtë Shqipërisë.

 
Posta Elektronike