RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Ekspozitë në Bukuresht me kostume popullore kombëtare dhe Java e filmit shqiptar Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Hene, 15 Tetor 2012

Në kuadrin e aktiviteteve të parashikuara me rastin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me datë 11 tetor 2012, në Muzeun Kombëtar të Fshatarit Rumun, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Rumani, në bashkëspunim me Ministrinë e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore të Rumanisë, Kuvendin e Shqipërisë dhe Fondacionin”Tradita Shqiptare” hapi ekspozitën me kostume popullore kombëtare, të cilat u përkasin trevave të ndryshme shqiptare.

Në këtë aktivitet morën pjesë Sekretari i shtetit i Ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, Sergiu Nistor, përfaqësues të institucioneve të tjera rumune, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Bukuresht, gazetarë të mediave elektronike e të shkruara, studius, artistë, miq dhe dashamirës të Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të komunitetit shqiptar, studentë që studiojnë në Rumani etj.

Zv.Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Fshatarit Rumun, Dr. Georgeta Roşu, e vlerësoi ekspozitën si një moment të rëndësishëm për njohjen e kulturës shqiptare, duke evidentuar larmishmërinë e kostumeve dhe shijen e hollë estetike të popullit shqiptar në shekuj, veçanërisht elementet e perbashkët me kostumet popullore rumune dhe me popuj të tjerë ballkanikë. Ekspozita,- tha zv/drejtoresha, -do të vlerësohet nga  të gjithë studiuesit e folklorit dhe të gjithë dashamirësit e kulturës popullore. Znj. Roşu hodhi idenë për shkëmbime të mëtejshme kulturore, për njohje më të thelluar të kulturës shqiptare përmes çeljes së ekspozitave të kësaj natyre dhe veprimtari të tjera, si dhe për gatishmërinë për të rezervuar një vend edhe për traditën shqiptare në këtë muze.

Ambasadori i Shqipërisë, Sami Shiba, në fjalën përshëndetëse, falenderoi Ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturorë dhe Drejtorin e Muzeut të Fshatarit Rumun për mbështetjen në hapjen e ekspozitës së Kostumeve popullore kombëtare, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, duke e vlerësuar si një kontribut për afrimin e dy kulturave tona, për krijimin e urave të miqësisë midis dy popujve tanë, për mbajtjen gjallë të dialogut kulturor që i ka rrënjët që nga koha e Rilindjes sonë Kombëtare. Ambasadori Shiba theksoi se ekspozita e kostumeve popullore kombëtare, me kombinimin e formave dhe larminë e ngjyrave është dëshmi e traditës, kulturës, historisë, etnicitetit dhe identitetit shqiptar, gjë që dëshmon se shqiptarët kanë trashëguar nga e kaluara veshje popullore të trevave të ndryshme, të mrekullueshme, që e bëjnë shumë të veçantë kulturën dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Sekretari i shtetit i Ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, Sergiu Nistor, pasi përcolli përshëndetjet e posaçme të Ministrit të Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore të Rumanisë, zotit Puiu Hashoti, theksoi lidhjet e thella kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë, si dy popuj miq, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunime të tjera në fushën e kulturës për të realizuar një njohje më të mirë të të dy popujve tanë, të kulturës së tyre materiale dhe shpirtërore.

Nga ana e saj, stilistja Edlira Sula tha se koleksioni i paraqitur në ekspozitën është fryt i një pune shumëvjeçare dhe i një tradite familjare të trashëguar brez pas brezi, duke shtuar se çdo gjë që do të thoja, nuk do të arrija ta thoja më mirë se nëpërmjet kësaj ekspozite.

Aktiviteti u shoqërua me një koktej për nder të pjesëmarrësve.

Përfaqësues të ndryshëm, studiues dhe gazetarë shprehën vlerësime pozitive për rëndësinë e aktivitetit, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Aktiviteti do të pasqyrohet nga televizionet rumune që ishin të pranishme.

Shtojmë se  në periudhën 16-21 tetor 2012, në kinema “Euforia”në Bukuresht, do të jetë java e filmit shqiptar, ndërsa më 18 tetor 2012 do të zhvillohet ceremonia e vendosjes së një pllake përkujtimore në Kishën “Sf. Nicolae Dintr-o Zi”, e cila do të ndiqet nga një pritje në Grand Hotel Continental. Kisha “Sf. Nicolae Dintr-o Zi” ka qenë në shërbim të Komunitetit Ortodoks Shqiptar nga viti 1911-1945. Në këtë Kishë ka dhënë meshën në gjuhën shqipe, Fan S. Noli, personalitet i shquar i kulturës shqiptare. Ndërsa në Grand Hotel Continental, më 5 nëntor 1912, kryeministri i parë i Shqëipërisë së pavarur është takuar me përfaqësues të Komunitetin të shqiptarëve të Rumanisë.

 
Posta Elektronike