RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Përurohet vendosja e pllakës përkujtimore në kishën “Sf. Nicolale Dintr-o Zi”, Bukuresht Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Merkure, 24 Tetor 2012

Në kuadrin e aktiviteteve me rastin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me datë 18 tetor 2012, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Sh.T.Z. Sali Berisha, u zhvillua ceremonia e vendosjes së një pllake përkujtimore në Kishën “Sf. Nicolale Dintr-o Zi”, nën kujdesin e veçantë të Ambasadorit të Shqipërisë Sami Shiba dhe mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë së Bukureshtit, Prof. Dr. Sorin Oprescu.

Në këtë ceremoni, në prani të Kryeministrit të Shqipërisë, Sh.T.Z. Sali Berisha, morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, Prof. Dr. Sorin Oprescu, ish-presidentët Ion Iliescu dhe Emil Constantinescu, ambasadorë dhe përfaqësues të shumtë të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve rumune, përfshirë dhe ministra, përfaqësues të Kishës Ortodokse të Rumansië, gazetarë të mediave elektronike e të shkruara, studius, artistë, miq dhe dashamirës të Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të familjeve të vjetra, anëtare të delegacionit të Komunitetit të Shqiptarëve të Rumanisë që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, si dhe të atyre që firmosën deklaratën e pavarësisë, studentë që studiojnë në Rumani etj.

Kisha “Sf. Nicolale Dintr-o Zi”, e vendosur në qendrën e Bukureshtit, bën pjesë edhe në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi ajo ka qenë në shërbim të Komunitetit Ortodoks Shqiptar nga viti 1911-1945, si dhe ka dhënë meshën në gjuhën shqipe personaliteti i shquar i kulturës shqiptare, njëherësh një nga kryeministrat e Shqipërisë, qershor-dhjetor 1924, Fan S. Noli. Për më tepër, në këtë kishë, krahas shërbesave fetare, shqiptarët e Rumanisë kanë festuar për vite me radhë 28 nëntorin, ditën e pavarësisë së vendit të tyre.

Të pranishmit ndoqën fillimisht meshën e mbajtur me këtë rast, e më pas famulltari Vasile Ioana, në hapje të ceremonisë, pasi përshëndeti dhe falenderoi Kryeministrin e Shqipërisë për pjesëmarrjen, duke evidentuar se pas 100 vitesh përsëri një kryeministër shqiptar në kishën "Sfantul Nicolae Dintr-o Zi", theksoi se kjo ngjarje bëhet në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe të shërbesës në kishën tonë nga At Fan Noli, një shenjë e miqësisë dhe vlerësimit që rumunët kanë pasur për shqiptarët, dy popuj të cilët kanë ndihmuar njëri-tjetrin në ditë të vështira.

Në vazhdim, kori i kishës luajti pjesë dhe këngë në gjuhën shqipe dhe rumune, si dhe u lezua mesazhi i Fortlumturisë së Tij, Patriarkut të Kishës Ortodokse Rumune, Daniel, në të cilin, ndër të tjera, thuhet:  “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë është kurorëzimi i idealeve, aspiratave dhe përpjekjeve të martirëve të popullit shqiptar për shekuj me radhë... Në atë kohë kur Shqipëria fitoi pavarësinë, u vunë dhe bazat e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, shërbesat fetare u përkthyen në gjuhën shqipe po nga At Fan Noli…”.

Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, Prof. Dr. Sorin Oprescu, në fjalën e tij, ndër të tjera, theksoi: “pllaka përkujtimore që zbulojmë sot fisnikëron këtë hapësirë të shpirtit të krishterë dhe ndihem krenar që kjo gjë po ndodh në qytetin që unë administroj... Miqtë tanë shqiptarë do të festojnë së shpejti 100-vjetorin e Pavarësisë, rast me të cilin ne kujtojmë sot ngjarje dhe personalitete të së kaluarës sonë të përbashkët…”.

Kryeministri i Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, në fjalën e tij, pasi falenderoi të pranishmit në këtë ceremoni, ndër të tjera, theksoi se Bukureshti është një qytet i lidhur ngushtësisht me ngjarje, fakte dhe personazhe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe do të kujtohet nga shqiptarët si një nga qendrat më të rëndësishme të organizimit dhe përpjekjeve të tyre për krijimin e shtetit të pavarur. Kryeministri vlerësoi rolin përcaktues të komunitetit shqiptar në Rumani, në vendimin për shpalljen e pavarësisë nga Ismail Qemali. Ne kremtojmë këtë vit 100 vjetorin e pavarësisë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera. Rumania e ka mbështetur fuqishëm Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe mbështet atë në rrugën e integrimit në BE…”.(Fjala e plotë e Kryeministrit: http://www.km.gov.al/).

Aktiviteti vazhdoi me një pritje në Grand Hotel Continental, dhënë nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Sami Shiba  dhe Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, Prof. Dr. Sorin Oprescu.

Pritja u organizua në Grand Hotel Continental, për të përkujtuar nisjen e rrugëtimit të themeluesit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, e cila u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë në Vlorë. 100 vjet më parë, kryeministri i parë i Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemali, pikërisht në këtë hotel qëndroi dhe u takua me përfaqsues të Bashkësisë së Shqiptarëve të Rumanisë dhe diskutoi me ta për shpalljen e Pavarësisë, që u përmbyll me ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Pritja kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore. Përfaqësues të ndryshëm shprehën vlerësime pozitive për rëndësinë e aktivitetit. Mediat rumune elektronike dhe ato të shkruara pasqyruan gjërësisht aktivitetet.

 
Posta Elektronike