RSS

  • Increase font size
  • Default font size
100-vjetori i pavarësisë: manifestim i madh në Bernë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Hene, 19 Nentor 2012

Me datën 17 Nëntor në kryeqytetin e Zvicrës, në Bernë, u organizua një manifestim i madh për 100-vjetorin e pavarësisë. Veprimtaria u jetësua si një bashkëpunim i tri ambasadave: ambasada e Republikës së Shqipërisë, ambasada e Republikës së Kosovës dhe ambasada e Republikës së Maqedonisë. Përgatitjet për të kishin filluar qysh në shtator, sipas një programi të përbashkët të ambasadave në fjalë për 100-vjetorin.

Salla 1500-vendëshe e hotel Alegro – Kursaal, me katër yje, ishte mbushur plot me bashkatdhetarë e të ftuar: intelektualë shqiptarë të afirmuar në Zvicër, me tituj e grada shkencore, mjekë, inxhinierë, artistë, shkrimtarë, gazetarë, sportistë, biznesmenë të sukesesshëm, studentë, veprimtarë të shoqatave të ndryshme, përfaqësues të klerit mysliman dhe të krishterë, miq zviceranë  e të tjerë.

Manifestimi u hap me himnin kombëtar, kënduar nga grupi i fëmijëve të Shoqërisë Dardania të Winterturit.

Një videomesazh i kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Berisha, drejtuar  posaçërisht këtij tubimi, i paralajmëruar si “surpriza” e mbrëmjes nga moderatorja, u prit me ovacione dhe u duartrokit shumë herë gjatë përcjelljes (transmetimit). Kryeminsitri Berisha foli përmbledhtas për rrugën e Shqipërisë e të kombit shqiptar nga pavarësia deri sot, vuri në dukje arrritjet e Shqipërisë së sotme, Kosovën e pavarur dhe liritë e shqiptarëve në trevat e tjera,  vlerësoi mërgatën e Zvicrës sidomos për ndihmesën e jashtëzakonshme për çlirimin e Kosovës, përcolli mirënjohje për popullin dhe qeverinë zvicerane.

Në vijim përshëndetën ambasadorët e vendeve organizatore, përkatësisht Mehmet Elezi, Naim Malaj dhe Ramadan Nazifi.

Një tjetër videomesazh, kësaj here i kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Basha,  ftonte ndër të tjera bashkatdhetarët në Zvicër për të festuar së bashku këtë qindvjetor, duke u ofruar atyre mikpritjen tiranase dhe mbarëshqiptare.

Manifestimi vijoi me pjesën artistike, ku ndërthureshin këngë, sekuenca filmike, valle, pjesë instrumentale etj. Spektali u moderua nga aktorja me përvojë Liri Lushi. Këngëtarja e njohur Mimoza Selimi e mbajti ndezur entusiazmin duke kënduar këngë të bukura nga të gjitha trevat shqiptare, përfshi këngë arbëreshe. Ajo u shoqërua në piano nga muzikanti Gjon Guralumi, Alban Lishi me saksofon, violinisti i ri Olsi Hysaj, i cili luajti edhe solo.

Shoqëritë kulturore artistike Dardania, Vatra, Ilirët, u paraqitën me këngë dhe valle të bukura me motive atdhetare. Grupi i Ladorishtit  e pasuroi pjesën koncertore të mbrëmjes  me këngët polifonike të jugut dhe me valle toske.

Manifestimi u mbyll me këngën “Xhamadani vija-vija” kënduar në kor nga të gjithë artistët dhe 1500 pjesëmarrësit që mbushnin sallën. Edhe pas përmbylljes së veprimtarisë, që zgjati rreth dy orë e gjysmë, të pranishmit nuk donin të largoheshin nga salla, këndonin, bënin fotografi etj.

Manifestimi u vlerësua shumë për nivelin dhe mesazhet që përcolli me përmbajtjen e përshëndetjeve dhe të pjesëve artistike, me vetë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm tw tri ambasadave.  Veprimtaria u pasqyrua gjerësisht  nga media shqiptare në Zvicër, veçanërisht nga rrjeti Albinfo, nga RTV i Kosovës etj.

 
Posta Elektronike