RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Festime me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë në Athinë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Marte, 20 Nentor 2012

Dje, në datën 18 nëntor 2012, Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi dhe Shoqata “Studenti”, organizuan një aktivitet të madh festiv me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Aktiviteti u organizua në Qendrën Kulturore të Bashkisë Athinë dhe për mbarëvajtjen e tij pati interesim dhe bashkëpunim shumë të mirë nga Kryetari i Bashkisë dhe veçanërisht nga Kryetarja e Këshillit të Integrimit të Emigrantëve në këtë bashki, znj. Maria Kuveli, e cila u dërgoi edhe një mesazh përshëndetjeje organizatorëve. Në këtë aktivitet pati pjesëmarrje të gjerë nga pothuaj të gjitha shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, Unioni i Shoqatave (Korinth), shoqata “Vllazërimi”, “Lushnja”, “Korça”, “Përmeti”, shoqata e “Punëtorëve”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptarë në Greqi “Liter Art”, Shoqata e Mësuesve të gjuhës shqipe, Qendra Kulturore Porta, etj., por edhe nga një numër i madh bashkëatdhetarësh.

Aktiviteti ishte konceptuar në dy pjesë, në atë tematike dhe në atë argëtuese. Në pjesën tematike, në formën e një simpoziumi, u paraqit  (edhe në power point) një përmbledhje e historisë së Shqipërisë që në kohët e lashta e deri në ditët e sotme e përqëndruar kryesisht në përpjekjet për liri e pavarësi të kombit shqiptar. Në pjesën argëtuese, edhe ajo e natyrës tematike, pati këngë patriotikë, recitime të pjesëve të rilindësve, etj., një mini pjesë dramatike, këngë të grupeve labe e të trevave të veriut, valle popullore, etj.

Aktiviteti u hap nga Kryetarja e Federatës së Shoqatave Shqiptare, znj. Flutura Tafilaku dhe nga Kryetarja e shoqatës “Studenti”, znj. Ilsa Mane.

Në fjalën e tij Ambasadori, z. Dashnor Dervishi vlerësoi organizimin shumë të mirë të këtij aktiviteti, që spikat në tërësinë e aktiviteteve që komuniteti dhe Ambasada kanë organizuar dhe do të organizojnë në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë dhe të krijimit të shtetit modern shqiptar. Ai përshëndeti komunitetin e gjerë të shqiptarëve në Greqi, tek i cili ndjenjat, ngjyrat kombëtare dhe ato festive në këtë vit jubilar, janë shumë të spikatura. Ai falënderoi edhe Bashkinë Athinë për vënien në dispozicion të mjediseve të saj, si dhe evidentoi bashkëpunimin me shtetin grek edhe në interes të komunitetit të shtetasve shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi.

Aktiviteti u ndoq dhe u pasqyruan gjerësisht nga përfaqësues të mediave shqiptare në Greqi. Në mbyllje pati një koktejl të shoqëruar me gatime tradicionale të amvisave shqiptare.

 
Posta Elektronike