RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Pritja e 100 Vjetorit të Pavarësisë organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kroaci Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Merkure, 21 Nentor 2012

Në mesditën e datës 20 nëntor Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kroaci organizoi Pritjen e 100 Vjetorit të Pavarësisë në Pallatin Lisinski, Zagreb. Merrnin pjesë Presidenti i Republikës së Kroacisë Ivo Josipović, ish Presidenti i Kroacisë Stjepan Mesić, parlamentarë kroatë, përfaqësues të qeverisë kroate, ish ministra, përfaqësues të Bashkisë Zagreb, Zëvendës Prefekti i Zagrebit Rudolf Vujević, trupi diplomatik, drejtues e përfaqësues të shqiptarëve me banim në Kroaci. Binte në sy prania e madhe e medias.

Pas ekzekutimit të himnit shqiptar dhe kroat nga Kori i Vajzave të Shkollës Kombëtare të Artit “Jordan Misja“ Tiranë, të pranishmit i përshëndeti Ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi. Më tej kori i vajzave me uniformën e ngjyrave të flamurit kombëtar këndoi këngë patriotike shqiptare, këngë qytetare shkodrane e korçare, si dhe këngë të huaja. Koncerti mori vlerësime të jashtëzakonshme nga Presidenti kroat si njohës i mirëfilltë i muzikës, nga ambasadorët e akredituar në Republikën e Kroacisë dhe nga publiku e gazetarët e pranishëm. Në fund të koncertit Presidenti kroat i shoqëruar nga ambasadori Pëllumb Qazimi u ngjit në skenë dhe përshëndeti korin e vajzave dhe dirigjenten Ermira Alliu.

Për të pranishmit me tej u dha pritja e 100 Vjetorit të Pavarësisë, për mbi treqind pjesëmarrës. Kur Presidenti kroat u ftua të priste tortën e 100 Vjetorit vetëm sa e preku dhe në mënyrë simbolike u shpreh “Nuk mund ta prek dhe ndaj Shqipërinë“.

Të pranishmit, Presidenti Josipović, ish Presidenti Mesić, ambasadorët dhe gazetarët e vlerësuan pritjen e 100 Vjetorit si kuptimplote, të veçantë dhe siç e meriton 100 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Gazeta kryesore kroate “Večernjilist“ ka pasqyruar pritjen shoqëruar me fotografi. Ndërkohë kjo pritje shoqërohet edhe me pasqyrime në median televizive, përfshi intervista të realizuara gjatë veprimtarisë.

 
Posta Elektronike