RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Veprimtari në Sarajevë “Vlora në shekullin e Pavarësisë” Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Marte, 27 Nentor 2012

Ambasada jonë në Sarajevë organizoi në mjediset e saj, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ekspozitën e titulluar “Vlora në shekullin e Pavarësisë”, me autorë bashkëshortët vlonjatë, Piro dhe Desdemona Stefa. Përurimi i kësaj ekspozite pasoi atë të një ekspozite të mëparshme.

Fillimisht ambasadori Gashi përshëndeti të pranishmit e shumtë nga institucionet qendrore e lokale vendase, nga trupi diplomatik i akredituar në Bosnjë dhe Hercegovinë, nga bota akademike, nga komuniteti shqiptar etj. Ndër të tjera, ai theksoi se “ekspozita e çiftit Stefa vjen në Sarajevë si një dhuratë e bukur dhe e vyer nga qyteti ku më 28 Nëntor 1912 u ngrit Flamuri ynë Kombëtar, nga Vlora, kryeqyteti i Qeverisë së parë të Shqipërisë së lirë. Ajo është një ekspozitë mjaft interesante dhe me një mesazh të spikatur: t’i ruajmë  e konservojmë me kujdesin më të madh  objektet që kanë mbetur nga Vlora e vjetër dhe të ndërtojmë Vlorën e re për të mbetur gjithmonë qytet i  historisë, i kulturës dhe i përparimit”.

Më pas ai i dha fjalën Prof. Dr. Ismet Dizdareviç. Pasi vlerësoi maksimalisht ekspozitën, z. Dizdareviç nënvizoi se “veprimtari të tilla, të organizuara me shumë sukses nga ambasada e Shqipërisë, luajnë një rol të qenësishëm, i bashkojnë më shumë popujt, i bëjnë më të ndjeshëm për njeri tjetrin.”

Në ceremoninë e përurimit të ekaspozitës e mori fjalën edhe autori Piro Stefa, arkitekt dhe koleksionist i njohur. Ai falenderoi ambasadën për dashamirësinë dhe kurimin e mrekullueshëm që i bëri ekspozitës si dhe të pranishmit për interesimin e treguar, duke vënë në dukje se “kjo ekspozitë me 400 harta e gravura të vjetra, me kartëpostare e foto të realizuara ndër vite nga njerëz të talentuar, profesionistë të vërtetë, e ndonjëherë edhe anonimë, përcjellë të plotë identitetin e Vlorës, këtij qyteti bregdetar zulmmadh, me ngjarje dhe me rol tejet të shquar në histori. Në to janë fiksuar, në një hark kohor pak më shumë se njëshekullor, peizazhi unik, i papërsëritshëm i Gjirit të Vlorës, urbanistika e qytetit, struktura urbane të tij, duke filluar nga ajo mesjetare, te Sheshi i Flamurit, si një qendër sociale e arkitektonike me vlera të veçanta, te objekte të tilla si Xhamia e Muradies, Shtëpia Historike e Vlorajve, Monumenti i Pavarësisë, Muri Antik, Obelisku i  Flamurit, Varri Monumental i Ismail Qemalit, Monumenti i Avni Rustemit, Kulla e Sahatit, Muzeu, Rruga Tregtare e Hebrenjve, Varrezat e Dëshmorëve, Banka Kombëtare etj. Po kështu me vlera të papërsëritshme janë edhe fotot që evokojnë jetën sociale, njerëzit dhe kostumet nga e gjithë zona, nga qyteti e periferia”.

Një vlerë e shtuar e ekspozitës ishte edhe dokumentari filmik, njëzetë minutësh, që e shoqëroi atë, vepër krijuese e mirëfilltë e zonjës Desdemona Stefa. Dokumentari tregon realitetin e sotëm të Vlorës, duke sjellë në vëmendjen e shikuesve të gjitha objektet e fiksuara në kartëpostret dhe fotot e vjetra.

Ekspozita  u mirëprit dhe u vlerësua shumë nga të pranishmit, duke e konsideruar atë si një dritare për të njohur nga afër ndihmesën në histori të Vlorës dhe njerëzve të saj.

 
Posta Elektronike