RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Festime në Korinth me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Hene, 03 Dhjetor 2012

Në datën 24 nëntor 2012, Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë e Korinthit organizoi një aktivitet të madh festiv me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Aktiviteti u organizua në sallën e Teatrit të Bashkisë së qytetit dhe për mbarëvajtjen e tij pati një bashkëpunim shumë të mirë me autoritetet vendore. Nga këto autoritete në aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Korinthit, z. Aleksandros Pnevmatikos dhe Zvëvendëskryetari i Qarkut, z. Apostolos Papafotiu, të cilët  përshëndetën dhe uruan emigrantët shqiptarë të pranishëm në këto festime.

Në aktivitet pati pjesëmarrje të gjerë nga shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, si shoqata “Vllazërimi”, “Korça”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptarë në Greqi “Liter Art”, shoqata “Studenti”, Federata e  Shoqatave Shqiptare, etj., si dhe një numër i madh bashkëatdhetarësh. I pranishëm ishte edhe Ambasadori i RSH në Greqi, z. Dashnor Dervishi.

Aktiviteti u çel nga Kryetari i Shoqatës së Emigrantëve të Korinthit, z. Irfan Abazi, i cili uroi mirëseardhjen në këtë mbrëmje festive, me ngjyra atdhetare e patriotike, jo vetëm për bashkatdhetarët e zonës së Korinthit, por edhe të gjithë Greqisë.

Me një fjalë përshëndetëse iu drejtua të pranishmëve edhe Ambasadori Dervishi.

Për kontributin e tyre në komunitetin shqiptar të Korinthit u nderuan biznesmeni grek Nikos Maras dhe biznesmeni shqiptar Jovan Prifti, për ndihmën e veçantë në të gjitha veprimtaritë e këtij komuniteti.

Më pas aktiviteti vazhdoi me një koncerti të madh festiv, me këngë e valle nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe një pjesë teatrale me motive nga filmi “Nëntori i Dytë”, interpretuar nga studentët shqiptarë në Greqi.

I pranishëm ka qenë edhe regjisori e aktori i mirënjohur, Dhimitër Orgocka. Këngët e vallet nga grupi korçar “Iliria”, shoqata “Studenti”, grupi polifonik lab ‘Vllazërimi’ sollën në skenë edhe të pranishmit, në një festë  të madhe. Larmia e kostumeve popullore dhe këngët e vallet nga trevat e ndryshme të Shqipërisë përcollën tek të gjithë jehonën e festës duke e sjellë më pranë atdheun.

Aktiviteti u ndoq dhe u pasqyruan gjerësisht nga përfaqësues të mediave shqiptare në Greqi.

 
Posta Elektronike