RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Manifestim madhështor i shqiptarëve në Danimarkë për 100-vjetorin e Pavarësisë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Marte, 04 Dhjetor 2012

Nën kujdesin e Ambasadës së Shqipërisë, shoqatat dhe subjektet e  tjera shqiptare në Danimarkë organizuan në Kopenhagen më 24 nëntor një manifestim madhështor festiv me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

Festa e shqiptarëve të Danimarkës ishte konceptuar në formën e një koncerti të madh ku ishin ftuar artistë shqiptarë të të gjitha brezave, të cilët shfaqën talentin e tyre përpara publikut shqiptar dhe danez, duke manifestuar vlerat e mirëfillta të komunitetit shqiptar që jeton në këtë pjesë të Skandinavisë. Artistë të brezit më të ri të diasporës shqiptare në Skandinavi, por edhe ata që i përkisnin një brezi më të hershëm të emigracionit, performuan krahas të ftuarve të veçantë të mbrëmjes, artistët e mirënjohur, Bujar Qamili, Violetë Kukaj dhe Nikollë Nikprela, duke shtuar entuziazmin e të pranishmëve të shumtë në sallë. Pjesëmarrja shumë e gjerë e publikut shqiptar, por edhe e miqve danezë, bënë që ky manifestim të shënohet si organizimi më i madh deri më sot i shqiptarëve të Danimarkës.

Mbrëmja festive e 24 nëntorit kurorëzoi një seri aktivitetesh të organizuara përgjatë gjithë vitit nga Ambasada dhe shoqatat e subjektet shqiptare në Kopenhagen, të ftuara për bashkëpunim nga që në fillim të vitit jubilar nga Ambasadori Arben Cici. Duke qenë një veprimtari e ideuar dhe nën kujdesin e Ambasadës,  të pranishmëve të shumtë në këtë tubim madhështor përshëndetja kryesore iu rezervua Ambasadorit Cici. (bashkëlidhur fjala). Tubimin e përshëndetën gjithashtu Ambasadori i Maqedonisë, Asaf Ademi, këshilltari i Ministrit të Kosovës për Diasporën, z. Xhevat Isufi, si dhe shkrimtari i mirënjohur kosovar, Agim Vinca. Si vlerësim për kontributin e dhënë në veprimtaritë përkujtuese të 100-vjetorit, Ambasadori Cici shpërndau mirënjohje për artistët e rinj shqiptarë, Xhimilian Ismaili, një këngëtar i ri i talentuar dhe shumë i sukseshëm tek publiku i ri danez, si dhe për të tjerë të rinj të talentuar shqiptarë.

 
Posta Elektronike