RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Koncert dhe pritje me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë në teatrin e Operas dhe Baletit në Hagë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Merkure, 05 Dhjetor 2012

Ambasada në bashkëpunim me artistë të mirënjohur në Holandë organizuan me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë një koncert klasik dhe pritje për trupin diplomatik, përfaqësues organizmave ndërkombëtare dhe të autoriteteve holandeze, përfaqësues të tjerë dhe bashkëatdhetarë. Koncerti i mbajt në teatrin e operas dhe baletit të Hagës, Dr Anthon Philipzaal, që është teatri kryesor i qytetit dhe një nga më të rëndësishmit në Holandë.

Artistët, znj. Adelina Hasani në violinë, znj. Mirsa Adami në piano, z. Artur Trajko në violonçel, performuan me nivel të kalibrit ndërkombëtar pjesë klasike nga autorë shqiptarë; Çesk Zadeja, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi e Tonin Harapi. Origjinaliteti dhe niveli i lartë i kompozitorëve shqiptarë ishte suprizë e veçantë për të pranishmit e huaj. Po aq ishte dhe niveli i lartë i artistëve tanë. Në program ishin dhe pjesë të autorëve të huaj, që ekzekutuan po aq denjësisht.  

Një kombinim i gjetur ishte loja e dy numrave të baletit të krijuar e përpunuar veçmas për koncertin në bashkëpunim të z. Altin Kaftira, ish balerin i parë i trupës së baletit të Amsterdamit dhe studentja Alina Fejzo, që po kryen studimet në akademinë e lartë të Roterdamit.

Z. Kaftira, mbajtës i titullit të lartë Ambasador i Kombit dhënë nga presidenti në vitin 2002, prezantoi mjeshtërisht programin.

Audienca ishte numeroze. Morën pjesë mbi 40 ambasadorë, vetë presidenti i GJNP, disa gjyqtarë ndërkombëtarë, drejtorë kryesorë të ministrisë së jashtme, personalitete të fushave të ndryshme dhe bashkëatdhetarë. Atmosfera në të cilën u mbajt aktiviteti ishte mjaft e gëzueshme dhe përcolli emocione të veçanta.

Për organizimin e koncertit Ambasada ka bërë një punë të jashtëzakonshme e të lavdërueshme, që ka startuar që në fillim të këtij viti. Përpjekje janë bërë në gjetjen e sponsorëve, pa të cilët koncerti dhe pritja nuk do të ishin të mundshme, angazhimin e artistëve e bashkërendimin e punës.

 
Posta Elektronike