RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Ministri i Jashtëm, Panariti merr pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Aspen dhe MPJ Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Enjte, 06 Shtator 2012

Sot në Hotel Adriatik, në Durrës filloi punimet konferenca treditore me temë “Roli i ardhshëm i NATO-s dhe BE-së në Europën Juglindore / Zgjerimi i BE-së dhe sfidat transatlantike” organizuar nga Instituti Aspen dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Konferencën e përshëndeti Ministri i Jashtëm, z. Edmond Panariti.Më poshtë teksti i fjalës së hapjes së mbajtur nga z. Panariti.

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Është një nder i veçantë për mua t'ju uroj mirëseardhjen në vendin tim dhe të drejtoj këtë konferencë të organizuar nga Instituti ASPEN dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Shfrytëzoj rastin për të falënderuar të gjithë pjesëmarrësit që ndodhen këtu në qytetin bregdetar të Durrësit për të diskutuar mbi çështjen mjaft aktuale në lidhje me "Rolet e ardhshme të NATO-s dhe BE-së në Evropën Juglindore, zgjerimi i BE-së dhe sfidat transatlantike".

Ne jemi të vetëdijshëm për rolin e BE-së dhe NATO-s në formimin e së ardhmes së kësaj pjese të Evropës. Shqipëria është shumë mirënjohëse për atë çka është arritur dhe është mjaft e përkushtuar dhe e gatshme për të vazhduar më tej drejt objektivit kryesor të saj: integrimin e plotë në BE dhe atë Euro-Atlantik. Ne gjithashtu dëshirojmë të njëjtën gjë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ky rajon të shndërrohet në një model paqeje dhe bashkëjetese mes njerëzve.

NATO, që nga fillimi i tij ka luajtur një rol vendimtar duke ndihmuar në krijimin e një Evrope plot paqe dhe begati. Një rol i tillë dhe gjithashtu aftësitë unike të Aleancës janë pasqyruar më së miri gjatë dy dekadave të fundit në rajonin tonë, ku Aleanca ishte një nga garantuesit më të rëndësishëm të sigurisë së Ballkanit, siç është treguar nga Bosnja në Kosovë. Që atëherë, NATO ka qenë vendimtare në qasjen e këtij rajoni drejt një të ardhmeje të sigurt.

Gjatë këtyre viteve, ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë që përfshirja e NATO-s është një histori suksesi në Ballkan, duke rikonfirmuar vizionin që perspektiva e integrimit euro-atlantik është garancia më e mirë për paqen, përparimin dhe begatinë.

Në sajë të reformave të përgjithshme pozitive të transformimit në të gjitha fushat, rajoni ynë është duke u afruar më pranë BE-së dhe integrimit Euro-Atlantik. Tregues të rëndësishëm të progresit të arritur në rajonin tonë janë anëtarësimi i plotë i vendit tim dhe Kroacisë në NATO, anëtarësimi i plotë i Kroacisë në BE së shpejti, si dhe progresi institucional i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor drejt NATO-s dhe BE-së, të cilat dëshmojnë se rajoni ynë po lëviz në drejtimin e duhur.

Samiti i fundit në Çikago rikonfirmoi rëndësinë strategjike të rajonit tonë në Aleancë, ku së bashku, aleatët dhe partnerët në mënyrë aktive kontribuojnë në ruajtjen e paqes rajonale dhe ndërkombëtare. Vendi im ka mbështetur plotësisht " politikën e dyerve të hapura'' të Aleancës dhe ne mbetemi tejet të angazhuar për të ndihmuar vendet e tjera të rajonit në rrugën e tyre drejt integrimit Euro-Atlantik.

Në këtë kuadër, Karta e Adriatikut (A5), në ditët e sotme përfaqëson një histori suksesi rajonal dhe një shembull konkret sesi vendet tona kanë transformuar rajonin në një imazh të sigurisë nëpërmjet bashkëpunimit aktiv, përpjekjeve dhe sakrificave, me qëllim që së bashku të zbatojmë një të ardhme Euro-Atlantike të përbashkët. Përgjatë viteve, Karta e Adriatikut ka dëshmuar të jetë një forum fleksibël, duke iu përshtatur vazhdimisht nevojave për zhvillim, duke kontribuar ndjeshëm në nisma dhe veprimtari të përbashkëta. Ajo ka ndihmuar edhe për të nxitur më tej trendin pozitiv të rajonit tonë.

Siç tashmë e dini, Shqipëria ka ofruar një  mbështetje të vazhdueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në kuadrin e Kartës së Adriatikut, aktualisht i kryesuar nga Kroacia, por gjithashtu brenda Aleancës. Ne besojmë fuqimisht në perspektivën e anëtarësimit ose partneritetit me Aleancën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. Një masë e rëndësishme e progresit është fakti se këta partnerë që ishin më parë ''konsumatorë të sigurisë” tanimë po kontribuojnë vetë në sigurinë ndërkombëtare, duke mbështetur operacionet paqeruajtëse jashtë vendit.

Më lejoni të vijoj më tej me rolin e BE-së dhe ndikimin në përparimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal. Falë mbështetjes së Bashkimit Evropian, ne mund të vërejmë dhe të përjetojmë transformimin e rajonit nga pjesa më e trazuar të Evropës në një grup vendesh në dyert e BE-së. Ne tashmë kemi demokraci më të konsoliduar, prosperitet dhe stabilitet më të madh dhe jemi duke avancuar me zbatimin e reformave, të cilat do të na afrojnë drejt familjes së BE-së.

Për më tepër, perspektiva e BE-së ka dëshmuar të jetë e dobishme në inkurajimin e frymës së bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira të fqinjësisë. Ne konstatojmë me kënaqësi se sot Ballkani Perëndimor po përjeton një kohë të përpjekjeve të mëdha të popujve të tij për bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin, si në dimensionin rajonal dhe në atë evropian.

Megjithatë, pavarësisht arritjeve të përgjithshme të rajonit, mbeten ende disa sfida, si: forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimi i bashkëpunimit rajonal mbi bazën e parimit të gjithëpërfshirjes, si dhe mbështetja e proceseve integruese, në NATO dhe BE.

Kjo është arsyeja pse besueshmëria e këtij procesi mbetet një element thelbësor për të mbajtur vrullin pozitiv të reformave në rajon, sepse vetëm atëherë kur i tërë rajoni do të integrohet plotësisht në BE, ne do të jemi në gjendje të shohim një të ardhme paqësore, demokratike dhe të begatë. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme edhe në kuadrin e krizës aktuale të eurozonës dhe implikimet e saj të mundshme në politikën e zgjerimit. Ne besojmë fuqimisht se perspektiva e BE-së është mënyra më e mirë për të mbështetur transformimin demokratik të rajonit dhe për ta ankoruar atë fort në Evropë.

Pavarësisht se vendet tona janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit evropian, sfidat me të cilat ne përballemi janë të ngjashme, kryesisht për shkak të trashëgimisë së të kaluarës. Forcimi i shtetit të së drejtës, ndërtimi i shtetit dhe qeverisja e përmirësuar janë sfida të përbashkëta për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, ne besojmë se është e rëndësishme të ndajmë përvojat mbi procesin e pranimit në BE në lidhje me zbatimin e reformave të nevojshme në këtë fushë dhe plotësimin e kuadrit ligjor. Kjo ngjarje ofron një mundësi shumë të mirë për të inkurajuar bashkëpunimin në këtë drejtim.

Shqipëria e konsideron pranimin në BE si një interes kombëtar madhor. Procesi i integrimit evropian mbështetet nga shumica e shqiptarëve, të cilët e shohin Bashkimin Evropian si një model të demokracisë, që ndihmon transformimin e rajonit dhe çon drejt begatisë ekonomike dhe stabilitetit politik. Kjo është arsyeja pse ky Bashkim gëzon një besueshmëri të madhe mes popujve të rajonit dhe duhet të mbetet forca lëvizëse për shoqëritë tona në të ardhmen e afërt. Aktualisht, Shqipëria po përparon drejt përmbushjes së të gjitha standardeve të përcaktuara në vlerësimin e Komisionit për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe ne shpresojmë që të marrim lajmin e mirë këtë vjeshtë.

Shqipëria gjithashtu mbështet të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit evropian. Avancimi i Kosovës në rrugën drejt BE-së është një zhvillim i rëndësishëm. Vendimi i fundit i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës është një zhvillim shumë i mirëpritur dhe një provë e aftësisë së vendit për të vazhduar rrugën e saj demokratike më vete. Ne përkrahim fuqishëm premtimin e kryeministrit Thaçi se qeveria e tij do të finalizojë një projekt gjithëpërfshirës për integrimin e serbëve, si qytetarë të Kosovës. Nisja e dialogut për liberalizimin e vizave dhe studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, janë konfirmimet e këtyre arritjeve pozitive drejt ndërtimit të një institucioni demokratik plotësisht funksional dhe shtetit të së drejtës në këtë vend. Gjithashtu, roli i BE-së me anë të Misionit të shtetit të së drejtës të Bashkimit Evropian - EULEX-it në këtë proces ka qenë mbresëlënës.

Në përfundim, i uroj suksese kësaj konference, diskutimeve të lira dhe të frytshme ndërmjet pjesëmarrësve mbi çështjet e sigurisë rajonale, integrimit evropian të rajonit dhe si edhe sfidave trans-atlantike. Gjithashtu, uroj që të gjithë pjesëmarrësit, zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vendet tona partnere të kenë një qëndrim të këndshëm këto ditë në Shqipëri. Mesa di unë, agjenda e konferencës është e mbushur me aktivitete, duke përfshirë vizitat turistike në kryeqytetin e Tiranës, qytetin e vjetër të Beratit si dhe qytetin bregdetar të Vlorës. Me këtë rast, dua të theksoj se shteti shqiptar mbetet një faktor i paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe kontribuon vazhdimisht për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.

Faleminderit për vëmendjen tuaj.

 
Posta Elektronike