RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Fjala e Ministrit Panariti me rastin e 25 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Hene, 01 Tetor 2012

Më datë 1 tetor, ora 12.00, Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane në Tiranë zhvilloi një veprimtari me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve  në mjediset e kësaj Ministrie.Më poshtë, fjala e plotë e z. Panariti.

Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua sot t’ju adresoj këtë përshëndetje me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Ky event, natyrisht, që merr një ngjyrim edhe më të veçantë, duke qenë se përkon me një vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, me atë të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

Në mjediset e MPJ sot ju do të keni mundësi të shihni kopje të marrëveshjes së  2 tetorit 1987, e cila është një gur themeli mbi të cilën u zhvilluan marrëdhëniet gjatë këtij çerek shekulli. Kjo marrëveshje, e cila u realizua pas negociatave dhe bisedimeve, ishte ajo që do t’i hapte rrugë një bashkëpunimi të pandalshëm dhe të gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Krahas shumë personaliteteve që dhanë një kontribut të çmuar për arritjen e kësaj marrëveshjeje, kam nderin të përmend këtu dy nga miqtë më të shquar të Shqipërisë, ish-Ministrin e Jashtëm gjerman, z. Hans Dietrich Genscher dhe ish-Kryeministrin e Landit të Bavarisë, z. Franz Josef Straus.

Me dëshirën dhe vullnetin e tyre, këta dy politikanë ia dolën të fitojnë besimin e klasës politike shqiptare dhe sigurisht të mbarë popullit shqiptar, që vinte nga një izolim 50-vjeçar.

Gjithsesi nuk ishte vetëm dokumenti i nënshkruar elementi që përcjell këtë realitet të sotëm dhe për këtë më lejoni të sjell këtu një detaj nga vizita e parë e z. Gensher, në Tiranë, më 23 tetor 1987. Duke iu referuar ndihmës që Gjermania mund t’i ofronte Shqipërisë, zoti Gensher deklaroi se: “Ne gjermanët atë që e bëjmë e bëjmë me themel dhe e mbajmë fjalën e dhënë”.

Gjithashtu, në kuadrin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e tregtisë, kulturës dhe shkencës, Gensher premtoi vendosjen e linjës ajrore të kompanisë gjermane Lufthansa, akordimin e bursave për studentët shqiptarë, mundësinë e shkëmbimit të pedagogëve.

Dhe natyrisht sot jemi dëshmitarë të realizimit të premtimeve  të mësipërme  të cilat vijuan me  zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në shumë fusha me interes.  

Plotësimin i kuadrit ligjor me nënshkrimin e 124 marrëveshjeve, thellimi i dialogut politik, prezenca e madhe të kompanive gjermane në vendin tonë, numri gjithnjë e më i madh i studentëve Shqiptare në Gjermani etj., janë realitete të këtij bashkëpunimi.

Që prej vitit 1988, Gjermania është donatori më i madh i Shqipërisë, duke vënë në dispozicion më shumë se 1 miliardë euro në formë kredish dhe grantesh për realizimin e projekteve për zhvillim.

Unë javën e shkuar pata kënaqësinë të bisedoj edhe me homologun ministrin Westerwelle, së bashku ne ndamë mendimin se bashkëpunimi ynë është i shkëlqyer në të gjithë dimensionet.

Pra, tani, pas një cerek shekulli rivendosje marrëdhëniesh ne gjejmë tek Gjermania një vend mik të qëndrueshëm, të besueshëm dhe serioz.

Gjatë këtyre viteve, dy vendet tona kanë krijuar marrëdhënie mjaft të ngushta, rezultati i të cilave është bashkëpunimi i shkëlqyer dhe shumëdimensional, si dhe    afrimi më i madh mes dy popujve tanë miq.   

Tani ne jemi partnerë në NATO, duke kontribuar së bashku me aleatët e tjerë, në vendosjen dhe ruajtjen e paqes anekënd botës. Krahas kësaj, Gjermania ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fuqishme e aspiratës sonë për integrim evropian, e progresit tonë drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane, e që aktualisht ndodhemi fare afër marrjes së statusit kandidat për në BE.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Me rastin e kësaj ceremonie solemne dëshiroj të çmoj lart kontributin e veçantë të Gjermanisë në stabilitetin, paqen dhe ringritjen ekonomike të vendeve të rajonit tonë. Ne shprehim mirënjohjen e thellë për rolin shumë pozitiv dhe konstruktiv të Gjermanisë gjatë konfliktit në Kosovë, duke mbështetur fuqimisht aspiratat e këtij vendi për liri dhe pavarësinë e tij, duke i shërbyer në këtë mënyrë stabilitetit në mbarë rajonin tonë.

Dëshiroj të konfirmoj vullnetin tonë të plotë për t’i forcuar dhe thelluar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke i konsideruar marrëdhëniet me Gjermaninë si një ndër prioritetet e rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare.

 
Posta Elektronike