RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Ministri Panariti gjatë fjalës në Sesionin e AP të OSBE Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Shtune, 06 Tetor 2012

Sot më datë 6 tetor 2012, Ministri i Punëve të Jashtme z, Edmond Panariti, mori pjesë dhe mbajti një fjalë për shëndetëse në Sesionin e Vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE që u mbajt në Tiranë.

Më poshtë, fjala e plotë e z. Panariti.

Kam kënaqësinë e dyfishtë që ndodhem sot këtu, në këtë Forum të rëndësishëm, i cili për herë të parë në Shqipëri mbledh së bashku parlamentarë të 56 vendeve pjesëmarrëse të organizatës. Së pari, si Ministër i Punëve të Jashtme më lejoni të shpreh mirënjohjen për rolin e rëndësishëm që OSBE ka ofruar në promovimin e vlerave themelore të paqes dhe të stabilitetit në Evropë. Së dyti, si kryetar i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më jepet mundësia të paraqes punën e kryer nga Shqipëria, në implementimin e prioriteteve të kryesisë.

Janë pikërisht këto dy organizata, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës, të cilat ndonëse me profile dhe objektiva të mirëpërcaktuara, kanë si qëllim të përbashkët ndërtimin e urave lidhëse mes shteteve, parandalimin e konflikteve, promovimin e të drejtave të njeriut, në respekt të plotë të tolerancës dhe diversitetit.

Si President i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës shpreh bindjen se sfida jonë sot mbetet konsolidimi i koalicioneve të aktorëve që mendojnë në të njëjtën mënyrë, si dhe krijimi i lidhjeve më të ngushta me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke pasur parasysh numrin e çështjeve politike, ekonomike dhe humanitare para të cilave ndodhemi. Ja përse pjesë e prioriteteve të kryesisë shqiptare është dhe forcimi i dialogut ndërinstitucional me partnerët tanë ndërkombëtarë si OSBE, OKB, BE-së etj.

Gjatë këtyre muajve të fundit kam patur mundësinë të raportoj mbi punën e kryesisë sonë, jo vetëm në takimet e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, por edhe në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së. Në takimin e fundit të zhvilluar në Vjenë, në qershor të këtij viti, u evidentuan katër fusha kryesore të bashkëpunimit dhe rritjes së sinergjive mes dy organizatave.

Së pari, realizimi i një Komuniteti Sigurie Euro-Atlantike, bazuar në vlerat universale të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Veprimtaritë e dy organizatave në këtë drejtim synojnë të parandalojnë kërcënimet nga fenomene të rrezikshme si korrupsioni apo rritja e aktiviteteve kriminale. Një element i rëndësishëm në këtë drejtim, ku Shqipëria mund dhe duhet të ofrojë shembullin e saj është roli konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Shqipëria ka qenë kurdoherë e angazhuar për një integrim më të madh ndërmjet vendeve të rajonit, me qëllim avancimin e tyre drejt integrimit evropian.

Në veçanti, inkurajojmë dialogun Prishtinë – Beograd, si dhe një implikim më të madh të KiE-së dhe OSBE-së në Kosovë, me qëllim forcimin e kontakteve direkte midis autoriteteve kosovare dhe stafit të dy organizatave, në të gjitha nivelet, për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

Së dyti, forcimi i bashkëpunimit me vendet e Afrikës Veriore dhe Mesdheut është një tjetër fushë e përbashkët për forcimin e sinergjive mes dy organizatve. Shqipëria mbështet rritjen e bashkëpunimit me partnerët kyç për ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe demokratike në rajonet fqinje të Evropës. Në këtë frymë, në cilësinë e Presidentit të Komitetit të Ministrave, kam përshëndetur zhvillimin e zgjedhjeve të para të lira e pluraliste në Libi, kam theksuar nevojën e një konsensusi ndërkombëtar për qeverinë e tranzicionit në Siri, si një mesazh i qartë për mbështetjen tonë ndaj popullit sirian dhe së fundmi kam dënuar fuqimisht bombardimet e disa ditëve më parë ndaj fshatrave turke në Akcakale nga forcat siriane. Përfitoj dhe një herë nga rasti t'i bëj thirrje autoriteteve siriane që të ndalojnë menjëherë dhunën, për të ndaluar çdo përpjekje për përhapjen e konfliktit përgjatë kufirit dhe ti binden detyrimeve që ata kanë ndaj ligjit ndërkombëtar.

Së treti, ne mbështesim nevojën për rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit mes OSBE –së dhe KiE-së për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, me qëllim evitimin e mbivendosjeve. Besojmë se bashkëpunimi në partneritet është thelbësor në sigurimin e paqes dhe stabilitetit.

Bazuar në praktikën e organizatës presidenca shqiptare ka ndërmarrë inisiativën për një “tour de table” me qëllim promovimin e nënshkrimit dhe ratifikimit të tre konventave mjaft sensitive të KiE-së, konkretisht:

•    Konventën mbi masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore;

•  Konventën mbi mbrojtjen e fëmijëve kundër shfrytëzimit dhe abuzimit seksual;

•  Konventën për parandalimin dhe luftën ndaj dhunës kundër grave dhe dhunës në familje.

Shqipëria ka dhënë shembullin e saj pozitiv si nënshkruese e këtyre tre Konventave, por dhe po sensibilizon shtetet palë të organizatës për nënshkrimin dhe ratifikimin e shpejtë të tyre.

Së katërti, promovimi i dialogut, tolerancës dhe mosdiskriminimit përbëjnë një tjetër fushë ku bashkëveprimi mes dy organizatave ka rezultuar efikas. Në thelb të prioriteteve të Kryesisë sonë kanë qenë roli i edukimit, rinisë dhe dialogut ndërkulturor në promovimin e mirëkuptimit të ndërsjelltë, tolerancës dhe integrimin më të mirë në shoqëri. Në këtë frymë, Presidenca shqiptare do të organizojmë një Konferencë të nivelit të lartë, në Tiranë, në datat 8 – 9 nëntor 2012, me temë: “Diversiteti në Evropë: një forcë për të ardhmen”. Shpreh bindjen se deklarata finale e kësaj Konference do të përbëjë një element të qënësishëm dhe për “Konferencën e nivelit të lartë për tolerancën dhe mos-diskriminimin”, në kuadër të OSBE-së, Konferencë të cilën kemi shprehur dëshirën dhe vullnetin për ta organizuar në Shqipëri gjatë vitit të ardhshëm.

Të nderuar pjesëmarrës,

Të katër fushat e sipërpërmendura të bashkëpunimit mes OSBE-së dhe Këshillit të Evropës përbëjnë një bazë solide në kuadër të forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në hapësirën euro - atlantike, tematikë e këtij Sesioni parlamentar.

Më lejoni të përfundoj duke ju siguruar se eksperienca e pasur e Shqipërisë gjatë kryesimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, do të na shërbejë për një kontribut gjithnjë e më aktiv dhe në OSBE, me qëllim realizimin e objektivave të përbashkëta.   

Ju falenderoj për vëmendjen.

 
Posta Elektronike