RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Fjala e Ministrit Panariti në hapje të Konferencës “Diversiteti në Evropë: një forcë për të ardhmen” Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Premte, 09 Nentor 2012

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në cilësinë e Presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, t’Ju drejtohem në këtë aktivitet përmbyllës të kryesisë shqiptare. Jemi sot këtu të diskutojmë mbi diversitetin në Evrope, një realitet sa i prekshëm e i përditshëm, aq edhe i ndjeshëm dhe kompleks për të gjithë ne. Diversiteti, një realitet ndarës në shfaqjen e vet historike, mbetet në ditët e sotme një vlerë e çmuar e shoqërive tona, dhe forcë galvanizuese e bashkuese për të ardhmen tonë të përbashkët.

“Të bashkuar në diversitet” u bë moto dhe kryefjalë e presidencës shqiptare, për të promovuar dialogun ndërkulturor, edukimin e brezave të rinj me ndjenjën e tolerancës, bashkëndarjes dhe të jetuarit së bashku, si një ndër sfidat kryesore të shoqërive evropiane sot.

Me këtë rast do të dëshiroja të falenderoj Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Jagland për inisiativën dhe mbështetjen e tij për Grupin e Personave të Shquar, në hartimin e Raportit “Të jetojmë së bashku”. Në veçanti, më lejoni të shpreh mirënjohjen e veçantë për pjesëmarrjen në këtë Konferencë të dy prej hartueseve të Raportit, znj. Ema Bonino dhe znj. Sonia Liht. Prania juaj sot është një tjetër vlerësim për Kryesinë shqiptare të Komitetit të Ministrave. Shqipëria, e njohur dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht për vlerat e bashkëjetesës dhe tolerancës, ndihet e nderuar që mbledh së bashku këtë tryezë diskutimesh pjesë e të cilës janë edhe disa nga Rekomandimet strategjike të Raportit.

Do të më lejoni të kthehem pas në kohë, në 11 maj 2011, atëherë kur Raporti “Të jetojmë së bashku” u prezantua për herë të parë në takimin Ministerial të Komitetit të Ministrave, në Stamboll. Bashkarisht vlerësuam faktin se ky Raport ishte një përmbledhje gjithëpërfshirëse e formave të ndryshme të diskriminimit, intolerancës dhe një pasqyrë e stereotipeve mbi grupet vulnerabël të popullsisë, si emigrantët, pakicat kombëtare, azilkërkuesit, etj. Në veçanti, vlerësuam faktin se raporti nuk është thjesht moralizëm, por pasqyron shembuj konkretë nga praktikat më të mira të vendeve anëtare të organizatës lidhur me implementimin efikas të politikave të bashkëjetesës së diversiteteve.

Gjithashtu, gjatë takimit të nivelit të Lartë të Nëntë Presidentëve Evropianë, zhvilluar në Finlandë, në shkurt 2012, ky Raport u vlerësua si një strategji për menaxhimin demokratik të diversitetit në Evropë. Po ashtu, në këtë takim u nënvizua se Këshilli i Evropës ka nevojë për mbështetjen e secilit prej vendeve tona për promovimin e këtij raporti.

Shqipëria, edhe një herë sot  i përgjigjet  pozitivisht kësaj thirrjeje, pasi jemi të bindur se 17 parimet drejtuese të raportit dhe 59 propozimet për veprim në formën e rekomandimeve strategjike, duhet të shërbejnë si bazë për politikat qeveritare për t’iu përgjigjur kërcënimeve në rritje të formave të reja të racizmit dhe intolerancës, me të cilat përballen shoqëritë tona sot. Në një kohë kur kriza e vazhdueshme ekonomike në Evropë perceptohet si një kërcënim për mirëqenien e shoqërive tona, diversiteti dhe multikulturalizmi, ashtu si edhe transmetohet nga fryma e vetë Raportit, nuk janë një rrezik, por përbëjnë një vlerë të shtuar në familjen evropiane.

Për më tepër,  çka përbën një aset gati universal dhe gjithë përfshirës është fakti se Raporti nuk gëzon vetëm mbështetjen e krerëve më të lartë politikë të KiE-së, por edhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, si BE, OKB, e veçanerisht shoqërisë civile. Jam i bindur se prania e z. Sampaio, Komisioner i Lartë i OKB-së për Aleancën e Qytetërimeve dhe një mbrojtës elokuent i vlerave të Qytetërimeve, do të nxisë diskutimet gjatë shkëmbimit të eksperiencave më të mira, veçanërisht përsa i takon pjesëmarrjes sa më aktive të të gjithë individëve, pa diskriminim, ne jetën e shoqërisë, përmes dhe duke rikujtuar dhe nderuar vlerat themelore që na mbajnë së bashku.

Le të flasim sot hapur kundër ekstremizmit, diskriminimit, racizmit dhe intolerancës dhe të pranojmë me përgjegjësi qytetare se diversiteti është një vlere historike e Evropës. Si ta administrojmë këtë diversitet? Kjo është sfida për ne të gjithe sot. Ky është thelbi i shqetësimeve qe ngre Raporti dhe secili prej nesh, si pjesë e një diversiteti të bashkuar, duhet të japë kontributin e vet. Shqipëria ka bërë pjesë të prioriteteve të kryesisë së saj një ndër ato rekomandime kyçe që është edukimi i brezave të rinj, me vlerat e tolerancës e bashkëjetesës.

Të gjithë ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për t’i siguruar brezit të ri të ardhmen në një botë ku mbizotëron paqja. Në një botë që bëhet gjithnjë e më tepër globale dhe e ndërvarur, në një Evropë ku diversiteti dhe shumëllojshmëria përbëjnë një vlerë të rëndësishme të proceseve integruese, e ardhmja e shoqërive tona përbën një sfidë të përbashkët, për ne dhe brezat që do të vijnë. Për këtë qëllim, mbetet i domosdoshëm angazhimi i të rinjve në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, në paqe e në prosperitet ekonomik, paqësor, përmes proçeseve integruese nën frymën e tolerances dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë.

Shqipëria mbështet këtë qasje dhe beson se të rinjtë do të mbeten  lajmëtarë të bekuar të paqes. Për këtë arsye, mirëpritëm organizimin e “Kampit të paqes për të rinjtë” për vitin 2012, duke dhënë mesazhe pajtimi, miqësie, bashkëpunimi e optimizmi për integrimin Evropian të rajonit të Ballkanit. Organizimi i këtyre kampeve përshëndetet dhe në Raportin “Të jetojmë së bashku”, si një eksperiencë që u jep të rinjve mundësinë për ta perceptuar “Tjetrin”/të ndryshmin nga “Unë”, jo si një kërcënim, por si një tjetër realitet për t’u njohur, për t’u zbuluar dhe për t’u pranuar. Kjo përqasje edukuese është mjaft e rëndësishme.

Një tjetër dimension i bashkëjetesës së diversiteteve që Shqipëria zgjodhi për t’i ofruar kryesisë së Këshillit të Evropës, si vlerë të shtuar është dhe bashkëjetesa e toleranca fetare. Këto dy elementë janë një karakteristikë dalluese e popullit tonë përgjatë historisë, gjë e cila u theksua dhe gjatë Takimit Vjetor mbi Dimensionin Fetar të Dialogut Ndërkulturor, në funksion të objektivit të saj kryesor: të promovojë dhe të forcojë vlerat themelore të Këshillit të Evropës, organizuar në shtator në vendin tonë.

Në përfundim, dëshiroj të shpreh dhe një herë kënaqësinë për trajtimin e tematikës së diversitetit në Evropës, si një forcë për të ardhmen, pikërisht gjatë kryesisë shqiptare. Sot Shqiperia është vendi i vetëm në Evropë që në pjesën më të madhe të kufirit rrethohet me popullsi shqiptare, që jeton në vendet fqinje, me te cilat vendi ynë ndjek një politikë të moderuar e konstruktive të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe integrimit rajonal dhe bashkëjetesës paqësore.

Le ta kthejmë këtë diversitet të kontinentit tonë në një forcë krijuese për paqe dhe bashkëndarje të vlerave më të mira të gjithsecilit.

Faleminderit.

 
Posta Elektronike