RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Fjala e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, në analizën vjetore të MPJ-së për vitin 2012 Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Premte, 18 Janar 2013

Të nderuar zonja e zotërinj anëtarë të Shërbimit të Jashtëm,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë e veçantë që të hap analizën e punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme për vitin 2012. Viti që lamë pas ishte një vit i vecantë për popullin shqiptar, i cili shënoi 100 vjetorin e shtetit të tij të pavarur.

Gjithashtu ky vit ka shënuar dhe 100 vjetorin e krijimit të institucionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Diplomatët shqiptarë u ndjenë këtë vit më krenarë, por dhe më të ndërgjegjshëm për punën e tyre, si pasues të brezave të tërë diplomatësh të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në shërbim të kombit dhe në konsolidimin e shërbimit të jashtëm këto 100 vjet. Ministria e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë diplomatike e konsullore jashtë vendit  zhvilluan me sukses me qindra aktivitete në të cilat iu bë një promovim i shkëlqyer i Shqipërisë, në aspektin historik, kulturor, turistik, etj. Këto aktivitete rritën më tepër krenarinë kombëtare dhe sollën më pranë gjithë komunitetin shqiptar.

Gjatë vitit 2012 Ministria e Punëve të Jashtme në aktivitetin e saj ka shënuar arritje të prekshme në kuadrin e zbatimit të programit të politikës së jashtme të Qeverisë shqiptare. Mbrojtja e interesave kombëtare dhe atyre të qytetarëve shqiptarë, kanë qenë dhe do të mbeten vektori i vetëm që orienton veprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Më poshtë dëshiroj të ndalem në disa nga drejtimet kryesore ku është përqendruar aktiviteti i MPJ vitin e kaluar dhe arritjet që janë shënuar.   

Një prej boshteve kryesore të politikës së jashtme shqiptare është realizimi i një politike efikase rajonale. Në këtë drejtim, diplomacia shqiptare ka synuar drejt konsolidimit të mëtejshëm të rolit të Shqipërisë, si një aktore e rëndësishme në të gjitha zhvillimet rajonale. Gjatë vitit 2012 janë shënuar hapa të dukshëm në drejtim të forcimit të marrëdhënieve me të gjitha vendet e rajonit dhe ruajtjen e imazhit tonë si një faktor kyç paqeje e stabiliteti. Është fakt i pamohueshëm se kjo politikë konstruktive rajonale, e vlerësuar mjaft pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë, ka pasur një ndikim kryesor në krijimin e një klime mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në tërë rajonin, dhe rrjedhën e proceseve integruese të tij në strukturat europiane dhe euroatlantike.

Të vetëdijshëm për peshën e faktorit shqiptar në rajon, diplomacia shqiptare ka dëshmuar një angazhim serioz në nxitjen e këtij faktori që të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në shërbim të paqes dhe stabilitetit. Me strukturat e saj dhe nëpërmjet një agjende aktive, Ministria e Punëve të Jashtme ka synuar mbrojtjen e interesave të këtij faktori shqiptar në çdo hapësirë të rajonit ku ai ndodhet.

Forcimi i bashkëpunimit me shtetin e Kosovës përmes zhvillimit të dialogut politik dhe teknik në të gjithë fushat, si dhe mbështetja maksimale në organizmat rajonale dhe ndërkombëtare kanë qenë prioritete të aktivitetit diplomatik të cilat tashmë kanë njohur rezultate konkrete. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kosovës janw shndërruar në model të bashkëpunimit rajonal.

Në bashkëpunim me diplomacinë kosovare dhe partnerët tanë, është lobuar fuqishëm për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e cila u konkretizua me 13 njohje të reja. Kosova ishte në fokusin e prioriteteve të Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, ndërkohë që vendi ynë ka iniciuar rezoluta që i bëjnë thirrje vendeve të Organizatës së Bashkepunimit Islamik për njohen e saj. Aktiviteti ynë lobues i mirë-organizuar gjatë vitit 2012, ka dhënë rezultate pozitive në drejtim të pjesëmarrjes dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat rajonale, ku mund të përmendim anëtarësimin e Kosovës në BERZH/EBRD.

Shqipëria ka mbështetur vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e BE-së dhe vëmendjen e pandarë të SHBA-ve, dhe inkurajon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani e të tjerave që do të vijojnë mes dy vendeve. Nga ana tjetër, ne kemi mbështetur fuqimisht ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe kundërshtuar të gjitha praktikat apo planet që kanë rënë ndesh me ushtrimin normal të këtij sovraniteti.   

Duke qenë të vetëdijshëm për nevojën e zhvillimit e marrëdhënieve tona me fqinjët jemi treguar aktivë për forcimin e dialogut politik dhe jo vetëm, me Greqinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Vizita që zhvillova në Athinë në muajin tetor, e para e këtij niveli pas shumë vitesh, hapi një rrugë të re në bashkëpunimin mes dy vendeve pasi gjatë saj u diskutuan tema të rëndësishme, disa prej të cilave të mbetura pezull prej kohësh. Në marrëdhëniet tona me Greqinë kemi dëshmuar sinqeritet dhe vullnet bashkëpunimi, duke synuar gjetjen e mirëkuptimit për shumë çështje që prekin direkt interesat e qytetarëve tanë nga njëra anë, dhe krijojnë një klimë të qëndrueshme për fqinjësi të mirë.    

Duke i vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëdhëniet me Maqedoninë, kemi ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimet në vend dhe kemi ofruar qasje dhe qëndrime konstruktive në funksion në zhvillimeve demokratike në vend dhe të proceseve integruese në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ecuria e marrëdhënieve me këtë shtet është pazgjidhshmërisht e lidhur me vëmendjen ndaj respektimit të të drejtave të shqiptarëve, përfshirjen e duhur të tyre në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit, sipas detyrimeve të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit. Diplomacia jonë ka punuar ngushtë me faktorin shqiptar me synimin që ky i fundit të forcojë peshën e tij si faktor stabiliteti, por dhe të realizojë sa më mirë aspiratat e tij legjitime brenda shoqërisë së shtetit fqinj.      

Gjej rastin të theksoj se marrëdhëniet me Malin e Zi janë në momentin më të mirë që prej fillimit të tyre dhe përbëjnë një model të shkëlqyer të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.

Mikpritja e Ministrit të Jashtëm serb në Tiranë ishte, gjithashtu, një dëshmi e vullnetit politik të qeverisë shqiptare për të zhvilluar një dialog konstruktiv dhe me rezultate konkrete, duke dhënë një kontribut për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon. Në këtë dialog me palën serbe ne kemi treguar një interes maksimal për trajtimin e shqiptarёve nё Serbinë e Jugut sipas standardeve ndërkombëtare dhe demokratike dhe mbështet integrimin e plotë si tё barabartë në jetën dhe institucionet e shtetit të Serbisë.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar marrëdhënieve me Kroacinë, një aleate e Shqipërisë në NATO dhe bashkëpunëtore e afërt në procesin e integrimit evropian.

Në marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën, Shqipëria ofron një mbështetje të pakursyer për proceset e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe i bashkohet përpjekjeve tё faktorit ndërkombëtar  për nxitjen e reformave tё nevojshme politike nё vend, pёr njё dinamikё tё re nё proceset integruese.

Shqipëria dhe Turqia kanë mes tyre marrëdhënie tradicionale dhe të shkëlqyera, të cilat synojmë t’i konkretizojmë dhe avancojmë më tej në të gjitha fushat me një dinamikë të fuqishme në bashkëpunimin ekonomik e tregtar.

Të nderuar pjesëmarrës,

Integrimi evropian i Shqipërisë edhe për vitin që sapo u mbyll ka qenë në qendër të aktivitetit të diplomacisë shqiptare. Gjatë vitit 2012 u shënuan zhvillime pozitive në kuadër të afrimit të Shqipërisë më BE-në, ç’ka u evidentua në Progres Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili në datë 10 tetor 2012 rekomandoi dhënien e statusit kandidat për vendin tonë, pas miratimit të tre akteve ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament. Ministria e Punëve të Jashtme ka intensifikuar ndjeshëm dialogun politik me strukturat e Bashkimit Europian nga njëra anë, si dhe  përmes vizitave dhe takimeve të shpeshta me zyrtarët më lartë diplomatikë të shteteve anëtare të BE.

Marrëdhëniet dypalëshe të Shqipërisë me vendet e tjera kanë njohur një avancim të spikatur. Ndërkohë që marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë kanë vijuar të zgjerohen në shumë fusha të interesit reciprok, është punuar për konsolidimin e marrëdhënieve dhe me shtete të tjera që kanë një peshë të rëndësishme në arenën globale. Partneriteti ynë me SHBA u konsolidua me tej gjatë vitit 2012, dëshmi e të cilit ishte vizita e Sekretares amerikane të shtetit në Tiranë. Raportet me Italinë, Gjermaninë, Austrinë dhe vende të tjera europiane u zhvilluan dhe më tej në funksion të interesave tona politike dhe ekonomike. Nënshkrimi i Memorandumit trepalësh mes MPJ-ve të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për projektin TAP, dhe ndjekja në vijimësi e ecurisë së këtij projekti me interes madhor për vendin, mund të konsiderohet një sukses i diplomacisë shqiptare.

Harta e marrëdhënieve dypalëshe është zgjeruar mbështetur në realitetet e reja të ekonomisë globale. Forcimi i bashkëpunimit me Kinën, Indinë, Kanadanë, Australinë, apo dhe vendet e zhvilluara arabe, ishin hapa të rëndësishëm në hapjen e një perspektive të re për interesat ekonomike dhe më gjerë të Shqipërisë. Dua të theksoj, gjithashtu, që diplomacia shqiptare është treguar e vëmendshme ndaj të gjitha zhvillimeve të rëndësishme në zona të ndryshme të globit duke mbajtur qëndrimet e duhura në koherencë të plotë me partnerët tanë europianë dhe euroatlantikë.  

Viti 2012 shënoi arritje të shënuara dhe në diplomacinë tonë shumëpalëshe. Shqipëria kryesoi për herë të parë dhe me mjaft sukses Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, për periudhën maj-nëntor 2012. Gjatë kësaj kryesie ne shpalosëm disa nga vlerat më të mira që karakterizojnë kombin shqiptar si toleranca dhe harmonia fetare.

Po aq i efektshëm ka qenë vitin e kaluar angazhimi ynë në kuadrin e Kombeve të Bashkuara. U lobua me sukses dhe u përbush objektivi për zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare e Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara, për periudhën 2013-15. Në qershor 2012, u zhvillua në Tiranë Konferenca e nivelit të lartë mbi programin “Një OKB”, në të cilin vendi ynë është një nga 8 vendet pilot. Kjo Konferencë u mbyll me sukses të plotë, nisur dhe nga fakti se u miratua me konsensus dokumenti final, i cili tashmë është përfshirë në strategjinë e OKB-së mbi reformën e menaxhimit të programeve te saj. Një rol aktiv i yni në Kombet e Bashkuara është evidentuar dhe lobimi i disa rezolutave të iniciuara nga vendi ynë të cilat morën miratimin e anëtarësisë së Organizatës.

Në raport me NATO-n, prioritet i yni ka qenë dhe mbetet mbrojtja dhe promovimi i interesave tona kombëtare, nëpërmjet një angazhimi aktiv brenda Aleancës Atlantike, si dhe realizimi i detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar. MPJ ka qenë dhe vazhdon të jete aktive për promovimin e Aleancës si garantuese e sigurisë dhe paqes në rajon dhe kudo në botë dhe kemi mbështetur vazhdimisht politikën e “dyerve të hapura” të NATO-s dhe integrimin Euro-Atlantik të Ballkanit Perëndimor, gjë që u materializua në Deklaratën Përfundimtare të Samitit të Çikagos (20-21 maj 2012).

Përpjekjet tona për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Kartës së Adriatikut - A5, dëshmojnë më së miri se Shqipëria mbetet e vendosur për përfshirjen e gjithë rajonit tonë në strukturat Euro-Atlantike.

Gjatë vitit 2012 forcuam marrëdhëniet me OSBE-në, duke shtuar numrin e vizitave dhe raportimeve, si në Këshillin e Përhershëm ashtu dhe në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Falë progresit të vendit u lobua dhe më pas u miratua vendimi për mbylljen e 4 zyrave të OSBE-së në terren.

Zonja e zotërinj,

Shërbimi ndaj qytetarëve shqiptarë si brenda dhe jashtë vendit është një prioritet në vijimësi i yni. Qytetarëve shqiptare dhe jo vetëm, iu është ofruar një asistencë dhe shërbim konsullor profesional dhe korrekt,

Në vitin 2012, ne krijuam mundësinë që qytetarët shqiptare më banim në Amerikën e Veriut të pajisen me pasaportë në Konsullatën e Përgjithshme në Nju Jork, ndërkohë që për vitin që vjen synimi ynë është krijimi i mundësisë për dhënien e pasaportave në Londër dhe në Bruksel.

Ne kemi treguar një angazhim serioz dhe konkret në drejtim të diaporës shqiptare të vjetër dhe të re, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës traditave kombëtare të saj dhe forcimin e lidhjeve me shtetin amë.    

Informimi i publikut dhe transparenca ka shoqëruar të gjithë aktivitetin politiko-diplomatik e Shërbimit të Jashtëm. Institucioni ynë nuk është kufizuar me përcjelljen e njëkahshëm të informacionit, por është përpjekur të tërheqë dhe opinionet e qytetarëve dhe të aktorëve të tjerë të shoqërisë përmes forumeve, kontakteve të ndryshme dhe mjeteve të komunikimit social.

Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj se dimensioni ekonomik i diplomacisë shqiptare, duke pasur parasysh dhe realitetet globale ka qenë pjesë e pandarë e agjendës tonë dypalëshe dhe shumëpalëshe. Ne kemi pasur një rol kyç ndërinstitucional në zgjerimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit të vendit tonë me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare.     

Përgjegjësitë me të cilat jemi ndeshur vitin e kaluar kanë kërkuar nevojën e konsolidimit të mëtejshëm të personelit të Shërbimit të Jashtëm. Ne jemi kujdesur që spiralja e karrierës së diplomatëve të zhvillohet në radhë të parë në përputhje me ligjin e Shërbimit të Jashtëm, përmes procesit të gradimit, trajnimit dhe kualifikimin sipas standardeve më të mira. Unë gjej rastin të falënderoj përzemërsisht të gjithë stafin brenda dhe jashtë vendit për përkushtimin dhe profesionalizimin e treguar në përballimin e detyrave me të cilat janë ngarkuar.

Të nderuar pjesëmarrës,

Viti 2013 është një vit që paraqet sfida të reja dhe shumë të rëndësishme për diplomacinë shqiptare. Në shërbim të interesave kombëtare, me dinamizëm dhe përkushtim maksimal, diplomatët tanë do të vazhdojnë të përmbushin objektivat e politikës sonë jashtme.

Me lejoni të ndaj me ju disa nga drejtimet kryesore në të cilat do të orientohemi gjatë vitit në vijim:

Intensifikimi i dialogut politik me Komisionit Evropian dhe vendet anëtare të BE do të vijojë të jetë në nivelet dhe standartet e duhura për avancimin e dosjes së integrimit të Shqipërisë.

Fuqizimi i rolit konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, në shërbim të stabilitetit dhe rrjedhës integruese të vendeve të rajonit në strukturat europiane dhe euroatlantike, do të jetë një vektor orientues i aktivitetit tone diplomatik. Në këtë kuadër, do të synojmë thellimin e marrëdhënieve të gjithanshme me të gjitha vendet e rajonit dhe një angazhim me aktiv në organizmat rajonalë.

Ne do të vazhdojmë të jemi konseguentë në angazhimin tonë ndaj Kosovës. Në këtë prizëm do të synojmë: konsolidimin e marrëdhënieve në të gjitha aspektet, krijimin e agjendave të përbashkëta diplomatike, rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën, si dhe integrimin e saj në organizmat rajonalë, europianë, euroatlantikë dhe padyshim globalë.

Duke pasur një përqasje vizionare dhe pragmatiste, diplomacia shqiptare do të shtojë energjitë për forcimin e raporteve të vendit me partnerët strategjikë, si dhe me të gjithë dhe vendet me të cilat ndan qëndrime të përbashkëta, në funksion të garantimit të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomiko-social.

Të vetëdijshëm për peshën në rritje të diplomacisë shumëpalëshe në zhvillimet rajonale dhe globale, por dhe në eksperiencën që kemi fituar, ne do të shtojmë ambicjet për një rol edhe më aktiv dhe përfaqësim më të madh në organizatat ndërkombëtare, Një objektiv konkret në këtë drejtim do të jetë anëtarësimi në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB.

Mbrojtja e interesave të qytetarëve shqiptarë në botë dhe rritja e cilësisë së shërbimeve konsullore ndaj tyre mbetet një objektiv i pandryshuar i politikës së jashtme të Shqipërisë. Institucioni ynë do të vijojë të promovojë në botë vlerat më të mira kulturore dhe potencialet ekonomike të vendit për të prezantuar më dukshëm imazhin e një shoqërie të hapur, të lirë dhe moderne.

Këto objektiva dhe sfida është e natyrshme që kërkojnë rritjen e efikasitetit, profesionalizmit, disiplinës dhe një administrim më të mirë të burimeve tona njerëzore dhe financiare në përputhje me kërkesat e kohës. Rivlerësimi i shpërndarjes së përfaqësive tona dhe diplomatëve në përputhje me realitetet e reja dhe prioritetet tona politike dhe ekonomike është një objektiv i cili do të realizohet mbi bazë të një studimi që ne do të bëjmë. Kjo është një eksperiencë që po e aplikojnë shërbime shumë më të mëdha se sa ky i ynë dhe ne mendojmë që ka ardhur koha për të menduar në mënyrë pragmatike në këtë drejtim.

Në planet tona afatshkurtra mbetet si objektiv propozimi i një projekt-ligji të ri për Shërbimin e Jashtëm, që synon ta bëjë atë më imun nga politizimi, të konsolidojë sistemin e gradave, të përmirësojë ecurinë në karrierë dhe kualifikimin e vazhdueshëm të diplomatëve, e të vendosë një përqasje më të respektuar për diplomatin dhe statusin e tij.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në përfundim, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për punën tuaj të suksesshme dhe shpreh bindjen se edhe këtë vit, me përkushtim atdhetar dhe profesionalizëm, do të mund të realizojmë ato synime dhe objektiva që e sotmja dhe e ardhmja i ka shtruar përpara diplomacisë shqiptare.

Ju faleminderit!

 
Posta Elektronike