RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Fjalimi i Ministrit të Punëve të Jashtme z. Panariti në Sesionin e 22-të të KDNJ-së Gjenevë, Zvicër Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Marte, 26 February 2013

“I nderuar Kryetar i Këshillit!  Të nderuar zonja e zotërinj!

Së pari, më lejoni të shpreh nderin dhe kënaqësinë e veçantë që më jep pjesëmarrja në punimet e Segmentit të Lartë të Sesionit të 22-të të KDNJ-së, të këtij organi mjaft të rëndësishëm të sistemit të Kombeve të Bashkuara dedikuar mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave universale të njeriut në të gjithë botën. Gjithashtu, më lejoni, zoti Kryetar, të shpreh vlerësimin e lartë dhe mbështetjen e Qeverisë së Shqipërisë për veprimtarinë e deritanishme të Këshillit të të Drejtave të Njeriut.

Institucionet shqiptare mbeten të angazhuar për përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor dhe institucional, si dhe për ngritjen dhe fuqizimin e mekanizmave konkretë për respektimin e të drejtave të njeriut, për të garantuar mbrojtjen nga diskriminimi dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. Në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut sot funksionojnë një numër i madh institucionesh sikurse janë gjykatat e të gjitha niveleve, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit, Komisioneri Antidiskriminim.Së shpejti vendi im do të ketë edhe një Komisioner të posaçëm për personat me aftësi të kufizuar.

Z. Kryetar,

Në kuadër të kryesimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë periudhës maj – nëntor 2012, Shqipëria zhvilloi një “tour de table” me qëllim nënshkrimin dhe ratifikimin e tre konventave mjaft sensitive të KiE-së, konkretisht: Konventën mbi masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore; Konventën mbi mbrojtjen e fëmijëve kundër shfrytëzimit dhe abuzimit seksual; Konventën për parandalimin dhe luftën ndaj dhunës kundër grave dhe dhunës në familje. Shqipëria, jo vetëm ofroi shembullin e saj pozitiv si nënshkruese e këtyre tre Konventave, por dhe zhvilloi një fushatë të gjerë sensibilizuese tek shtetet palë të organizatës për nënshkrimin dhe ratifikimin e shpejtë të tyre.

“Të bashkuar në diversitet” ishte moto dhe kryefjalë e presidencës shqiptare të KiE, Promovimi i dialogut, tolerancës dhe mosdiskriminimit ishin midis prioriteteve të Kryesisë. Në këtë frymë, Presidenca shqiptare organizoi një Konferencë të nivelit të lartë në Tiranë, në datat 8 – 9 nëntor 2012, me temë: “Diversiteti në Evropë: një forcë për të ardhmen”. Çështjet e promovimit të dialogut ndërkulturor, edukimi i brezave të rinj me ndjenjën e tolerancës, të jetuarit së bashku, përbëjnë sfidat kryesore të shoqërive botërore sot. Në një botë që bëhet gjithnjë e më tepër globale dhe e ndërvarur, të gjithë kemi një përgjegjësi të përbashkët për t’i siguruar brezit të ri të një të ardhme të sigurt dhe të begatë. Në këtë kontekst, shprehim bindjen se nxitja dhe angazhimi i të rinjve në promovimin e vlerave që çojnë në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, paqësore dhe me prosperitet ekonomik, nëpërmjet nxitjes së proceseve integruese të përshkuara nga fryma e tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, duhet të jetë një nga prioritet kryesore në axhendën e çdo qeverie.

Bashkëpunimi rajonal me synim promovimin dhe mbrojtjen adekuate të të drejtave të njeriut përbën një nga parimet themelore të politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Shqipëria mbështet përpjekjet e ndërmarra nga të gjitha vendet në rajonin tonë, por në veçanti ato të ndërmarra nga shteti më i ri i pavarur në rajonin tonë-Republika e Kosovës, në përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të respektimit të të drejtave të njeriut. Përpjekjet dhe arritjet e këtij shteti të pavarur në këto 5 vite të ekzistencës së tij janë evidentuar nëpërmjet një serie të raporteve të përgatitura nga institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Gjejmë rastin të ritheksojmë bindjen tonë se rajoni i Evropës Juglindore ka nevojë për një rigjallërim dhe fuqizim të politikave të integruara të pajtimit rajonal, në themel të të cilave qëndron procesi i njohjes dhe marrjes për sipër të përgjegjësisë për të gjitha abuzimet e kryera ndaj të të drejtave të njeriut.

Ne fuqimisht besojmë se Këshilli i të Drejtave të Njeriut mund t’i ofrojë njerëzimit një kontribut të madh në përballimin e situatave emergjente të shkeljes së të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst, Republika e Shqipërisë i bashkohet pjesës tjetër të komunitetit ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit dhe Bashkimit Evropian në dënimin e akteve të shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut në botë.

Z. Kryetar,

Të drejtat e njeriut janë një nga shtyllat më të rëndësishme të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe përbëjnë katalizatorin midis proceseve të sigurisë dhe zhvillimit global.  Shqipëria ndjek me vëmendje procesin e shqyrtimit të aktivitetit të deritanishëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Shqipëria beson se perfomanca e Këshillit dhe efektiviteti në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në arenën ndërkombëtare, është e lidhur ngushtë me cilësinë e anëtarësisë së tij.

Mbështetur në Rezolutën 60/251 të Asamblesë së Përgjithshme, Shqipëria beson se një dialog i zgjeruar midis vendeve kandidate dhe anëtarësisë së OKB-së, lidhur me zotimet dhe angazhimet e vendeve kandidate para zgjedhjeve, si dhe për zbatimin e tyre gjatë mandatit të tyre të anëtarësisë në Këshill, do të kontribuojë në masë të madhe në drejtim të forcimit të cilësisë së punës së Këshillit.

Shprehim bindjen se Mekanizmi për Vëzhgimin Universal Periodik është një mundësi shtesë në favor të vendeve në drejtim të vlerësimit,promovimit dhe garantimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore universale. Konstatojmë me kënaqësi se të gjitha vendet kanë qenë subjekt të paktën një herë i vlerësimit prej këtij mekanizmi dhe se tashmë ka filluar Cikli i Dytë. Në këtë stad aktual ku ndodhemi, jemi të mendimit se për të gjitha vendet është e rëndësishme zhvillimi dhe forcimi i mekanizmave praktikë kombëtarë për të ndjekur zbatimin e plotë të këtyre rekomandimeve.

Shqipëria iu nënshtrua procedurës së UPR në dhjetor 2009, kohë në të cilën ofroi një ftesë të përhershme për të gjitha Procedurat e Veçanta. Në këtë kuadër vendi im u vizitua nga z. Philip Alston, Raportuesi Special mbi ekzekutimet jashtëgjyqësore, dhe z. Jorge Bustamante,  Raportues Special për të drejtat e emigrantëve. Në përfundim të misioneve të tyre, të dy raportuesit përgëzuan autoritetet  e qeverisë shqiptare për bashkëpunimin e shkëlqyer që iu ofrua atyre gjatë vizitës. Rekomandimet e dhëna prej tyre janë bëre pjesë integrale e punës së përditshme të institucioneve tona me qëllim përmirësimin e standardeve të respektimit të të drejtave specifike të njeriut.

Shqipëria vlerëson zhvillimin progresiv të së drejtës ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut dhe në këtë kontekst duam të shprehim mirënjohjen tonë për angazhimin dhe kontributin e OHCHR lidhur me vendosjen e standardeve të reja dhe të përparuara, si dhe në mbështetjen e aktiviteteve të ndërmarra nga qeveritë dhe OJQ-të në këtë drejtim. Ne vlerësojmë lart rolin dhe kontributin e Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe në këtë aspekt Shqipëria u bashkohet vendeve të tjera që mendojnë se forcimi i pavarësisësë kësaj Zyre përbën një parakusht thelbësor në përmbushjen e mandatit të saj.

Të nderuar pjesëmarrës,

I bindur në rolin primar që ka KDNJ në promovimin dhe garantimin e standardeve më të larta në fushën e të drejtave të njeriut, Shqipëria ka shpallur kandidaturën e saj për të shërbyer në këtë Këshill në periudhën 2015-2017. Në Shqipëri, ashtu si dhe në mjaft vende të botës, për shkak të dinamikës së gjallë të zhvillimit të shoqërisë së saj, promovimi dhe respektimi i të Drejtave të Njeriut tradicionalisht konsiderohet si një proces dhe jo një produkt përfundimtar. Të drejtat e njeriut përbëjnë një komponent të rëndësishëm në spektrin e gjerë të reformave ndërsektoriale institucionale të kryera ose në proces.

Gjatë këtyre 22 viteve në demokraci, Shqipëria tashmë ka fituar një përvojë të gjerë në drejtim të promovimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe grupeve të rrezikuara në veçanti. Për më tepër, duke pasur parasysh vendndodhjen e saj gjeografike, trashëgiminë kulturore dhe tolerancën shembullore që mbizotëron ndër tiparet kryesore të shoqërisë së saj, Shqipëria ka qenë vazhdimisht një promotor i dialogut, respektit dhe nxitjes së bashkëjetesës harmonike në mes feve të ndryshme, kulturave dhe civilizimeve. Shqipëria do të jetë e nderuar të shërbejë në Këshill dhe krenare për të sjellë dhe të ndarë me të tjerët veçoritë e shoqërisë shqiptare në punimet e KDNJ-së.

Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha obligimet e veta në fushën e të drejtave të njeriut, duke i dhënë përparësi rritjes së vazhdueshme të shkallës së ndërgjegjësimit të publikut, përfshirjes dhe harmonizimit të punës të Qeverisë, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit privat. Shqipëria mbështet fuqishëm përpjekjet për të forcuar Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe tashmë bashkëpunon ngushtë me Procedurat Speciale të  Këshillit të të Drejtave të Njeriut.

Shqipëria beson se përfaqësimi i demokracive të reja dhe shteteve të vogla përbën në vetvete një vlerë të shtuar në punimet e Këshillit. Por përtej kësaj, për shkak të historisë së saj të veçantë dhe ndjeshmërisë së lartë ndaj të drejtave të njeriut, Shqipëria zotohet të ofrojë një perspektivë kombëtare unike në diskutimet dhe advokimin (advocacy) e të Drejtave të Njeriut në të gjithë botën.

 
Posta Elektronike