RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Ministri Bushati takon përfaqësuesit e OSBE - ODIHR-it Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Marte, 19 Nentor 2013

Sot, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, priti në një takim znj. Conny McCormack, e cila kryesoi misionin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, së bashku me z. Steven Martin, Këshilltar për Zgjedhjet i OSBE - ODIHR-it.

Ky ishte takimi i parë i përfaqësuesve të OSBE/ODIHR, të cilët po vizitojnë Shqipërinë për të diskutuar rekomandimet e Raportit përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013.

Pasi vlerësuan bashkëpunimin e vazhdueshëm midis qeverisë shqiptare dhe OSBE - ODIHR-it për përmbushjen e standardeve zgjedhore, Ministri Bushati dhe përfaqësuesit e OSBE - ODIHR-it theksuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit me qëllim identifikimin e prioriteteve të përbashkëta në vijim të reformës zgjedhore.

Palët ndanë mendimin se kjo reformë duhet parë si një proces i vazhdueshëm, i cili kërkon angazhimin dhe kontributin e të gjitha partive politike, brenda dhe jashtë parlamentit, si dhe të shoqërisë civile.

Nga ana e tij, Ministri Bushati i shprehu përfaqësuesve të OSBE - ODIHR-it, angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për sigurimin e një procesi zgjedhor në përputhje me standardet e OSBE-së dhe ato ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Konferenca për shtyp e Ministrit të Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati dhe përfaqësueses së ODIHR, znj. Conny McCormack

Mirmëngjes!

Pata kënaqësinë të pres sot, shefen e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga ODIHR, zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në emër të qeverisë shqiptare e falenderova për punën që ODIHR ka bërë në Shqipëri, në kuadër të procesit të monitorimit.

E falenderova gjithashtu për raportin i cili është publikuar para pak javësh dhe vlerëson progresin për zgjedhjet e 23 qershorit, por evidenton në të njëjtën kohë edhe fushat se ku duhet të ndërhyjë Shqipëria, klasa politike, parlamenti, në mënyrë që të garantohet një proces zgjedhor edhe më i plotë në raport me fazat në të cilat ecën vendi edhe më në përputhje me standartet ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, në emër të qeverisë shqiptare, i shpreha gadishmërinë misionit të ODIHR-it për të vazhduar punën me reformën zgjedhore dhe institucionale në mënyrë që t’u paraprijmë në kohë zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Ishte kënaqësi që mora angazhimin e përfaqësuesve të ODIHR-it për gadishmërinë e tyre për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces sepse në fund të fundit, ky është një proces që ka të bëjë me demokratizimin e vendit, me standartet zgjedhore në përgjithësi, me përmirësimin e cilësisë e standarteve zgjedhore, me përmirësimin e cilësisë së qeverisjes.

Faleminderit.

Fjala e përfaqësueses së ODIHR, znj. Conny McCormack

Mirmëngjes të gjithëve!

Është kënaqësi e madhe për mua të kthehem në Shqipëri, në vendin tuaj të bukur, siç ishte kënaqësi të punoja këtu në Shqipëri edhe në muajt maj e qershor për përgatitjet e zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve. Unë jam kthyer për një vizitë të shkurtër për të rishikuar edhe një herë rekomandimet e bëra nga raporti përfundimtar i ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Ashtu siç kemi bërë në të kaluarën, pasi siç e dini ju, tashmë ODIHR, ka monitoruar, ka vëzhguar 11 zgjedhje parlamentare në Shqipëri, pra siç kemi bërë në të kaluarën, ne kemi ardhur për të riparë edhe një herë rekomandimet e bëra në këtë raport me përfaqësues të partive të përfaqësuara në kuvend, me përfaqësues të partive të papërfaqësuara në kuvend si dhe me grupe të interesuara të komunitetit e të shoqërisë civile.

Ne po punojmë për të identifikuar prioritetet e nevojshme që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të mira. Vizita jonë sapo ka filluar. Ky është takimi ynë i parë dhe ne do të vazhdojmë me takime të tjera me aktorët kryesorë të interesuar për procesin e zgjedhjeve gjatë kësaj vizite dy ditore. Sigurisht që presim të kemi takime të frytshme bashkëpunuese dhe vlerësojmë shumë interesimin tuaj për to.

Faleminderit.

 
Posta Elektronike