RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Ministri, z. Ditmir Bushati takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, z. Kristian Vigenin Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Premte, 22 Nentor 2013

Ministri i Jashtëm, z. Ditmir Bushati, priti në një takim dhe zhvilloi bisedime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, z. Kristian Vigenin, në kuadrin e vizitës së tij zyrtare në Tiranë.

Në këtë takim të dy Ministrat, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një nivel më të lartë, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok, veçanërisht në fushat e transportit dhe energjisë, por edhe në ato të kulturës dhe turizmit.

Një vend të rëndësishëm në takim patën edhe zhvillimet pozitive në rajon në drejtim të avancimit në procesin e integrimit evropian si dhe bashkëpunimi në kuadër të nismave rajonale.

 

Ministri Bushati i shprehu homologut bullgar mirënjohjen për mbështetjen e rëndësishme të Bullgarisë në procesin e integrimit të vendit në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai siguroi për angazhimin dhe vullnetin e plotë të qeverisë për t’u fokusuar në përmbushjen e reformave ku nevojitet progres i mëtejshëm.

Ministri Vigenin vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe theksoi se Bullgaria do të mbështesë në vijimësi  Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin Dhjetor.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Bullgarisë

Fjala e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati

Mirëmëngjesi të gjithëve,

Sot, pata kënaqësinë të pres në Tiranë Ministrin e Jashtëm të Bullgarisë, njëkohësisht edhe miku im z. Kristian Vigenin. Diskutuam përsa u përket marrëdhënieve dypalëshe.

Është një kënaqësi të konstatojmë që midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, niveli i marrëdhënieve politike dhe ekonomike është shumë i mirë dhe mund të shërbejë si një bazë edhe me vendet e tjera të rajonit.

Në këtë kontekst, diskutuam për rëndësinë që merr Korridori i Tetë, si një ndër projektet më madhore strategjike që ndërlidh më tej jo thjesht dy vendet tona, por të gjithë rajonin. Projektet në fushën energjitike dhe sidomos ato që kanë të bëjnë me interkonjeksionin, do të dëshmonin për një integrim më të madh të tregut tonë me tregun evropian dhe gjithashtu, ramë dakord për të organizuar sesionin e gjashtë të Komisionit të Përbashkët Bullgari-Shqipëri.

Po kështu, në planin rajonal ndam pikëpamjen që klima aktuale në Ballkan, ku ka një zhvillim pozitiv me anëtarësimin  e Kroacisë në Bashkimin Evropian, me Malin e Zi që është në tryezën e bisedimeve për anëtarësimin me Serbinë, e cila pritet që të fillojë bisedimet me marrëveshjen  e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me fillimin e bisedimeve për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave me rekomandimin e qartë të Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.Ka një mundësi që rajoni të shkojë drejt një pike të moskthimit, në rast se do të kemi një vendimarrje të qartë nga Bashkimi Evropian, një vendimarrje politike, që do t’i bënte të gjitha vendet më demokratike , do t’i bënte të gjitha vendet të punonin më shumë së bashku në funksion të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ne vlerësojmë mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO dhe së fundmi, në procesin e e anëtarësimit në BE .

Mirëprita propozimin e homologut bullgar për të bashkëpunuar ndërmjet dy institucioneve ,përsa i përket shkëmbimit të eksperiencës në procesin e integrimit evropian, ndërtimin e  qendrës së ekselencës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, një proces që Bullgaria e ka kryer me sukses me vendet e tjera të rajonit që janë para nesh në këtë proces siç është rasti i Malit të Zi dhe gjithashtu, ramë dakort me homologun,  z. Vigenin, që të bashkërendojmë agjendat tona rajonale.

Bullgaria merr drejtimin e BISEC-ut, ndërsa Shqipëria do të marrë  drejtimin e South East Cooperation Process, sikundër në bashkëpunimin që të dy vendet tona kanë dhe do të kenë përsa i përket gazësjellësit TAP dhe punës që bën qeveria shqiptare  me vendet e tjera të rajonit, linjës tjetër strategjike IAP ose nismës së vendeve joniane-adriatike.

Faleminderit edhe njëherë tjetër për vizitën dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë.

Fjala e Ministrit të Punëve të Jashtme të Bullgarisë z. Kristian Vigenin

Faleminderit!

I nderuar z. Ministër,

Është vërtet një kënaqësi e madhe për mua dhe një nder që vizitoj sot Tiranën dhe jam këtu, si miku juaj. Nga njëra anë, jam këtu në Shqipëri për të vazhduar, për të biseduar, për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë, por edhe që të japim mbështetjen tonë për Shqipërinë përsa i përket statusit të vendit kandidat, një vendim, i cili do të merret në Dhjetor nga Këshilli Evropian.

Bullgaria beson, që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat apo standartet që janë kërkuar nga Komisioni Evropian për Shqipërinë e përveç kësaj, unë shoh me kënaqësi një qeveri shumë dinamike dhe shumë të përkushtuar, e cila po punon në mënyrë aktive për agjendën evropiane të vendit.

Ne besojmë që nuk ka më kurrëfarë arsyeje  pse të shtyhet vendimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë , ndaj kjo është arsyeja pse unë kam bërë thirrje për këtë, por edhe që Bullgaria do të vazhdojë të punojë që pikërisht Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat  në Këshillin e Ministrave të Jashtëm në Dhjetor të këtij viti.

Tashmë disa fjalë përsa i përket faktit që ne të  gjithë, gjithë vendet e rajonit duhet të punojmë përsa i përket sigurisë, stabilitetit, por edhe begatisë për të gjithë rajonin dhe ne kemi opinione, të cilat i ndajmë të gjithë bashkë përsa i përket kësaj të ardhmeje dhe një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian të të gjithë rajonit, por edhe të një begatie të mëtejshme shoqërore dhe ekonomike të të gjitha vendeve të rajonit.

Ne dëshirojmë shumë që të zhvillojmë akoma më tej marrdhëniet tona tregtare dhe ekonomike një gjë, e cila për ne është shumë e rëndësishme pasi mund të punojmë për këtë në bazë edhe të marrëdhënies shumë të shkëlqyer politike që kemi mes të dyja vendeve. Po ashtu, ato projekte të mëdha infrastrukturore, të cilat i përmendi ministri Bushati, janë tepër të rëndësishme për Bullgarinë dhe ne do të përpiqemi që së bashku  të krijojmë pikërisht edhe kushtet e duhura politike që këto të shkojnë gjithnjë e më tej.

Faleminderit!

Pyetje: Lidhur me skepticimin, që kanë treguar disa vende të Bashkimit Evropian dhe një ndër këto vende është Hollanda,e cila ka dalë qartë me deklaratën që do të jetë shumë e rreptë me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, cili është komenti juaj z. Bushati?

Përgjigje: Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati: Ju falenderoj për pyetjen.

Mund t’ju them që Hollanda është një ndër vendet themeluese të atij që sot njihet si Bashkimi Evropian. Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet hollandeze. Jemi shumë të njohur nga qëndrimi I Hollandës, i cili nuk është thjesht një qëndrim ndaj Shqipërisë, por është një qëndrim konstant në procesin e zgjerimit, përsa i përket rreptësisë së ndershme, me të cilin Hollnda sheh zhvillimet në këtë proces. Më lejoni t’ju them që nga kontaktet e përditëshme, nuk ka ende një vendim të qeverisë hollandeze në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Është bërë vetëm prezantimi paraprak i raportit të Komisionit, shoqëruar me një relacion shpjegues të ministrit Timmermans. Parlamenti hollandez do të flasë për këtë çështje, sikundër Qeveria hollandeze do të flasë për këtë cështje.

Por, le ta themi fare qartë, ne presim një vendim politik nga ana e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, një vendim, i cili duhet të jetë unanim në mënyrë që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe çdo qëndrim, përsa i përket Shqipërisë, do të duhet të ishte një qëndrim inkurajues për  stadin e reformave, për procesin politik që ka nisur në Shqipëri pas zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit dhe gjithashtu një vendim, i cili do t’i jepte një nxitje të mëtejshme zhvillimeve pozitive në rajon.

Faleminderit !

 
Posta Elektronike