E Premte, 22 Nentor 2013 |
Z. Dervishaj dhe z. Rupel vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, bashkëpunimin shumë të mirë në të gjitha fushat dhe theksuan rëndësinë e intensifikimit të tyre, kryesisht në fushat si: ekonomia, bujqësia, sektori energjitik, teknologjia, etj. Në këtë kuadër, u vlerësua rëndësia e mbledhjes së afërmi të Komisionit të Përbashkët Ekonomik. Në takim, u vlerësua rëndësia e Diplomacisë Parlamentare në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe integrimit evropian, si dhe kontributi i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Slloveni. Zv. Ministri Dervishaj informoi Drejtorin e Përgjithshëm për prioritetet e Qeverisë shqiptare, sfidën kryesore, integrimin evropian, duke e konsideruar atë si një prioritet mbarë kombëtar. Z. Dervishaj shprehu vullnetin e Qeverisë shqiptare për përmbushjen e të gjitha reformave të kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në këtë kuadër, ai u ndal në masat konkrete të ndërmarra nga Qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe garantimin e të drejtave të njeriut. Lidhur me luftën kundër korrupsionit, z. Dervishaj informoi për caktimin e një Koordinatori Kombëtar dhe miratimin nga Këshilli i Ministrave të Planit të Veprimit, si dhe hapat konkrete për zbatimin e këtij plani. Në vijim, z. Dervishaj vlerësoi mbështetjen që ka dhënë dhe po jep Sllovenia në procesin e integrimit evropian dhe kërkoi mbështetjen e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat në Dhjetor. Z. Dervishaj u shpreh se dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë është mjaft e rëndësishme,pasi do të ishte dhe një zhvillim pozitiv për vetë rajonin. Z. Rupel vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe u shpreh se Sllovenia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit evropian. Më tej, bashkëbiseduesit diskutuan mbi zhvillimet pozitive në rajon, veçanërisht ato që lidhen me procesin e integrimit evropian. Ata vlerësuan bashkëpunimin dhe angazhimin e dy vendeve në kuadër të nismave të përbashkëta rajonale duke theksuar rolin aktiv dhe konstruktiv të Shqipërisë, duke veçuar procesin e BRDO, përfshirjen e saj në Strategjinë e Bashkimit Evropian për Makro Rajonin Adriatiko Jonian (EUSAIR), si dhe kryesimin e radhës të Shqipërisë në nismën Adratiko Joniane, për periudhën 2013-2014. |