RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Zv.Ministri i Punëve të Jashtme, z. Sokol Dervishaj takohet me Drejtorët Politikë të Ministrive të Punëve të Jashtme të Grupit të Vishegradit Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
E Hene, 25 Nentor 2013

Sot, zv.Ministri i Punëve të Jashtme, z. Sokol Dervishaj, priti në një takim delegacionin e përbërë nga Drejtorët Politikë të Ministrive të Punëve të Jashtme të Grupit të Vishegradit (Hungari, Poloni, Republika Çeke, Sllovaki).

Z. Dervishaj, pasi falënderoi përfaqësuesit nga vendet e Grupit të Vishegradit (V4) për mbështetjen që i japin Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, bëri një prezantim të shkurtër të masave që ka ndërmarrë Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor.

Z. Dervishaj vuri në dukje se janë marrë masat për plotësimin e pesë kritereve që përshkruhen në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian të muajit tetor. Për këtë është miratuar edhe një Plan Veprimi për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që ka Shqipëria. Z. Dervishaj i shprehu falënderimet përfaqësuesve të V4 lidhur me deklaratën mbështetëse të bërë gjatë Samitit të V4 në Budapest më 31 tetor 2013.

Përfaqësuesit e V4 theksuan se janë këtu për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE dhe për këtë Shqipëria gëzon suportin e vendeve të Vishegradit në dhënien e statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor. Përfaqësuesit theksuan se do të jenë avokatët e Shqipërisë pranë partnerëve të tjerë evropianë për të mundësuar këtë arritje.

Gjatë takimit, z. Dervishaj theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat do t’i jepte një shtysë jo vetëm klasës politike shqiptare, për të arritur rezultate të prekshme deri në stadin tjetër që është hapja e negociatave për anëtarësim në BE, por të gjithë shoqërisë shqiptare, e cila mbështet fuqimisht perspektivën evropiane të vendit tonë.

Më tej, përfaqësuesit nga vendet e Vishegradit bënë edhe një prezantim mbi mundësitë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në projekte të akorduara nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.

 
Posta Elektronike