RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Prioritetet e Kryesimit
Prioritetet e Kryesisë Shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (23 Maj – 9 Nëntor 2012) Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike

Republika e Shqipërisë do të kryesojë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për herë të parë, që prej anëtarësimit të saj. Shqipëria merr përsipër këtë përgjegjësi me krenari dhe me një ndjenjë të fortë angazhimi ndaj kësaj organizate, qëllimeve gjithëpërfshirëse dhe së ardhmes së saj. Kjo Kryesi i jep vendit një mundësi të shkëlqyer për të dhënë kontributin e tij konkret në çështjet e të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe shtetit të së drejtës, që Këshilli i Evropës në mënyrë aq unike mishëron dhe promovon në të gjithë kontinentin. Kryesia e Shqipërisë do të udhëhiqet nga interesi kryesor i Organizatës në tërësi, duke synuar forcimin e reformave politike aktuale.

Për të mbështetur dhe promovuar vlerat themelore të organizatës, Kryesia shqiptare do të përqendrohet në prioritetet e mëposhtme:

1. Promovimi i shoqërive demokratike të qëndrueshme;

2. Forcimi i demokracisë në nivel lokal dhe rajonal;

3. Forcimi i shtetit të së drejtës në Evropë;

4. Vazhdimi i reformës politike të organizatës;

5. Garantimi i funksionimit afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;

6. Garantimi i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut;

7. Stimulimi i dialogut në nivel ndërinstitucional dhe në nivel organizatash ndërkombëtare.

1. Promovimi i shoqërive demokratike të qëndrueshme

“Të bashkuar në diversitet” është moto drejtuese e Kryesisë Shqiptare.

Kombinimi i diversitetit dhe lirisë

a) Diversiteti është fati i Evropës. Etërit themelues të Evropës së Bashkuar e –konsideruan atë si një forcë dhe pasuri për kontinentin tonë. Kryesia Shqiptare është e bindur se Këshilli i Evropës, me të gjithë eksperiencën e tij, është organizata ndërkombëtare në pozitën më të favorshme për të përcaktuar kushtet që evropianët duhet të plotësojnë për të jetuar të lirë në një shoqëri demokratike, e cila respekton diversitetin.

Në kuadrin e krizave aktuale ekonomike, të cilat u japin shkas tendencave populiste, ekstremizmit dhe diskutimeve ksenofobe e nacionaliste, kohezioni i shoqërive shumëkulturore evropiane është përgjegjësia jonë e përbashkët. Duke ndarë këto shqetësime, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm dhe ato të Personave të Shquar të Këshillit të Evropës, me qëllim vënien në jetë të disa prej rekomandimeve të rëndësishme të Raportit “Të Jetuarit së Bashku – të bashkojmë diversitetin dhe lirinë në Evropën e shekullit të 21-të”.

Ekzistojnë një sërë aktivitetesh, instrumentesh, strukturash dhe dokumentesh reference të Këshillit të Evropës të cilat mund të shërbejnë si bazë për zbatimin e këtyre rekomandimeve. Për këtë qëllim, Shqipëria do të nisë një dialog të hapur mes të gjithë palëve të interesuara: vendet anëtare dhe ato vëzhguese, partnerët kryesorë ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Personat e Shquar, për të shkëmbyer mendime në lidhje me veprimet konkrete që mund të ndërmerren për të përmbushur rekomandimet dhe për t’i shndërruar ato në veprime praktike.

Kryesia shqiptare do të organizojë në Tiranë një Konferencë të Nivelit të Lartë, në të cilën do të trajtohen tri temat e mëposhtme të Raportit “Të jetuarit së bashku”:

•    “Diversiteti në Evropë, pasuri për të ardhmen”;

•    Promovimi i dialogut ndërkulturor- një detyrë për shoqërinë në tërësi, në Evropë e më gjerë”;

•    “Roli i edukimit dhe kontributit të të rinjve në promovimin e mirëkuptimit reciprok, tolerancës dhe integrimit më të mirë në shoqëri”.

b) Forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit me rajonet e Afrikës së Veriut e të Mesdheut

Shqipëria u rreshtua përkrah vendeve dhe forcave demokratike në mbështetje të aspiratave demokratike dhe lëvizjeve  mbarëpopullore në vendet e Afrikës së Veriut dhe Mesdheut. Kryesia shqiptare do të përpiqet të forcojë dialogun e Organizatës dhe bashkëpunimin me këto vende, në kuadrin e politikave të Këshillit të Evropës ndaj rajoneve fqinje. Përfaqësues të këtyre vendeve do të jenë, gjithashtu, të ftuar në këtë Konferencë të Nivelit të Lartë.

c) Promovimi i dimensionit fetar si një element i rëndësishëm i Dialogut ndërkulturor

Si një vend i cili krenohet me traditat e tij shekullore të harmonisë fetare, Shqipëria ka zgjedhur promovimin e dimensionit fetar si një vlerë të shtuar për t’ia ofruar organizatës. Komiteti i Ministrave organizon Shkëmbime vjetore mbi Dimensionin Fetar të Dialogut Ndërkulturor, në funksion të objektivit të saj kryesor: të promovojë dhe të forcojë vlerat themelore të Këshillit të Evropës. Shqipëria do të mbajë “Takimin vjetor 2012 të Këshillit të Evropës mbi Dimensionin fetar të Dialogut ndërkulturor”

d) Duke qenë një vend me një rol të njohur stabilizues dhe moderues në rajon, Shqipëria do të angazhohet për një integrim më të gjerë të vendeve të rajonit, dhe për t’i çuar përpara drejt Integrimit Evropian. Avancimi i bashkëpunimit dhe integrimit rajonal është një prej kushteve kyçe për një Ballkan Perëndimor paqësor e të qëndrueshëm, ku parimet dhe vlerat kryesore të Këshillit të Evropës zbatohen në çdo shoqëri. Kërkohet një përfshirje më e madhe e KiE-së në Kosovë. Shqipëria do të përpiqet të promovojë kontaktet e drejtpërdrejta mes institucioneve të KiE-së dhe autoriteteve kosovare.

Tema të tjera në lidhje me këtë prioritet janë:

Rinia dhe Edukimi

a) Edukimi i të rinjve me vlerat e Këshillit të Evropës.

Të gjithë ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për t’i siguruar brezit të ri të ardhmen në një botë ku mbizotëron paqja. Për këtë qëllim, është i domosdoshëm angazhimi i të rinjve në krijimin e një shoqërie paqësore, përmes proçeseve integruese nën frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë. Shqipëria mbështet këtë qasje dhe beson se të rinjtë mund të bëhen lajmëtarë paqeje. Për këtë arsye, Shqipëria do të jetë vendi pritës i“Kampit të paqes për të rinjtë” për vitin 2012, duke dhënë mesazhe pajtimi, miqësie, bashkëpunimi e optimizmi për Integrimin Evropian të rajonit të Ballkanit.

b) Parandalimi i krimeve kundër njerëzimit dhe përkujtimi i Holokaustit

Këshilli i Evropës u ngrit për të ndërtuar një Evropë paqësore që mbështetet në vlera universale dhe dinjitet njerëzor. Filozofia “kurrë më” e baballarëve themelues të Organizatës sonë frymëzoi Kryesinë shqiptare që të përfshinte kujtimin e memories së holokaustit ndër prioritetet e saj. Si kontribut ndaj programit të “ Edukimit të të drejtave të njeriut dhe parandalimit të krimeve kundër njerëzimit”, Shqipëria do të organizojë një seminar me karakter pedagogjik, si dhe një veprimtari të posaçme kushtuar “Nderimit të Rinisë Evropiane për Personat që shpëtuan nderin e njerëzimit”.

2. Forcimi i demokracisë në nivel lokal e rajonal

Forcimi i demokracisë në nivel lokal e rajonal me qëllim sigurimin e një qeverisje të mirë për të gjithë Evropën mbetet një objektiv i përbashkët i të gjithë shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Nën Kryesinë e saj, Shqipëria do t’i kushtojë këtij prioriteti një rëndësi të veçantë. Ne mbështesim propozimet për një bashkëpunim të ngushtë tematik me një axhendë të përbashkët midis sektorit ndërqeveritar, Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale dhe Asamblesë Parlamentare, siç është theksuar në Raportin Chavez dhe shtjelluar më tej në Konferencën e Kievit.

Gjatë Kryesisë së saj, Shqipëria do të mbështesë çështjet e mëposhtme:

a) Promovimi i një qeverisjeje demokratike e dinamike është një përbërës shumë i rëndësishëm i demokracisë dhe një nga kushtet themelore për sigurimin e një mbrojtjeje efikase të të drejtave të njeriut dhe garantimin e shtetit të së drejtës. Për këtë arsye, Shqipëria  do t’i japë mbështetjen e saj Forumit të parë Botëror të Strasburgut për Demokracinë, i cili do të mbahet gjatë periudhës së Kryesisë së saj.

b) Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë rolit të decentralizimit dhe përfaqësuesve lokalë të zgjedhur në konsolidimin e demokracisë. Ajo synon të organizojë një event të nivelit të lartë mbi këtë temë, i cili do të trajtojë çështjet e mëposhtme:

•    Pluralizmi politik, përmes krijimit të një platforme dialogu dhe bashkëpunimi ndërbashkiak;

•    Qeverisja e mirë në nivel lokal dhe përmirësimi i shërbimeve lokale;

•    Promovimi i të drejtave të njeriut në nivel lokal dhe ndërgjegjësimi i autoriteteve lokale e rajonale;

•    Bashkëpunimi në shumë nivele për të kapërcyer pengesat e bashkëpunimit ndërkufitar;

•    Gjendja e rajonalizimit në Shqipëri/progresi i bërë dhe sfidat që mbeten për t’u përmbushur.

c) Seminar për “Forcimin e pjesëmarrjes demokratike të qytetarëve” që do të shënojë hapjen e siparit të aktiviteteve me rastin e javës lokale të demokracisë.

3. Forcimi i shtetit të së drejtës në Evropë

a) Duke pasur parasysh rolin e çmuar dhe aktivitete e Komisionit të Venecias në mbrojtjen e trashëgimisë kushtetuese e zgjedhore evropiane. Shqipëria, me kënaqësi të veçantë do të festojë dhe do të organizojë një seminar me rastin e 10 vjetorit të “Kodit të praktikës së mirë në çështjet zgjedhore”.

b) Veprimtaritë e KiE-së në lidhje me shtetin e së drejtës kryesisht synojnë të parandalojnë kërcënimet nga fenomene të rrezikshëm si korrupsioni apo rritja e aktiviteteve kriminale. Ndaj, Qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin e shkëlqyer me Këshillin e Evropës në luftën e saj me zero tolerancë kundër korrupsionit. Kryesia e këtij Komiteti Ministrash do të jetë një rast i mirë për të bërë bilancin e këtij bashkëpunimi.

4. Vazhdimi i reformës politike të Organizatës

Kryesia do të vazhdojë përpjekjet e saj për të përmbushur reformën politike të Këshillit të Evropës, e cila mbetet një objektiv madhor për të ardhmen e KiE-së, organizata më e vjetër ndërkombëtare mbarëevropiane. Me 63 vjet arritje mbresëlënëse në promovimin e lirisë, paqes, stabilitetit, sigurisë e prosperitetit të vendeve dhe qytetarëve evropianë,  roli kryesor i Këshillit të Evropës duhet të forcohet dhe ndikimi i tij të rritet, si në arkitekturën evropiane ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Roli i tij duhet të mbrohet në mënyrë që të mund të përballet më sfidat aktuale, si dhe me ato që rezervon e ardhmja, dhe të përshtatet më mirë me ritmin e tyre në një botë gjithmonë e më globale e në ndryshim të vazhdueshëm. Shqipëria do të vijojë me përpjekjet e saj për përmbushjen e këtij qëllimi madhor të Organizatës.  

5. Sigurimi i efektshmërisë afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

a) Kryesia shqiptare, në përputhje me angazhimet e Troikës, do të vazhdojë punën e saj ndërqeveritare të bazuar në Deklaratat dhe Planet e Veprimit të Interlakenit, Izmirit dhe Brighton-it për “garantimin e efektshmërisë afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në nivel kombëtar e evropian.” Pas Konferencës së Brighton-it, Shqipëria do të organizojë një seminar, ku do të mblidhen së bashku agjentë qeveritarë dhe përfaqësues të gjykatave të larta nga 47 shtete anëtare.

b) Duke pasur parasysh se mbrojtja efikase e të drejtave themelore varet nga një kuptim më i mirë i sistemit evropian të të drejtave të njeriut, është e domosdoshme të rrisim ndërgjegjësimin e shteteve anëtare në lidhje me Konventën Evropiane. Për këtë qëllim, Shqipëria do të organizojë një simpozium për ““Promovimin e mësimdhënies së jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në programet aktuale kombëtare”.   

6. Garantimi i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut

a) Kryesia shqiptare do të vazhdojë të promovojë barazinë gjinore dhe të mbështesë punën e Komisionit të ri të Këshillit të Evropës mbi Barazinë gjinore, takimi i parë i të cilit do të zhvillohet pak kohë pasi ajo të marrë Kryesinë.

Si një nga vendet nënshkruese të Konventës mbi Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, Shqipëria do të nxisë vendet, të cilat nuk e kanë nënshkruar dhe ratifikuar ende këtë instrument, ta bëjnë këtë gjë, sepse ky është traktati i parë dhe i vetëm që përcakton standardet për mbrojtjen e grave ndaj dhunës në nivel ndërkombëtar.

b) Në përputhje me mandatin e miratuar gjatë Samitit të Tretë të Varshavës, i cili synon të ndërtojë një “Evropë për dhe me fëmijët” mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve do të vazhdojë të jetë ndër prioritetet kryesore të Kryesisë shqiptare. Ajo do t’i kushtojë vëmendje të veçantë zbatimit të Strategjisë 2012-2015 për të Drejtat e Fëmijëve, që do të nisë gjatë Kryesisë së saj.

7. Stimulimi i dialogut në nivel ndërinstitucional dhe në nivel organizatash ndërkombëtare

a) Forcimi i dialogut dhe ndërveprimit me Asamblenë Parlamentare do të jetë një nga prioritetet e punës së Komitetit të Ministrave nën Kryesinë shqiptare. Shqipëria është e ndërgjegjshme për rolin e këtij organi në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e pluralizmit politik dhe respektimin e të drejtave të njeriut e shtetit të së drejtës. Nga vitet 90’ deri në ditët e sotme, Asambleja ka dhënë një kontribut jetik në drejtimin dhe nxitjen e proceseve të demokratizimit  në të gjitha vendet Evropës Qendrore e Lindore, përfshirë Shqipërinë. Për këtë arsye, Kryesia shqiptare do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet Komitetit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare. Veprimtari të ndryshme janë parashikuar nga Parlamenti shqiptar në nivel kombëtar për të rritur vizibilitetin e këtij organi.

b) Shqipëria do të shtojë përpjekjet e saj për të forcuar bashkëpunimin dhe partneritetin me partnerët e saj ndërkombëtarë, në veçanti me Bashkimin Evropian. KiE dhe BE ndajnë të njëjtat vlera- të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Shqipëria vlerëson avantazhet e ofruara nga programi dhe buxheti dyvjeçar 2012-2013 në lidhje më perspektivat e bashkëpunimit me BE-në, që sigurojnë mbështetjen kryesore financiare të programeve të bashkëpunimit të Këshillit të Evropës në vendet e Evropës Juglindore dhe jo vetëm.

c) OSBE-ja luan një rol mjaft të rëndësishëm në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë, gjithashtu edhe në promovimin e tolerancës, jo-diskriminimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave që i përkasin pakicave kombëtare. Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë mundësi të ofruar nga Kryesia e saj për të kontribuar akoma më shumë në forcimin e bashkëpunimit më këtë organizatë, me qëllim sigurimin e përputhshmërisë mes tyre.

Prioritete të përbashkëta të Kryesive të Ukrainës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë në lidhje me reformat

Qeveria lokale dhe rajonale

Kryesitë e Ukrainës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës do të punojnë së bashku për të përçuar iniciativat e qeverisjes në nivel lokal dhe rajonal të miratuara në Konferencën e Ministrave për Qeverisjen Lokale dhe Rajonale në Utrecht, në nëntor të vitit 2009, pas raportit të Znj. Mari Kiviniemi. Objektivi i përgjithshëm është të rritet efikasiteti i punës së Këshillit të Evropës për demokracinë lokale dhe rajonale e qeverisjen e mirë, dhe të sigurohet  përmbushja e pritshmërive të qytetarëve të shteteve anëtare.

Ne presim me padurim raportin mbi përgatitjet e punimeve mes Qeverive dhe Kongresit, si dhe shqyrtimin e vlerësimeve të Kongresit të autoriteteve lokale e rajonale, që do të paraqiten nga Zv/Kryeministri spanjoll, Z. Manuel Chaves, gjatë konferencës ministeriale të Kievit në nëntor 2011. Tri Kryesitë do të japin rezultatin për të cilin kanë rënë dakord, në mënyrë që të sigurojnë se puna e Këshillit të Evropës në lidhje me demokracinë lokale e rajonale ka kosto më të dukshme e efektive dhe ka gjithashtu ndikim, duke u përqendruar në qeverisjen e mirë, bashkëpunimin efektiv ndërkufitar dhe dhënien e rezultateve sa me optimale për qytetarët në Evropë.

Reforma e Këshillit të Evropës

Ukraina, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria pranojnë se secila prej Kryesive tona të njëpasnjëshme do të përpiqet të përcaktojë përparësitë me Sekretarin e Përgjithshëm Thorbjørn Jagland, zbatimin e programit në vazhdim të reformës institucionale dhe operacionale të Këshillit të Evropës. Është me vend që Komiteti i Ministrave po shqyrton dhe racionalizon strukturën, punën dhe përparësitë buxhetore të Organizatës. Kjo do t’i sigurojë Organizatës një ndikim maksimal përmes punës së saj unike mbarëevropiane në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Reforma e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Ukraina, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria pranojnë se secila prej Kryesive tona të njëpasnjëshme do të përpiqet të mbështesë dhe të çojë përpara procesin e Interlakenit mbi të ardhmen e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, mbështetur në arritjet e Kryesisë turke dhe atyre paraardhëse dhe duke përfshirë marrëveshjet e përcaktuara në Deklaratën e Izmirit.

Gjykata është një pjesë kyçe e sistemit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropë. Sidoqoftë, ekziston një mënyrë e qartë që reforma të sigurojë efektivitetin e saj maksimal. Për t’u siguruar se vrulli i reformave do të ruhet dhe çdo çështje tjetër shtesë do të identifikohet e adresohet sa më shpejt të jetë e mundur, tri Kryesitë do të bashkëpunojnë për të siguruar dhënien në kohë të raporteve të kërkuara nën pikat 3, 4 dhe 5 të sektorit të Zbatimit të Planit të Veprimit Interlaken.

 
Posta Elektronike