RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Deklarata e fjalime te Kryetarit te Komitetit te M
Fjala e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, mbajtur në Sesionin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike

Faleminderit Zoti Kryetar!

Shkëlqesi,

Zonja dhe Zotërinj,

Jam vërtet i kënaqur dhe i nderuar t’i drejtohem këtij organi të shquar pan-Evropian në cilësinë time të re si Kryetar i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Gjatë 20 viteve të fundit, Këshilli i Evropës dhe institucionet e tij, kanë ndihmuar Shqipërinë të përmbushë detyrimet e saj për anëtarësim dhe tranzicionin drejt një demokracie me të drejta të plota. Sot, ne jemi këtu për të ofruar kontributin tonë për çështjet e të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe shtetit ligjor, që Këshilli i Evropës mishëron dhe promovon në mënyrë aq unike.

Shqipëria merr përsipër këto përgjegjësi me krenari dhe angazhim të fortë.

Para se të përshkruajmë prioritetet e Kryesisë së Shqipërisë, do të doja që të përshëndesja Kryesinë paraardhëse të Mbretërisë së Bashkuar, për punën e saj të lavdërueshme në krye të Komitetit të Ministrave.

Shqipëria do të punojë për të mbështetur dhe promovuar vlerat themelore të Organizatës, në përputhje me prioritetet për të cilat dy Kryesitë e mëparshme (Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar) dhe Shqipëria, ranë dakord vitin e kaluar.

Si një vend i cili krenohet për traditat e tij shekullore të multikulturalizmit dhe harmonisë ndërfetare, Shqipëria ka zgjedhur dialogun ndërkulturor, edukimin e tolerancës në veçanti për brezin e ri dhe bashkëjetesën si prioritete kyçe të presidencës së saj.

Kjo është një temë kryesore e Evropës së shekullit të 21, siç u deklarua edhe nga “Grupi i Personave të Shquar” të cilët me të drejtë theksuan në raportin e tyre të vitit 2011 se kjo mbetet një nga temat kryesore të këtij shekulli, gjë që vihet re edhe më shumë në kuadrin e krizës aktuale ekonomike, e cila i jep shkas tendencave populiste, ekstremizmit dhe bisedave ksenofobike e nacionaliste. Me këtë frymë, Presidenca shqiptare do të udhëhiqet nga moto “Të bashkuar në diversitet” dhe do të nisë një dialog të hapur mes të gjithë palëve të interesuara: vendet anëtare dhe ato vëzhguese, partnerët kryesorë ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile, Sekretari i Përgjithshëm dhe Personat e Shquar.

Në nëntor, ne do të organizojmë në Tiranë një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë për: Diversitetin në Europë, pasuri për të ardhmen, promovimin e dialogut ndërkulturor, rolin e edukimit të të rinjve në drejtim të promovimit të mirëkuptimit reciprok, tolerancës dhe integrimit më të mirë në shoqëri.

Për më tepër, kjo konferencë do të mbështesë plotësisht veprimtarinë aktuale të Sekretarit të Përgjithshëm me qëllim forcimin e dialogut të organizatës dhe bashkëpunimin me rajonet fqinje të Evropës. Ne besojmë se Organizata dhe secili prej vendeve tona, mund të jenë të dobishëm në vendet dhe shoqëritë e tyre.

Promovimi i qeverisjes dinamike demokratike, është një përbërës i domosdoshëm i demokracisë moderne. Demokracia lokale dhe rajonale do të qëndrojnë lart në listën e prioriteteve të përbashkëta. Puna jonë do të fokusohet veçanërisht në zbatimin efektiv të parimeve të vetëqeverisjes duke përdorur të gjithë potencialin e Këshillit të Evropës si përcaktues i standardeve në këtë fushë. Për këtë arsye, Shqipëria do të mbështesë Forumin e parë Botëror të Strasburgut për Demokraci, që do të mbahet në tetor 2012 gjatë Kryesisë së saj.

Një prioritet tjetër i përbashkët i “Kryesisë sonë të zgjeruar” është garantimi i efektshmërisë afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kryesia shqiptare do të vazhdojë më tej me zbatimin e masave te paraqitura në dokumentet politike të Interlakenit, Izmirit dhe Brighton-it. Miratimi unanim i Deklaratës së Brighton-it, është një dëshmi e qartë e angazhimit politik të të gjitha shteteve anëtare për zbatimin e duhur e të qëndrueshëm të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Shqipëria, do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e një rekomandimi mjaft të rëndësishëm, i cili synon të garantojë efektshmërinë afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në nivel kombëtar dhe Evropian.

Të nderuar kolegë,

Që prej marrjes së detyrës dy vjet e gjysmë më parë, Sekretari i Përgjithshëm Jagland, ka ndërmarrë një reformë të gjerë të Këshillit të Evropës, të forcojë rëndësinë e tij politike në arkitekturën evropiane dhe ta transformojë atë në një institucion më efikas dhe më fleksibël.

Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Komitetin e Ministrave në lidhje me rishikimin dhe racionalizimin e strukturës, punës dhe përparësive buxhetore të Organizatës. Në veçanti, kryesia jonë do të përqendrohet plotësisht në veprimtarinë aktuale të Sekretarit të Përgjithshëm për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin e Organizatës me rajonet fqinje të Evropës.

Gjatë qëndrimit në krye të Komitetit të Ministrave, ne do t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë tek të drejtat e grave dhe fëmijëve. Si një vend nënshkrues i Konventës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, Shqipëria do të inkurajojë vendet që ende nuk e kanë nënshkruar dhe ratifikuar këtë instrument, dhe do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë zbatimit të Strategjisë për Fëmijët 2012-2015 që do të nisë gjatë Kryesisë së saj.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, prioritetet e lartpërmendura mund të zbatohen siç duhet vetëm nëse ne bashkojmë përpjekjet tona dhe forcojmë bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me Bashkimin Evropian dhe OSBE-në.

Shqipëria vlerëson avantazhet e ofruara nga programi dyvjeçar 2012-2013 dhe buxheti në lidhje me perspektivat e bashkëpunimit me BE-në, që sigurojnë mbështetjen kryesore financiare për programet e bashkëpunimit të KiE në vendet Juglindore dhe jo vetëm. Ndërsa OSBE-ja, luan një rol mjaft të rëndësishëm në nxitjen e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë, gjithashtu edhe në promovimin e tolerancës, jo-diskriminimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave qe u përkasin pakicave kombëtare.

Të nderuar miq e kolegë!

Në përputhje me politikën e saj të jashtme, Shqipëria do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë nxitjes së bashkëpunimit rajonal përgjatë aktiviteteve të saj të Kryesisë. Duke qenë një vend me një rol të njohur stabilizues dhe moderues në rajon, Shqipëria është dhe do të mbetet e angazhuar për një integrim më të gjerë mes vendeve të rajonit, dhe për ta çuar atë më tej drejt integrimit evropian.

Ne e vlerësojmë shumë rolin e KiE-së në rajonin e Ballkanit. Do të doja të theksoja veçanërisht rëndësinë e përfshirjes së Këshillit të Evropës në Kosovë, në promovimin e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, me një synim të dukshëm për t’u ofruar të gjithë qytetarëve që jetojnë aty, një perspektivë të qartë evropiane. Kosova duhet të jetë një zonë multi-etnike dhe e sigurt për të gjithë qytetarët e saj, ku standardet e KiE-së duhet të forcohen vazhdimisht dhe ku instrumentet kyçe evropiane duhet të zbatohen plotësisht së bashku me mekanizmat e kontrollit. Pozicioni ynë kombëtar është mëse i qartë. Ne jemi në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës, do të përfitonin maksimalisht nga KiE-ja, dhe do të hynin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Pavarësisht mendimeve tona të ndryshme për statusin e Kosovës dhe duke pasur parasysh qëndrimet neutrale të KiE-së për Kosovën, jam plotësisht i bindur se të gjithë ne duhet të pranojmë një përfshirje më të madhe të KiE-së në Kosovë, duke mbështetur Rekomandimin pragmatik 1739 (2010) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me qëllim promovimin e kontakteve të drejtpërdrejta e të rëndësishme ndërmjet stafit te KiE-së dhe autoriteteve kosovare në të gjitha nivelet.

Së fundi, Zoti Kryetar, më lejoni të mbyll këtë ndërhyrje duke theksuar se programi ambicioz i Kryesisë së Shqipërisë, do të udhëhiqet nga interesi kryesor i Organizatës. Shumëllojshmëria e pikëpamjeve të vendeve anëtare, do të trajtohen siç duhet përmes konsultimeve dhe diskutimeve të vazhdueshme. Do të doja t’ju ftoja të gjithëve të mbështesni synimet tona të përbashkëta, në mënyrë që të konfirmojmë konceptin e unitetit përmes diversitetit.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe pres me padurim të bashkëpunojmë ngushtë në muajt që do të vijojnë.

Faleminderit!

 
Posta Elektronike