RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Intervistë e Ministrit të Jashtëm Z. Ditmir Bushati për Zërin e Amerikës PDF Shtyp E-mail
E Marte, 24 Shtator 2013

Pyetje: Z. Bushati së bashku me Kryeministrin Rama ju patët një vizitë në Bruksel. Presidenti i Komisionit Evropian ka theksuar se për Shqipërinë priten veçanërisht hapa në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që ajo të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor. E njëjta gjë u theksua edhe sot në takimet që ambasadori amerikan pati me zyrarët në Tiranë. A shihet si i realizueshëm ky objektiv duke qenë se edhe koha siç theksoi edhe z. Barroso nuk pret?

Z.Bushati: Ky është një objektiv i realizueshëm, pavarësisht se dhjetori është shumë pranë nesh. Por është bërë e njohur që integrimi evropian dhe më specifikisht arritja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim përbën një objektiv madhor për qeverinë ku unë bëj pjesë dhe është një nga objektivat kryesorë të politikës së jashtme.

Pra është një çështje që është e mundshme dhe ne do t’i dedikojmë të gjithë vullnetin e duhur dhe të gjitha kapacitetet për ta përmbushur më së miri këtë objektiv.

Pyetje: Z. Bushati, marrja e statusit të vendit kandidat është një hap përpara, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është ajo që krijon një marrëdhënie të re me Brukselin. A  ka një objektiv qeveria juaj, se  kur mendon se mund të arrijë hapjen e këtyre bisedimeve?

Z. Bushati: Absolutisht, ju falenderoj për pyetjen. Objektivi kryesor është hapja e bisedimeve për anëtarësim ose thënë ndryshe rekomandimi nga ana e Komisionit Evropian për të filluar bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe ne do të përpiqemi që ta afrojmë sa më shumë që të jetë e mundur këtë date, për të filluar menunë e diskutimeve serioze me Bashkimin Evropian mbi të gjitha kapitujt e Acquis Communautaire që do të përkthenin standarde të prekshme nga qytetarët shqiptarë dhe jo thjesht miratime ligjesh.

Pyetje: Ashtu si edhe qeveritë e mëparëshme edhe kjo qeveri e konsideron Greqinë si një partner stategjik. Megjithatë marrëdhëniet me këtë shtet fqinj kanë kaluar situata të tensionuara. Janë të paktën dy raste që kanë kontribuar në këtë tensionim, ai i kufijve detar dhe rasti i Kishës Ortodokse në Përmet.  Madje për këtë të fundit Tirana e konsideroi qëndrimin e Athinës si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Cili është qëndrimi i qeverisë tuaj për këto dy raste?

Z. Bushati: Për fat të keq marrëdhënia me fqinjin tonë Greqinë është karakterizuar nga një lloj menaxhim krizash në kufi, apo për raste të tjera që kanë ndodhur në territorin shqiptar, ndërkohë  që ne duam që ta ngremë ambicjen edhe në raport me Greqinë, të hapim një kanal të ri komunikimi, ne menyre qe çështje të cilat janë pjesë e agjendës dhe nuk janë adresuar, të marrin një trajtim në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, në përputhje me rregullat e themeluara të marrëdhënieve ndërkombëtare  dhe gjithashtu duke patur parasysh aspiratën tonë për t’ju bashkëngjitur familjes së madhe evropiane.

Gjeografia nuk është më një opsion dhe kur vjen puna tek fqinjët ne jemi të detyruar të bashkëjetojmë dhe të bashkëndajmë fatin tonë dhe kjo qeveri do të jetë shumë e qartë në hapat që do të ndërmarre për të përmirësuar në mënyrë radikale marrëdhëniet me të gjithë fqinjët tanë, sepse siç është bërë e ditur edhe nga Kryeministri, një nga motot e politikës sonë të jashtme është : “Zero probleme me fqinjët”.

Pyetje: Por a synon Qeveria Rama të hapi bisedimet për kufirin detar të Shqipërisë?

Z. Bushati: Qeveria jonë në raport me Greqinë ka disa çështje apo disa tema të cilat janë të mbartura me vite, apo mund të themi me dekada,  dhe të gjitha këto çështje do të duhen që të bëhen pjesë e një diskutimi serioz me palën greke, një diskutimi që mban në vëmendje qartësisht të drejtën ndërkombëtare, që mban në vëmendje praktikat më të mira të marrëdhënieve ndërkombëtare, politikën e fqinjësisë së mirë dhe avenirin tonë evropian.

Në këtë pikëpamje mund t’ju them se ka një gatishmëri të plotë nga ana e qeverisë për të hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve me Greqinë, duke respektuar e ritheksoj të drejtën ndërkombëtare, parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Pyetje: Mes partnerëve startegjikë tradicional të vendit këtë herë Qeveria ka përfshirë edhe Turqinë. Ku e bazoni këtë dhe a pritet të shohim një intensifikim të lidhjeve dypalësh dhe nëse po në çfarë fushash?

Z. Bushati: Përsa i përket rajonit, qeveria le të themi ka nominuar si marrëdhënie më stategjike me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. Dhe vizitat tona para se të merrnim detyrën zyrtarisht janë përqendruar kryesisht në këto vende. Turqia përbën një realitet të ri në rajon, ka qenë një nga vendet mbështetëse për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, është një vend që ka një peshë të caktuar, specifike në rajonin e Ballkanit madje edhe në zonën e Mesdheut. Është një lloj ure lidhëse mes botës arabe apo Lindjes së Mesme dhe Ballkanit Perëndimor, është një ndër pikat kryesore le të themi për investime në këtë zonë dhe në këtë kontekst ne kemi hapur një kanal të ri komunikimi edhe me qeverinë turke dhe dëshiroj që të kemi një intensifikim të marrëdhënieve edhe me Turqinë.

Ka patur shumë spekulime në këtë drejtim, marrëdhëniet tona strategjike me Italinë, Greqinë dhe Turqinë nuk janë marrëdhënie as rivaliteti, as marrëdhënie që përjashtojnë njërin apo tjetrin vend, janë marrëdhënie përplotësuese në funksion të përjetësimit të aspiratës tonë si një vend anëtar i NATO-s me të drejta të plota dhe me përgjegjësi të plotë në Ballkanin Perëndimor dhe si një vend i cili aspiron anëtarësimin në BE.

Pyetje: Pas takimit që patët me Ambasadorin Amerikan Arvizu ju shprehët se keni kërkuar ekspertizë amerikane për t’u atashuar apo për të bashkëpunuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme për të ndihmuar në projektimin edhe më të mirë të Shqipërisë në rajon. Përse ju e shikoni  të nevojshme ekspertizen e huaj për poitikën e jashtme të vendit dhe çfarë ndihme keni kërkuar konkretisht?

Z. Bushati: Së pari duhet të definojmë se çfarë konsiderojmë një ekspertizë të huaj. Po i kërkojmë ndihmë partnerit tonë strategjik, që lindja e shtetit shqiptar dhe të gjitha zhvillimet e rëndësishme të shtetit shqiptar janë pazgjidhshmërit të lidhura me të. Se dyti kemi një realitet të ri në rajon pas anëtarësimit të Kroacisë në BE, Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s në hapësirën e Ballkani Perëndimor dhe që kërkon të luajë një rol të ri. Së treti kemi një situatë të re në rajon pas marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës që imponon dhe kërkon që të kemi një realitet të ri.

Së katërti, me keqardhje e them që në të shkuarën ka patur luhatje në marrëdhëniet mes Shqiperisë dhe SHBA-ve, ka patur insinuata të ndryshme dhe nuk ka patur një nivel bashkëpunimi politik apo konsultimi me ekspertiza për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me rajonin. Dhe në këtë pikëpamje i kam kërkuar zyrtarisht qeverisë së Shteve të Bashkuara të Amerikës përmes përfaqësuesit të Presidentit të SHBA-ve në Tiranë që të kemi një asistencë të vazhdueshme nga pala amerikane që do të na ndihmonte jo vetëm për të patur një nivel bahkëpunimi strategjik, një nivel konsultimesh, për qëndrime që duhen mbajtur jo thjesht në rajon por edhe në arenën ndërkombëtare, që do të duhet të kishim mbështetjen e SHBA-vë për teknika të reja të diplomacisë publike dhe për një projektim sa më të mirë të faktorit shqiptar, si factor stabilizues dhe paqësor shqiptar në rajon.

Pyetje: Më duhet të them që marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë kanë qenë të shkëlqyera, kam parasysh fjalën e mbajtur nga Sekretarja Klinton vitin e kaluar në parlamentin shqiptar.

Z. Bushati: Marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë kanë qenë të shkëlqyera por luhatje kanë patur, sepse ne të gjithë jetojmë në Shqipëri dhe ne të gjithë kemi ndjekur opinionet e shprehura në publik për qendrime të caktuara zyrtare të SHBA-vë në Shqipëri. Sikundër retorika nacionaliste e vitit të fundit ka qenë një retorikë e cila e dëmtuar kredibilitetin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë.

Prandaj ne duam që të kemi një situatë të re, një marrëdhënie të re e cila nuk është thjesht e karakterit politik por është e karakterit strategjik, e cila përpunohet me nivel ekspertize të poltikës së jashtme që do ta ndihmonin Shqipërinë për të patur një kurs sa më demokratik, sa më konstruktiv dhe sa më inspirues në rajon. Dhe të mos harrojmë SHBA-të kanë qenë sponsori kryesor i shtetit shqiptar, dhe kanë qenë sponsori kryesor për të patur një Shqipëri sa më demokratike dhe sa me inspiruese në rajon, në radhë të parë për shqiptarët kudo ku ata jetojnë në rajon dhe në radhë të dytë për të dhënë kontributin e tyre që rajoni të përshpejtojë ritmin drejt anëtarësimit të BE.

Pyetje: Në programin e qeverisë tuaj thuhet se ju do ta racionalizoni shërbimin dilomatik shqiptar. A pritet një shkurtim i numrit të ambasadave?

Z. Bushati:  Shkurtimi i numrit të ambasadave do të ishte një menu e thjeshtëzuar për të racionalizuar shërbimin e jashtëm sot për sot. Ne jemi në kontakte me shërbimin evropian për marrëdhënie me jashtë. Baronesha Ashton ka shprehur gjithë mbështetjen e saj për të na mbështetur në këtë projekt të rëndësishëm.

Vendi është përballë disa sfidave të mëdha. Pas marrjes së statusit kandidat me fillimin e bisedimeve për anëtarësim, i gjithë shërbimi me jashtë duhet të strukturohet në funksoin të këtij objektivi kombëtar. Është një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar që kërkon një eksternalizem të suksesshëm por edhe reforma të brendshme, pra janë të dyja dimensionet dhe në këtë kuptim racionalizimi i prezencës tonë në botë, i mënyrës se si do të ushtrojmë diplomaci, i shërbimeve, i teknikave i të gjitha këtyre çështjeve do të duhet  që të shikohet me një sy sa më gjakftohtë dhe do të duhet që të mos jetë një produkt shqiptar bio, por të jetë në bashkëveprim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe në rastin në fjalë, me shërbimin evropian për marrëdhëniet me jashtë, që ka një ekspertizë në këtë dretim.

Gazetarja: Z. Ministër ju faleminderit për intervistën.

Z. Bushati: Faleminderit, ishte kënaqësi.

 
Posta Elektronike