RSS

  • Increase font size
  • Default font size
Interviste e Ministrit Bushati për televizionin Top Channel PDF Shtyp E-mail
E Enjte, 26 Shtator 2013

Pyetje: Zoti Bushati, përshëndetje! Ju keni pasur takime me homologët tuaj në Nju Jork, ndërkohë që vlerësojmë si më të rëndësishmin atë me zotin Venizellos. Mes Greqisë dhe Shqipërisë ka disa çështje të hapura mbi tryezë, ndërkohë që ka nisur sërish problemi i toponimeve dhe vendlindjes së fëmijëve shqiptarë. A keni diskutuar për ndonjë zgjidhje për çështjet emergjente si kjo dhe a kemi një strategji për sheshimin e kontradiktave për çështje të tjera si ajo e kufirit detar?

Ministri Bushati: Kam pasur disa takime në Nju Jork. Në kuadër të këtyre takimeve kam pasur edhe me zotin Venizellos. Natyrisht që ka dy pista, njëra ka të bëjë me adresimin e çështjeve të cilat janë të së shkuarës, të viteve të shkuara, të dekadave të shkuara. Janë disa, jo thjesht këto që u emërtuan nga ju.  Dhe ndërkohë, nga ana tjetër kemi parasysh të punojmë për ngritjen e një partneriteti të fortë strategjik me fqinjët në funksion të çështjeve që ne na mbajtën së bashku si fqinj. A ka apo s`ka strategji qeveria shqiptare për të adresuar këto çështje, natyrisht që ekziston i gjithë vullneti i palës shqiptare. Mund të them që takimi është zhvilluar në një dozë realizmi. Pashë të njëjtin disponibilitet edhe nga Ministri Venizellos dhe një pjesë e tezave që ne diskutuam, do të zhvillohen me tej edhe në vizitën që ai do të bëjë, pra në vizitën zyrtare që ai do të bëjë në 14 tetor në Tiranë.  

 

Pyetje: Keni takuar edhe ministrin serb të Jashtëm. Cilat janë çështjet e pazgjidhura mes Tiranës dhe Beogradit?

Ministri Bushati: Me Ministrin e Jashtëm serb diskutuam për intensifikimin e mëtejshëm të kontakteve mes dy vendeve tona, dhe aq më tepër në një situatë të re që ka rajoni pas marrëveshjes Serbi-Kosovë, në funksion të intensifikimit të projekteve të karakterit rajonal për të pasur një qasje sa më të drejtë dhe sa më solide përkarshi Brukselit. Besoj që ka disa çështje që na mbajnë bashkë siç ka edhe qëndrime të kundërta, për çështje të tjera.

Pyetje: Po flitet këto ditë për një iniciativë për krijimin e një unioni ballkanik perëndimor me vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë. A është diskutuar kjo çështje në Nju Jork? Nëse po, çfarë është ajo dhe çfarë qëndrimi ka qeveria e re Shqiptare?

Ministri Bushati: Natyrisht që kjo është një çështje që ka qenë pjesë e mënyrës së diskutimeve me disa homologë, kryesisht të vendeve të rajonit. Nesër do të ketë një takim edhe më të posaçëm të Ministrave të vendeve respektive.

Është gjithmonë e arsyeshme që të ketë iniciativa rajonale dhe këto iniciativa shpesh duartrokiten edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Por, nga ana tjetër, qeveria shqiptare duhet të ketë një qasje të kujdesshme sepse nuk është se mungojnë iniciativat në rajon. Iniciativat rajonale janë mbi 100 të tilla dhe duhet të shohim efektivitetin e këtyre nismave ekzistuese, në rast se duhet ti përforcojmë këto nisma, në rast se duhet ti bëjmë me një pjesëmarrje sa më efektive dhe në rast se këto di t`i shërbejnë sa më shumë përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Për ne si Shqipëri, është e rëndësishme që të ketë nisma të cilat nuk krijojnë një getorizim të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së  dhe nisma të cilat gërshetojnë më mirë praktikat e vendeve të tilla si Sllovenia dhe Kroacia, praktika të suksesshme në BE, apo vende të tjera që janë pjesë e Evropës Juglindore, do të përmend këtu kryesisht Rumaninë, Bullgarinë  dhe Turqinë. Në këtë kontekst do të jetë edhe përgjigja jonë në takimet që do të ketë për propozimin e sponsorizuar kryesisht nga Mali i Zi.

Pyetje: Në fundjavë do të kemi fjalën e kryeministrit Rama përpara Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Cilat janë pikat ku do të përqëndrohet ajo?

Ministri Bushati: Besoj se opinioni publik do të njihet të shtunën me fjalën e Kryeministrit, në OKB. Pikat janë të lidhura kryesisht me vizionin e qeverisë së re për politikën e jashtme, për rajonin, për zhvillimet ndërkombëtare, për sfidat me të cilat përballet OKB-ja dhe për rolin që ka Shqipëria në arenën ndërkombëtare.

Last Updated on E Enjte, 26 Shtator 2013
 
Posta Elektronike