Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati në takim me përfaqësues të Shërbimit te Jashtëm Evropian dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Ettore Sequi Shtyp
E Hene, 25 Nentor 2013

Sot, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati priti në një takim Shefin e Njësisë për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Europian (EEAS), z. Jonas Jonsson  dhe z. Terkel Petersen, eksperti për Shqipërinë në EEAS, si dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Ettore Sequi.

Gjatë takimit, Ministri Bushati shprehu vlerësimin për rolin e Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Europian në rajonin tonë.

Duke u ndalur tek vendi ynë, Ministri Bushati vuri në dukje se Komisioni Europian në datë 16 tetor rekomandoi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, pasi vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në plotësimin e përparësive kyçe të evidentuara nga Këshilli i dhjetorit të vitit të kaluar.Gjithashtu, Ministri Bushati evidentoi rezultatet më të fundit të arritura nga Shqipëria, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

 

Përfaqësuesit e Shërbimit të Jashtëm Europian shprehën vlerësim për rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Ata vlerësuan gjithashtu progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve të kërkuara në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat. Në këtë kuadër, të dy palët shprehën besimin se Dialogu i Nivelit të Lartë për Përparësitë Kyçe Shqipëri/BE do t’i shërbejë avancimit të mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.

Në vijim, Ministri Bushati dhe përfaqësuesit e Shërbimit të Jashtëm Evropian shkëmbyen mendime mbi zhvillimet më të fundit në Ballkanin Perëndimor.