Konferencë mbi Shqipërinë më 4 dhjetor në Akademinë Diplomatike të Vjenës Shtyp
E Hene, 10 Dhjetor 2012

Ju vëmë në dijeni, se më datë 4 dhjetor 2012, Ambasada e RSH-së në Vjenë në bashkëpunim me Akademinë Austriake për Paqe, ka organizuar në ambientet e Akademisë Diplomatike të Vjenës një konferencë (programi bashkëlidhur) me titull “100vjetori i Themelimit të Shtetit Shqiptar”. Në konferencë mbajtën fjalë Ambasadori i RSH-së në Austri, Dr. Vili Minarolli, këshilltari i Ambasadës, z. Egin Ceka, drejtori i Austrian Peace Academy, z. Günther Rozenits, si dhe filozofi austriak Eduard Habsburg-Lothringen. Në aktivitet morën pjesë zyrtarë të lartë të Ministrisë federale për çështje evropiane dhe ndërkombëtare të Austrisë, mes tyre edhe drejtoresha e seksionit për Ballkanin Perëndimor, Ambasadore Heidemarie Gührer; përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Austri, mes tyre edhe Ambasadori i Kosovës në Austri, z. Dr. Sabri Kiqmari; anëtarë të shquar të komunitetit shqiptar në Austri, përfaqësues të mediave dhe të institucioneve publike dhe shkencore austriake etj.

Fjala e hapjes u mbajt nga Ambasadori i RSH-së në Austri, z. Dr. Vili Minarolli, i cili u fokusua tek marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë. Duke vënë në dukje përkatësinë e shqiptarëve në familjen evropiane, Ambasadori Minarolli theksoi gjithashtu rolin që kanë luajtur shqiptarët në mbrojtje të civilizimit evropian. Duke marrë pjesë në përpjekjet e fqinjëve të tyre për liri, shqiptarët u bënë gjithashtu pjesë e rëndësishme e historive të tyre, u shpreh Ambasadori. Në lidhje me rolin që luan Shqipëria sot në arenën ndërkombëtare, Ambasadori shtoi, se “edhe sot shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe më tej”.

Ambasadori Minarolli vlerësoi maksimalisht mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në këto 100 vjet. Në këtë kontekst Ambasadori nënvizoi pjesëmarrjen e lartë të Austrisë në festimet e 100vjetorit të Pavarësisë më 28 nëntor 2012 nëpërmjet prezencës së zv.kancelarit dhe ministrit të jashtëm Dr. Michael Spindelegger. Rezultat i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve ishte edhe huazimi nga Muzeu i Historisë së Artit i Vjenës i armëve të Heroit Kombëtar dhe ekspozimi i tyre në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, shtoi Ambasadori.

Në vijim, këshilltari i Ambasadës së RSH-së në Austri, z. Egin Ceka, mbajti një kumtesë të titulluar “Një Shekull Shqipëri. Retrospektivë dhe perspektivë”. Kumtesa u përqendrua në stacionet kryesore të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 100 vite. Pasi u bë një ekspoze e situatës së vështirë të shqiptarëve në prag të shpalljes së pavarësisë, u nënvizua roli vendimtar i Austro-Hungarisë për zmbrapsjen e tentativave ekspansioniste të fqinjëve ballkanikë si dhe për përcaktimin e kufijve të Shtetit Shqiptar. U vunë në dukje gjithashtu iniciativat e hershme austriake për të realizuar projekte infrastrukturore dhe edukative në Shqipëri gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore. Si shembull i spikatur u përmendën studentët shqiptarë që studiuan në Austri në këtë kohë, të cilët u bënë pjesë e elitës intelektuale shqiptare.

Kumtesa vlerësoi rolin stabilizues të qeverisjes së Ahmet Zogut në kohën ndërmjet dy luftërave botërore. U nënvizuan si tepër të rëndësishme për shtetformimin fillimet e një administrate moderne, vendosja e kodit civil, transferi i dijes dhe i teknologjisë nga jashtë; njëkohësisht u vunë në dukje vështirësitë e kësaj qeverisjeje si rrjedhojë e politikave të jashtme të fqinjëve, si dhe fundi i epokës së Zogut për arsye të pamundësisë për t’i bërë ballë interesave imperiale të Italisë.

Në lidhje me periudhën e diktaturës komuniste u vunë në dukje veçoritë e regjimit në Shqipëri si: izolimi total i vendit dhe i njerëzve; dënimi kolektiv familjar për arsye politike; kontrolli totalitar i sferës publike dhe private.

Në lidhje me fazën aktuale të historisë së Shqipërisë theksi u vu tek sfidat dhe shanset që rrjedhin sidomos nga proceset globale. Shqipëria përballet sot me sfida sociale dhe ekologjike; rënia e shtetit totalitar komunist u pasua me tendenca për të rrënuar themelet e shtetit postsocialist. Në anën tjetër u vunë në dukje arritje shoqërore dhe politike të kësaj periudhe, siç janë: Vendosja e një sistemi funksional demokratik, parlamentar dhe ligjor; zelli i shqiptarëve për të studiuar, si urë lidhëse e Shqipërisë me Evropën dhe Perëndimin; proceset integruese të Shqipërisë si anëtare e NATO-s që nga 2008 dhe si kandidate potenciale për anëtarësim në BE.

Drejtori i Akademisë Austriake të Paqes, z. Rozenits, në kumtesën e tij të titulluar “Roli i Austrisë për zhvillimin e Shqipërisë” i kushtoi rëndësi të veçantë komunitetit shqiptar në Austri. Në bazë statistikash dhe të dhënash të tjera empirike ai dha një imazh të përafërt të numrin të shqiptarëve në Austri  si dhe të nivelit të integrimit të tyre në Austri, të cilin e vlerësoi maksimalisht.

Gjithashtu z. Rozenits u ndal edhe tek roli që ka luajtur historikisht Austria për stabilizimin e Shqipërisë, p.sh. gjatë Konferencës së Londrës 1912-13 për caktimin e kufijve të Shqipërisë si të ushtarakëve austriakë që zbatuan këto vendime në terren.

Në lidhje me marrëdhëniet aktuale, z. Rozenits përmendi rolin që kanë luajtur qeveritë austriake që nga vitet 90 për mbështetjen e Shqipërisë në kohën e tranzicionit. Po ashtu u përmendën edhe marrëdhëniet ekonomike, konkretisht projektet e mëdha energjetike të firmave EVN dhe Verbund, prezenca në sektorin financiar të Raiffeisen Bank, në atë të sigurimeve të UNIQA-s dhe Vianna Insurance Group etj.

Rëndësi e veçantë iu kushtua rolit austriak në fushën e edukimit duke u përmendur si shembull suksesi shkolla austriake “Peter Mahringer” në Shkodër, e cila jep diploma që kualifikojnë për studim në Shqipëri dhe në Austri.

Filozofi Eduard Habsburg-Lothringen, pasardhës i familjes perandorake të Habsburgëve, mbajti fjalën festive të konferencës. Duke vënë në dukje dituritë dhe informacionet e pakta në publikun e sotëm austriak, ai i bëri thirrje sidomos brezit të ri në Austri që të njohë më shumë rajonin e Ballkanit dhe sidomos Shqipërinë si pjesë të historisë së lidhur ngushtë me Perandorinë e Habsburgëve.

Aktiviteti u mbyll me pyetje dhe komente nga publiku dhe përgjigje nga të pranishmit. Në përfundim u organizua edhe një pritje me ushqime tipike shqiptare dhe me një verë austriake të kantinës Geyer të emëruar “Vera e Njëqindvjetorit” për nder të pavarësisë së Shqipërisë.