Aktivitete me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë në Budapest Shtyp
E Marte, 11 Dhjetor 2012

Në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë Ambasada e Republikës së Shqipërisë  në Budapest zhvilloi disa aktivitete, të cilat kulmuan me mbrëmjen festive më datën 4 dhjetor 2012.

Aktivitetet gjatë javës së pavarësisë filluan me  ceremoninë  përkujtimore në nderim të viktimave të diktaturës komuniste. Ambasada e Republikës së Shqipërisë organizoi këtë aktivitet  në bashkëpunim me  “Gloria Victis Foundation”. Në Memorialin në nderim të  100 milionë viktimave të  komunizmit u vendos  pllaka përkujtimore me mbishkrimin ” Në kujtim të viktimave shqiptare  të diktaturës komuniste.

Ambasadorja  znj. Mira HOXHA  zhvilloi një takim me një grup gazetarësh në televizionin kombetar MTVA. Emisioni titullohej “Traditë, turizëm  dhe histori, 100 vjet Shqipëri”. Pjesmarrja e Kryeministrit hungarez në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë në Shqipëri dhe pasqyrimi që i bëri medja e shkruar dhe vizive hungareze, shtoi interesin e gazetarëve për të marrë pjesë në këtë takim.Në praninë e rreth 50 gazetarëve dhe të pranishmëve të tjerë znj. HOXHA ju përgjegj pyetjeve të shumta, të cilat u fokusuan në informacionin e detajuar rreth Shqipërisë në të gjitha aspektet e jetës. Interesim të veçantë pati rreth historisë, traditave kulturore dhe bukurive natyrore të Shqipërisë, (Në monitor u pasqyruan foto me pamje nga bukuritë e vendit tonë) dhe kulturës e turizmit shqiptar.

Nga shumë gazetarë të pranishëm ju kërkua znj. HOXHA programimi për  dhënien  e intervistave në ditët në vijim në televizionet dhe gazetat e tyre.

Në koktejlin e organizuar me këtë rast të pranishmëve ju servirën prodhime të  kushinës  shqiptare.

Në bashkëpunim me piktorin Gjovalin Paci, ambasada jonë mundësoi hapjen e ekspozitës me piktura të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ekspozita u hap në “Szépművészeti Múzeum”, Budapest, ku u ekspozuan 40 punime, portrete të Skënderbeut. Të pranishmit ndoqën me interes këtë ekspozitë dhe patën mundësinë të njiheshin rreth  bashkëpunimit të  heroit tonë kombëtar  me Janosh Huniadin.

Aktivitetet vijuan me hapjen e ekspozitës “ 100 vjet shtet, mijëra vjet identitet’’ me kostume  tradicionale nga të gjithë trevat shqiptare, të stilistes Edlira Sulaj. Kjo ekspozitë u hap në Muzeun e Arteve të Bukura në Budapest. Rreth 20 kostume kombëtare u ekspozuan në këtë ekspozitë , disa prej të cilëve u veshën nga vajzat shqiptare. Për të pranishmit ngjallën shumë interes larmia e kostumeve dhe ruajtja e traditës popullore në këto kostume të punuara me dorë.

Më datën 3 dhjetor 2012, në kuadrin e javës kulturore me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë,  në teatrin “Urania” u dha një koncert nga pianistja Almira Emiri & Friends. Në këtë koncert ishin të pranishëm përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Budapest, personalitete nga fusha e artit dhe kulturës, miq e dashamirës të Shqipërisë, përfaqësues nga diaspora , etj.

Ishin të pranishëm gjithashtu ambasadorja e Republikës së Shqipërisë znj. Mira HOXHA dhe ambasadorja e Republikës së Kosovës znj. Shkëndije SHERIFI.

Në fjalën e rastit u vunë në dukje rëndësia  që pati shpallja e pavarësisë më 28 nëndor 1912 dhe sukseset e arritura nga Shqipëria në këto vite të tranzicionit. Pianistja Emiri dhe grupi ekzekutuan me mjeshtëri ndër të tjera dhe lirikat shqiptare, ku u shqua me interpretimin e saj violonçelistja kosovare Rina Kaçinari.

Më datën 4 dhjetor 2012 në Muzeun e Arteve të Bukura të Budapestit Ambasadorja znj.Mira HOXHA dha një pritje për Trupin Diplomatik të akredituar në Hungari, përfaqësues të instutucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, përfaqësues nga institucionet e biznesit, artit dhe shoqërisë civile, përfaqësues të diasporës, miq e dashamirës të Shqipërisë. Në këtë pritje ishte i pranishëm N/Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë z. Latorcai JANOS.

Pas ekzekutimit të  himneve kombëtare të të dy vendeve, ekzekutuar me mjeshtëri nga sopranoja hungareze  Katalin Pitti dhe pianistja shqiptare Almira Emiri, e mori fjalën znj. HOXHA.

Në fjalën përshëndetëse Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë znj. Mira HOXHA ndër të tjera vuri në dukje përpjekjet e popullit shqiptar në rrugën e tij për liri e  pavarësi. Shqipëria ka kaluar nëpër kohë shumë të vështira në këto 100 vitet e fundit, në luftëra, pushtime, në një nga diktaturat më të këqija në historinë e njerëzimit dhe një tranzicion të vështirë drejt demokratizimit, ndërsa tani Shqipëria feston 100-vjetorin e saj si vend i lirë dhe  demokratik, si një anëtar i NATO-s, si një vend dhe popull që ushqen dëshirën më të madhe për t'u bashkuar me Evropën, si një faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë dhe si një vend që ndihet  krenar për transformimet e mëdha që ka arritur në një kohë kaq të shkurtër.

Në vijim të përshëndetjes së saj znj. HOXHA u ndal në  bashkëpunimin mes dy vendeve tona, në vizitën e kryeministrit Orban në ceremoninë e kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë në Tiranë, si një mesazh i qartë i miqësisë dhe bashkëpunimit të shkëlqyer historik  në mes vendeve tona dhe si një dëshmi e rrugës tonë të gjatë në këto  90 vjet marrëdhënie diplomatike.

N/Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë z.  Latorcai JANOS. përshëndeti në emër të autoriteteve hungareze. Ndër të tjera  ai theksoi se në rrjedhën e historisë qytetarët e Shqipërisë dhe të Hungarisë kanë kuptuar disa herë se pavarësia nuk është dhuratë, por ajo arrihet duke u angazhuar në luftë, duke hequr dorë ndonjëherë nga jetët tona për të promovuar kauzën e shtetit tonë.

Shqiptarët dhe hungarezët kanë fituar eksperienca shumë të ngjashme në luftën e tyre për pavarësinë. Ne mbijetuam me ndihmën që morëm nga njeri tjetri. Fitoret tona historike u bënë të njohura në gjithë botën. Kontaktet tona politike janë tashmë të intensifikuara dhe këto marrëdhënie i kanë sjellë një jetë të re aleanceave historike mes shqiptarëve dhe hungarezëve. Aleancat tona janë të rrënjosura në dashurinë tonë për lirinë, në kujtimet e luftrave tona për pavarësinë kombëtare dhe në fushatat historike të udhëhequra nga Skënderbeu dhe Janos Hunyadi kundra perandorisë osmane. Këto janë themelet në të cilat mbështetet mirënjohja dhe respekti mes dy vendeve.

Një shënjë e qartë e këtij respekti, vijoi z. JANOS, ka qënë  pjesmarrja e kryeministrit Viktor Orban në  eventin  përkujtimor në Tiranë, pjesmarrja e  Zv/Kryeministrit  Zsolt Semjen në ceremoninë e rivarosjes së Familjes mbretërore, ku midis tyre është edhe mbretëresha me origjinë hungareze, Geraldine Apponyi.

Hungaria e sheh Shqipërinë si një vend mik dhe aleat. Ne jemi të bashkuar sepse ndajmë përvoja historike të ngjashme në shumë aspekte. Ne kemi luftuar për të arritur dhe për të mbrojtur pavarësinë kombëtare. E kaluara jonë e përbashkët përcakton të tashmen  dhe harton një rrugë të qartë për vendet tona. Kjo rrugë na çon drejt bashkëpunimit, bazuar në vlerat tona të përbashkëta.

Hungaria, vijoi z. JANOS, është e angazhuar për të mbështetur ambiciet euro-atlantike të vendeve tona fqinje. E bëjmë këtë gje sepse ne besojmë vendosmërisht se kjo është mbrojtja e vetme më e rëndësishme që siguron stabilitet në rajon dhe në Evropë.  Ne jemi të kënaqur të shprehim mirënjohje për progresin shembullor që Shqipëria ka bërë në këtë drejtim dhe jemi të sigurt që arritje me mbreselënëse do ndodhin së shpejti.

Gjatë vizitës sime në Shqiperi, jo vetëm vërejta kompetencën dhe ambiciet për integrimin në BE të Parlamenti shqiptar dhe sidomos atë të kryetares së tij, Znj. Jozefina Topalli,  por vlerësova mikpritjen shqiptare.

Në përfundim të përshëndetjes së tij z. JANOS theksoi se duke u bazuar në eksperiencën time shqiptare, jam i sigurt se hyrja e Shqipërisë në BE është tepër e afërt. Hungaria mbështet antarësimin e Shqipërisë në BE me veprime të qarta dhe do vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

Më pas në skenë u ngjit grupi i Shoqërisë kulturore artistike “Presheva Jehon”, nga Presheva, i cili me interpretimin e Valles së shqipeve dhe valles së Preshevës i dha bukurinë këtij aktiviteti. Gjithashtu në këtë ambient ishin të pasqyruara pikturat e piktorit Gjovalin Paci me portretin e Skënderbeut dhe kostumet kombëtare të stilistes Edlira Sulaj.

Rreth 400 të  pranishmit në sallë, krahas gatimeve nga kuzhina dhe pijet tradicionale shqiptare,  shijuan pamjet e mrekullueshme të vendeve piktoreske turistike nga Shqipëria të transmetuara në një mnitor të madh gjatë gjithë aktivitetit. Grupi ‘‘Presheva jehon” interpretoi pjesë të tjera nga repertori i vet duke ngjallur interesim të jashtzakonshëm për të pranishmit për mënyrën e interpretimit dhe veshjet popullore.

Duhet të theksojmë se realizimi i këtyre   aktiviteteve në javën kulturore, të cilat kulmuan me pritjen  më 4 dhjetor 2012,   u mundësuan me sponsorizimin e sponsorve shqiptarë dhe hungarezë, ku rol të veçantë ka sponsori kryesor,  Konsulli i Nderit z. Avni HAFUZI. Gjithashtu z. HAFUZI sponsorizoi udhëtimin dhe akomodimin e grupit “Presheva jehon.

Më datën 5 dhjetor 2012 Konsulli i Nderit z. Avni Hafuzi organizoi një pritje koktejl për grupin “Presheva jehon”,  përfaqësues të diasporës, miq e të ftuar të tjerë.