"Garantimi i efektshmërisë afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në nivel kombëtar" Shtyp
E Merkure, 17 Tetor 2012
Kryesia shqiptare e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës organizoi më 5 tetor 2012 në Tiranë një seminar mbi aspekte të caktuara të zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar, në vijim të Konferencës së  Brighton-it. Seminari bashkoi agjentët qeveritarë nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe përfaqësuesit e Gjykatave të Larta, si dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare. Ministri shqiptar i Drejtësisë, Z. Eduard Halimi, theksoi nevojën për krijimin e një dialogu të ndershëm, fleksibël dhe të hapur mes Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Shteteve Palë, për të arritur një zbatim efikas të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut .
Rezultatet e këtij seminari do të shqyrtohen nga Komiteti Drejtues për të Drejtat e Njeriut, me qëllim përpunimin e mëtejshëm të politikave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe reformën e Gjykatës Evropiane.

Bashkëpunimi me OSBE-në:

Më 6 tetor 2012, Ministri i Jashtëm shqiptar Edmond Panariti mbajti fjalën e tij në Sesionin e Vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në Tiranë. Në cilësinë e tij si Kryetar i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Ministri Panariti u paraqiti parlamentarëve të OSBE-së prioritetet e Kryesisë së vendit të tij dhe vuri në dukje fushat ku bashkëpunimi ndërmjet dy organizatave mund të forcohet. Në veçanti, ai iu referua:
• Realizimit të një Komuniteti Sigurie Euro-Atlantik të bazuar në vlerat universale të demokracisë dhe shtetit të së drejtës;
• Nevojës për të forcuar bashkëpunimin dhe ndihmën për vendet e Mesdheut në tranzicion demokratik;
• Rëndësisë së bashkëpunimit të mëtejshëm në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ndërsa ruajmë përputhshmëritë dhe shmangim mbivendosjet.
• Promovimit të dialogut ndërkulturor, tolerancës dhe mosdiskriminimit.

Ministri Panariti theksoi se këto katër fusha përbëjnë një bazë solide për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin Euro-Atlantik.