Shqipëria dhe bashkëpunimi rajonal Shtyp
E Enjte, 05 Shtator 2013

POLITIKA RAJONALE E SHQIPËRISË

Shqipëria ka fituar një status dhe rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedhojë logjike e partneritetit në rritje me të gjithë strukturat e sigurisë rajonale dhe globale pas anëtarësimit në NATO në prill të vitit 2009. Aktualisht Shqipёria ёshtё në një proces të rëndësishëm me Bashkimin Evropian, pas hyrjes në fuqi më 1 Prill 2009 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, liberalizimit tё vizave dhe  aplikimit për statusin e vendit kandidat.

Shqipëria është një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës. Politika jonë e jashtme është e vendosur të rrisë këtë rol dhe kontribut, si një faktor me peshë rajonale për forcimin e sigurisë dhe për të garantuar stabilitet politik dhe ekonomik rajonal.   

Politika e jashtme e RSH është e orientuar për t’u angazhuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të rajonit. Shqipëria është dhe do të mbetet një partner serioz dhe një faktor i rëndësishëm rajonal, që kontribuon në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të rajonit dhe më gjerë.

Për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal shkon përtej shprehjes së vullnetit politik të fqinjësisë së mirë. Ai merr kuptim nëpërmjet përpjekjeve për krijimin e një infrastrukture të përbashkët rajonale, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit dhe angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës dhe konkurrues.

Ajo e sheh dhe e vlerëson atë si një kontribut konkret për integrimin e rajonit dhe inkurajon shqiptarët kudo ku jetojnë në rajon, që të jenë faktor dhe promotor i integrimit euro-atlantik.

Fuqizimi i një rrjeti infrastrukturor rajonal me akse që përshkojnë linjat kryesore të qarkullimit dhe fluksit të shkëmbimeve, si dhe lidhja e tyre me rrjetet infrastrukturore evropiane dhe euro-aziatike, do tё ndikojë nё proceset pozitive nё rajon, duke e bёrё atё mё tё siguritë, duke rritur dimensionin e tij gjeo-ekonomik, duke zgjeruar në përmasa të konsiderueshme tregun dhe duke rritur interesin për investime të huaja.

Një Ballkan i ndërvarur dhe i ndërlidhur ekonomikisht me vende dhe rajone fqinjë dhe me interesa të përbashkëta dhe historike si Italia, Greqia, Turqia, me të cilat kemi marrëdhënie të natyrshme, tradicionale dhe strategjike, fuqitë tradicionale dhe anëtarët e rinj të Bashkimit Evropian, por edhe me qendrat aktuale të zhvillimit ekonomik botëror, do t’i jepnin atij një dinamikë të re zhvillimi dhe prosperitetin e nevojshёm për integrimin e tij evropian, por edhe për garantimin e tregjeve rajonalë dhe ndër-rajonalë për Bashkimin Evropian.

Forcimi i dimensionit të sigurisë në konceptin tradicional dhe atë bashkëkohor në rajon, nëpërmjet garantimit të paqes dhe stabilitetit, demokratizimit të shoqërive tona, luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, kontrollit të qarkullimit dhe konfiskimit të parave që disponojnë këto organizata, forcimit deri në përmbushjen e standarteve më të larta të sigurisë dhe menaxhimit të integruar të kufijve, mund të realizohen më shpejt, nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal të agjensive të zbatimit të ligjit së bashku me asistencën e vetë Bashkimit Evropian.

Siguria në sektorin e energjisë përmes ndërtimit dhe modernizimit të rrjeteve të interkonjeksionit rajonal, sigurimi i rrjeteve të naftës dhe gazit nga Lindja në Perëndim përmes Rrugëve Ballkanike, do të rrisë rolin specifik të rajonit si një aktor me peshë dhe rëndësi për vetë të ardhmen e BE-së dhe garantimin e sigurisë së saj nga vartësia ndaj energjisë, por mbi të gjitha në aspektin e sigurisë, paqes dhe mirëqenies së vetë popujve të tij.

Pozicioni gjeografik i rajonit, interesat strategjike të të cilit si një rrugë kryesore lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, do të përforcoheshin me një dinamikë të re që do ta bënte integrimin e tij të shpejtë, të domosdoshëm për vetë Evropën, pasi pozicionimi i tij aktual si një rajon i rrethuar nga kufij të BE-së, por i pa integruar në këtë të fundit, do të ishte i dëmshëm për të gjitha palët. Ndërkohë që perspektiva e Ballkanit si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi do të lehtësonte edhe vetë BE-në nga një sfidë që është sa politike, po aq edhe ekonomike.

Gjeopolitika e rajonit është pasuruar gjatë dy dekadave të fundit me realitete të reja politike dhe shtet formuese.  Më i fundit prej tyre, shteti i ri Kosovës, qё nga shpallja e pavarësisë ka shёnuar një progres të dukshëm dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht në ndërtimin e institucioneve demokratike funksionuese.

SHQIPËRIA DHE NISMAT RAJONALE     

Mbështetur në prioritetet e politikës së saj të jashtme, Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij. Shqipëria e konsideron bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si shtylla të rëndësishme që garantojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe si parakushte për proceset integruese evropiane dhe euro-atlantike në rajon.

Shqipëria është një pjesëmarrëse aktive në procesin e bashkëpunimit rajonal dhe në të gjitha nismat rajonale si PBEJL (SEECP) – Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore; KBR (RCC) – Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal; NEQ (CEI) – Nisma e Evropërs Qëndrore; NAJ (AII) – Nisma Adriatiko Joniane; BEDZ (BSEC) – Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi; NRMAR (MARRI) – Nisma Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët; etj.

Shtrirja e këtij bashkëpunimi synon rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, duke përfshirë dialogun politik, zgjerimin e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, krijimin e një rrjeti rajonal të energjisë, transportin dhe telekomunikacionin, lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, kulturave, etj.,forcimin e lidhjeve arsimore, shkencore e kulturore, luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, terrorizmit, etj.

Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të moderuar dhe konstruktiv në të gjitha nismat rajonale, duke vënë një theks të veçantë në parimin e gjithë përfshirjes. Bazuar në këtë parim themelor të pjesëmarrjes aktive dhe të kontributit të të gjithë vendeve të rajonit në procesin e bashkëpunimit rajonal, Republika e Shqipërisë ka mbështetur e do të mbështesë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale.

Në këtë kuadër, vlerësohet si një arritje e rëndësishme vendimi i shkurtit 2013 i Bordit të RCC-së, për miratimin e listës së anëtarëve të organizatës, që në ndryshim nga lista paraardhëse, e vendos  përfaqësimin e Kosovës në RCC (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal), jo më nën siglën e UNMIK, por atë të Kosovës (me asterix), duke e prezantuar atë si anëtare me të drejta te plota në këtë organizëm rajonal.

E angazhuar tërësisht në procesin e bashkëpunimit rajonal, Shqipëria morri në qershor 2013 kryesimin njëvjeçar të radhës të Nismës Adriatiko - Joniane, e cila përkon me një moment shumë të rëndësishëm, me atë të finalizimit të procesit të diskutimit dhe miratimit në vitin 2014 të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Makro Rajonin Adriatiko-Jonian.

Afrimi drejt standardeve evropiane nëpërmjet procesit të integrimit evropian, ka dëshmuar të ketë një impakt pozitiv në marrëdhëniet midis vendeve të rajonit duke ndikuar kështu në krijimin e një klime më të mirë dhe në drejtim të stabilitetit në rajon.

Shqipëria ka synuar të jetë aktive në të gjithë bashkëpunimet rajonale dhe të kontribuojë me qëndrimet të saj parimore, konstruktive dhe të balancuara në trajtimin e çështjeve sensitive në rajon. Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive në Raportet e Progresit të BE-së të viteve të fundit lidhur me angazhimin e saj në procesin e bashkëpunimit rajonal.

Kryesimet e Shqipërisë në Nismat Rajonale

Pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në procesin e bashkëpunimit rajonal gjen shprehjen e vet edhe nëpërmjet kryesimeve të radhës në nismat dhe mekanizmat rajonalë të ushtrua nga Shqipëria. Konkretisht, Shqipëria ka ushtruar kryesimin e radhës së SEECP në vitin 2001; kryesimin e radhës së NEQ/NAJ në Maj 2005 - Maj 2006; kryesimin e radhës së BSEC në vitin 2002 dhe 2008; kryesimin e radhës së MARRI-it për periudhën prill 2010 - prill 2011; ka kryesuar PABSEC /Asambleja Parlamentare e Detit të Zi në vitin 2011; ka kryesuar  BSTDB/Banka e Detit të Zi për Tregti e Zhvillim  në vitin 2011; ka kryesuar ReSPA, ose Shkolla Rajonale për Administratën Publike, në shtator 2010-shtator 2011; është duke ushtruar kryesimin e radhës të NAJ [për periudhën qershor 2013-qershor 2014, etj.