Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Shtyp
E Enjte, 05 Shtator 2013
PROCESI I BASHKËPUNIMIT TË EVROPËS JUGLINDORE (SEECP dhe RCC)

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunim për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të gjithë vendeve të rajonit.

Duke e konsideruar bashkëpunimin dhe integrimin rajonal si parakusht të integrimit në strukturat Euro-Atlantike, SEECP është një proces unik, i themeluar me iniciativën e vetë vendeve të rajonit, zëri i të cilave është unifikuar për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane.

Fillimet e Procesit te Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), datojnë në qershor të vitit 1996, me Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Evropës Juglindore, që u mbajt në Sofje, të Bullgarisë, më synim promovimin dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe transformimin e rajonit në një zonë të paqes, sigurisë, stabilitetit.

Shqipëria është një anëtare aktive e kësaj organizate rajonale dhe synon forcimin e dialogut politik, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes rajonal, rritjes së sigurisë etj.

SEECP përbëhet nga 12 vende anëtare si: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.

Objektivat kryesore të SEECP

•    Objektivi parësor i SEECP është forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit, transformimi i rajonit në një zonë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit, nëpërmjet frymës së solidaritetit dhe në të mirë të qytetarëve të vendeve të rajonit.

•    Së dyti, krijimi i një Evropë Juglindore, e ardhmja e së cilës projektohet në paqe, demokraci, prosperitet ekonomik dhe integrim në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, duke qenë të përkushtuar në vazhdimin e reformave demokratike dhe ekonomike në vendet respective.

•    Së treti, përgjegjësia e vendeve të rajonit dhe vullneti i tyre për të punuar ngushtësisht me komunitetin ndërkombëtar me qëllim zhvillimin dhe zbatimin e strategjive të përbashkëta për stabilitetin rajonal, për t’ju përgjigjur sfidave të reja të sigurisë dhe eliminimin e shkaqeve rrënjësore, si forcimi i solidaritetit ndërkombëtar, që përfshin pjesëmarrjet në parandalimet e konflikteve, aktivitetet e menaxhimit të krizave, mbështetjen e operacioneve paqësore të ndërmarra nga organizmat e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht në kuadër të UN, NATO, OSBE, dhe institucioneve Euro-Atlantike.

•    Rritja e bashkëpunimit ekonomik, nëpërmjet bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh, mes rajonit dhe pjesës tjetër të Evropës, që përbën një dimension esencial të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, sigurisë dhe stabilitetit.

•    Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e dimensionit human, demokracisë, drejtësisë dhe luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.

Struktura dhe funksionimi i SEECP

Takimi i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive, të vendeve anëtare të SEECP, mbahet një herë në vit, dhe kryesohet nga kreu i shtetit ose Qeverisë që ka kryesimin e radhës.

Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtëm, mbahet të paktën një herë në vit dhe kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme të vendit që ka kryesimin e radhës.

Takimi i Komitetit të Drejtorëve Politikë, ku marrin pjesë Drejtorët Politikë të Ministrive të Punëve të Jashtme dhe kryesohet nga përfaqësuesi politik i vendit që ka kryesimin e radhës.

Trojka  e cila synon vazhdimësinë e aktiviteteve të SEECP, formohet nga përfaqësuesit e Kryesisë së radhës, asaj të shkuar dhe asaj që do të pasojë.

Sekretariati konstituohet nën kryesimin e vendit që mban presidencën e radhës.

Vendimarrja e SEECP, bëhet me konsensus dhe çdo vit, në përfundim të takimeve të SEECP, prodhohet Deklarata Politike e SEECP.

Kryesimi i SEECP është njëvjeçar. Shqipëria e ka kryesuar këtë organizatë në periudhën 2001-2002. Duke filluar nga muaji korrik 2013, kryesinë  radhës në SEEC e ushtron Rumania për një periudhe një vjeçare.

Nevoja për forcimin organizativ të SEECP-së, me qëllim ruajtjen e zhvillimin e memories institucionale të saj, ka çuar në krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), që është krahu operacional i SEECP.

KËSHILLI I BASHKËPUNIMIT RAJONAL (RCC)

Këshilli i Bashkëpunimi Rajonal (RCC) është lançuar zyrtarisht në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje, më 27 shkurt 2008, si vazhdues i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. RCC përbehet nga nga 46 vende, organizatata ndërkombëtare dhe institucione financiare.

Me vendimin e shkurtit  2013, të  Bordit të RCC-së, për miratimin e listës së anëtarëve të organizatës, në ndryshim nga lista paraardhëse, u vendos  përfaqësimi i Kosovës në RCC, jo më nën siglën e UNMIK, por atë të Kosovës (me asterix) duke shmangur paqartësitë e përfaqësimit të Kosovës në strukturat e RCC-së.

RCC fokusohet në promovimin dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore (EJL), me qëllim integrimin evropian dhe euro-atlantik të vendeve aspirante, si dhe ofron kapacitetet operacionale dhe punon nën drejtimin politik të SEECP.

Në përputhje me statutin e tij dhe udhëhequr nga parimi i gjithë përfshirjes, detyrat kryesore të RCC-së janë:

•    Përfaqësimi i rajonit

•    Asistencë ndaj SEECP

•    Monitorim i aktiviteteve rajonale

•    Mbështetjen për përfshirjen e shoqërisë civile në aktivitetet rajonale etj.

•    Koordinimi dhe rigjenerimi i projekteve rajonale dhe krijimi i një klime të përshtatshme politike për zbatimin e tyre.

•    Afrimi i vendeve jo anëtare të BE-së me strukturat evropiane dhe integrimi i tyre në BE

Aktiviteti i RCC-së fokusohet në fushat prioritare të zhvillimit ekonomik dhe social,si:

•    zhvillimi ekonomik dhe social

•    infrastruktura dhe energjetika

•    çështje të drejtësisë

•    bashkëpunimi në fushën e sigurisë

•    ndërtimi i kapaciteteve humane

•    bashkëpunimi ndërparlamentar

Përpilimi dhe implementimi i Strategjisë dhe Planit të Punës për periudhën 2014-2016, lançuar në datën 28 shkurt 2013, në Sarajevë, në takimin e Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), përbën dokumentin themelor mbi të cilin do të organizohet puna e RCC.

RCC synon të fuqizojë përafrimin e institucioneve të BE-së dhe mbështetjen e tyre financiare lidhur me zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Punës për RCC, 2014-2016, si dhe SEE 2020.

Buxheti vjetor i Sekretariatit të RCC-së është nën 3 milion euro, ku  40% janë kontribut nga vendet e Evropës Juglindore, 30% nga Komisioni Evropian dhe 30% nga pjesëmarrësit e tjerë në RCC.

RCC-ka sekretariatin në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë, dhe një Zyrë ndërlidhëse në Bruksel.

Për më tepër informacion klikoni në: http://www.rcc.int/